Engjëlli i tregon nuses domethënien e ndëshkimeve të një shpirti të gjykuar nga Hyji në kapitullin e mëparshëm; dhe për uljen e dënimit të tij pasi ai u pati kursyer jetën armiqve të vet.
Libri 4 - Kapitulli 8

Engjëlli tha: "Ai shpirt, gjendjen e të cilit ti e pe dhe dënimin e të cilit e dëgjove, gjendet në ndëshkimin më të rreptë të purgatorit.
Ai nuk e di fatin e tij: nuk është i sigurt a e pret paqja pas pastrimit apo ferri. Kjo është drejtësi hyjnore pasi ky njeri kishte dije të thella por i përdori ato për qëllime materiale dhe jo për qëllime shpirtërore në të mirë të shpirtit; ai e harroi dhe neglizhoi krejtësisht Hyjin sa ishte në jetë.

Tani shpirti i tij vuan nga zjarri përvëlues dhe dridhet nga i ftohti. Është i verbër në errësirë, i frikësuar nga pamja e llahtarshme e djajve, i shurdhuar nga hungërimat e djajve, i uritur, i etur dhe i mbuluar me turp. Por prapë Hyji i dha një hir pas vdekjes, konkretisht atë të mospasjes së kontakteve me djajtë. Kjo sepse ai ishte treguar i butë me armiqtë e tij më të betuar thjesht për nder të Hyjit. Ua fali shkeljet e rënda dhe lidhi miqësi me armikun kryesor.

Ta dish edhe që, në përputhje me vendimin e drejtë të Hyjit, çdo e mirë që ai ka bërë, çfarëdo gjëje ka premtuar dhe ka dhuruar nga pasuria e tij e ligjshme, e zbut dhe pakëson dhimbjen e tij, sidomos me ndihmën e lutjeve të miqve të Hyjit. Kurse pasuri të tjera më pak të ligjshme që ai ka dhuruar do të shkojnë në të mirë të pronarëve të tyre të ligjshëm, shpirtërisht ose fizikisht, në rast se ata e meritojnë."