Mësim i dobishëm që nusja e Krishtit, e frymëzuar nga Hyji, i jep një prifti në lidhje me mënyrën si ai duhet të sillet shpirtërisht dhe fizikisht Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 80

Së pari të këshilloj të rrish në banesën tënde pranë kishës të Shenjtes Virgjër Mari. Duhet të mbash vetëm një shërbyes. Pasi të kesh zbritur shpenzimet e nevojshme nga të ardhurat, ktheja çfarë të tepron kreditorëve dhe shlyeji të gjitha borxhet. Nuk është e drejtë dhe as e arësyeshme t’u japësh një grusht me para të varfërve apo miqve të kamur dhe kushërinjve pa paguar më parë borxhet. Kur t’i lash plotësisht borxhet, atëherë – pasi të kesh mbajtur shpenzimet për vete dhe për shërbyesin – jepja çka mbetet të varfërve dhe nevojtarëve.

Duhet të mbash veshje klerikale të mirë dhe praktike e të kesh kujdes që cilësinë e copës dhe modelin të mos i zgjedhësh për t’u dukur por që të kesh pamje të rregullt dhe të ndjehesh rehat. Mjaft i ke dy palë rroba – një palë për raste festash, një palë për ditë të zakonshme – dhe mos mbaj më tepër se dy palë këpucë dhe dy palë çorape. Rrobat e tjera që ke përdori për ndonjë gjë tjetër ose përdori për të shlyer borxhet. Sivjet mos përdor fare tesha të linjta as natën as gjatë ditës.

Këtë vit konsiderojë kishën tënde të Shën Marisë si kishë klauzure për tre arësyet që vijojnë. E para që, nëse më parë ke ndenjur atje për ndonjë motiv krenaria, në të ardhmen të qëndrosh për shkak të bindjes hyjnore, në nder të tejet së përvuajturës Virgjërës Mari. Dhe nëse kanonikët dhe ata që kanë peshë në këtë kishë të kanë përzënë ndonjëherë me fjalë të turpshme nga shërbimi i Hyjit dhe të kanë shtyrë drejt dëshirave të liga, tani duhet të përpiqesh me ndihmën e Hyjit dhe duke përdorur fjalë hyjnore dhe shpirtërore t’i largosh njerëzit nga dëshirat e këqija dhe t’i shtysh drejt dashurisë së Hyjit. Nëse më parë ka ndodhur që i ke dhënë shembull të keq ndonjërit që të ka parë duke u sjellë në mënyrë të palejueshme, tani duhet të kujdesesh që të japësh shembuj të mirë me vepra të mira dhe sjellje të drejtë.

Tjetër gjë, miku im, është që ta planifikosh ditën dhe natën urtisht dhe me efikasitet për lavdinë e Hyjit. Unë kam vënë re se këmbanat e kishës tënde bien taman në orët e caktuara. Sapo t’i dëgjosh në mbrëmje, unë të këshilloj të ngrihesh menjëherë nga vendi dhe të kujtosh pesë plagët e Jezu Krishtit dhe dhimbjet e Nënës së Tij të tejet të denjë me pesë gjunjëzime dhe pesë Ati Ynë dhe pesë Të falemi Mari. Pastaj duhet të fillosh mëngjesoret e së Lumes Virgjër dhe të thuash lutje të tjera që të pëlqejnë derisa kanonikët të mblidhen në kor për të kënduar. Është mirë që në kishë të vish me të parët, jo me të fundit. Duhet t’i këndosh mëngjesoret me devotshmëri, duke qëndruar në këmbë deri në fund dhe duke u ulur kur është me vend të bëhet kështu, por pa folur fare nëse nuk të pyesin për ndonjë gjë dhe, në një rast të tillë, të përgjigjesh vetëm me pak fjalë dhe pa dhënë shenja zemërimi apo padurimi. Ti do të silleshe me kujdes nëse do të ishe në prani të ndonjë zotërie të përkohshëm apo tokësor. Aq më tepër duhet të sillesh me kujdes, modesti dhe respekt të përvuajtur, të brendshëm dhe të jashtëm, në prani të Mbfretit të përjetshëm të qiellit që është gjithnjë dhe gjithkund i pranishëm.

Nëse të ndodh që je i detyruar nga nevoja që të flasësh për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ty apo dikë tjetër gjatë këtyre gjysëm-orëshve, dil nga kori dhe jepe mendimin tënd me pak fjalë e me zë të ulët dhe pastaj kthehu pa vonesë tek vendi yt në kor. Nëse është e mundur, shtyje trajtimin e çështjes për më vonë dhe për diku tjetër në mënyrë që të mos pengosh adhurimin hyjnor dhe lavdinë që i jepet Hyjit. Ki kujdes që të mos sillesh nëpër kishë sikur po bën shëtitje, duke shkuar sa andej-këtej ndërkohë që këndohen orët. Një sjellje e tillë i takon një mendjeje të paqëndrueshme dhe të papërqëndruar dhe një shpirti të vakët me pak dashuri dhe devotshmëri.

Në kohën e ndërmjetme, midis këndimit të orëve, përkushtoju lutjes apo lexo diçka të devotshme ose të dobishme për mendjen tënde ose për të tjerët, duke u kujdesur, qysh se ngrihesh nga shtrati për mëngjesoren e derisa të ketë mbaruar mesha solemne, që të mos i përkushtohesh me dashje asgjëje tjetër përveçse këngës, leximit, lutjes apo studimit, me përjashtim të rastit kur ndodh që të duhet të diskutosh apo të merresh me çështje të kapitullit tënd që lidhen me interesat e kishës, qoftë këto përmirësime apo organizime. Pas meshës solemne mund të flitet ose të bisedohet për nevoja të ndryshme apo të bëhen veprimtari të mira dhe të virtytshme.

Kur ulesh në tryezë, duhet të thuash falenderimin. Qoftë kur je i ftuar ose ke të ftuar, gjatë ngrënies, për të mirën e të pranishmëve në tryezë dhe të atyre që shërbejnë ushqimin, së pari flit për Hyjin dhe Nënën e Tij tejet të denjë apo ndonjë shenjt– të paktën një ose dy fjalë ose pyeti të tjerët për ndonjë gjë që ka të bëjë me Hyjin ose me Nënën e Tij ose shenjtërit e Hyjit. Njëlloj vepro edhe kur je vetëm në tryezë dhe po shërbehesh prej shërbyesit tënd dhe leximi le të bëhet praktikë kur vëllezërit hanë bashkë në manastir. Pasi të keni ngrëni dhe të keni falenderuar Hyjin dhe bamirësit tuaj, mund të flisni ca me këdo person të drejtë që dëshironi për çështje që kanë të bëjnë me ju. Pastaj shkoni drejt e në dhomë, gjunjëzohuni pesë herë dhe thoni pesë Ati Ynë dhe pesë Të Falemi Mari në kujtim të plagëve të Zotit tonë Jezu Krisht dhe të dhimbjeve të Nënës së Tij. Përdore gjysmën e kohës që mbetet deri në mbrëmësore për të studiuar ose lexuar apo për ndonjë lloj pushimi, nëse nuk të pengojnë ta bësh këtë nga miqtë e tu për çështje që kanë të bëjnë me ta. Gjysmën tjetër të kohës përdore për të shëtitur që të çlodhësh trupin në mënyrë që të forcohesh për lavdinë e Hyjit.

Kur bie zilja për mbrëmësoren, shko drejt e në kor të kishës për të kënduar uficin në mënyrën e përshkruar më sipër. Pas pasmbrëmësores, thuaj lutjet për të vdekurit bashkë me tre leximet para vaktit të darkës. Pas darkës, kryej të njëjtat praktika që bëhen pas drekës. Pasi të thuash falenderimin, bëj një shëtitje dhe kaloje kohën me ndonjë bisedë të dobishme dhe të këndshme deri sa të të vijë gjumi. Edhe atëherë, para se të flesh, qëndro para shtratit dhe thuaj devotshmërisht pesë Ati ynë dhe pesë Të Falemi Mari në kujtim të vuajtjeve të Jezu Krishtit. Pastaj futu në shtrat dhe fli e pusho që të të mos përgjumesh gjatë kohës së vigjiljes nga gjumi i pakët apo pushimi i pamjaftueshëm. Çdo të premte thuaj shtatë psalmet dhe litaninë me devotshmëri dhe jepu pesë monedha të argjendta pesë personave të varfër dhe nevojtarë në nderim të pesë plagëve të Jezu Krishtit.

Gjithashtu, vëlla dhe mik i dashur, këtë vit, si pendesë për mëkatet e tua, të këshilloj të mbash abstinencë në mënyrën që vijon. Çdo ditë gjatë Kreshmes dhe gjatë Ardhjes agjërimi yt duhet të konsistojë vetëm në një vakt me peshk. Në prag të festave të Shën Marisë ha një vakt me bukë dhe ujë; në prag të festive të apostujve, një vakt me peshk. Çdo të mërkurë ha vakt me djathë, vezë dhe peshk. Çdo të premte vakti të jetë vetëm me bukë dhe verë – dhe nëse preferon të pish ujë në vend të verës, nuk kam kundërshtim – dhe çdo të shtunë ha peshk dhe vaj për vaktin tënd të vetëm të mesditës. Të dielave, të hënave, të martave dhe të mërkurave ha dy vakte me mish nëse kisha nuk ka parashikuar agjërim.

Të lutem ki parasysh, vëlla i dashur, se kam vendosur të ta jap këtë këshillë dhe të të shkruaj gjithë këtë për tre arësye. Para së gjithash që zilia dhe dinakëria e djallit të mos të të shtyjnë ta rraskapitësh veten aq shpejt sa fuqia dhe mendja të fillojnë të dobësohen shpejt dhe ta bëjnë jetën tënde më pak të dobishme për Hyjin se ç’duhet të jetë. E dyta, nëse njerëzit e botës shohin ndonjë mungesë kthjelltësie mendimi apo force tek ti për shkak të punës së tepërt, apo nëse të shohin që lodhesh nga puna e nisur, atëherë ata mund të frikësohen dhe të mos u përkushtohen veprave të Hyjit. E treta, sepse kam besim se puna jote do t’i pëlqejë më tepër Hyjit sa më tepër që ti e zbaton me përvujtëri këshillën e një tjetri dhe nuk vepron sipas mendjes tënde.