Përgjigja e Virgjërës, me sa duket, për nusen në lidhje me tre vetë për të cilët po lutej nusja para Hyjit. Lotët e vlefshëm dhe ata të pavlefshëm. Si dashuria për Hyjin rritet me anë të meditimit mbi përvujtërinë e Krishtit. Dhe si frika (jo birnore apo fillestare) mund të jetë e mirë.
Libri 4 - Kapitulli 81

Ai njeri është si një thes me grurë nga i cili hiqet një kokërr por shtohen dhjetë. Personi për të cilin po lutesh është taman kështu. Ai nga frika heq dorë nga një mëkat, por bën dhjetë të tjerë për hatër të botës. Sa për të dytin për të cilin po lutesh, unë të përgjigjem se nuk është normale t’i shtosh erëza të kushtueshme mishit të prishur. Ti mund të lutesh për të që t’i jepen mundime trupore për të mirën e shpirtit të tij, por vullneti i tij është kundër asaj çka ti kërkon. Ai dëshiron nderet e botës, ti e sheh, dhe dëshiron pasuri të mëdha dhe jo varfëri shpirtërore dhe kënaqësitë sensulale janë të ëmbla për të. Prandaj shpirtri i tij është i prishur dhe bie erë në sytë e mi. Për këtë ai nuk i meriton provat dhe mundimet që janë erëza të kushtueshme.

Ndërsa në lidhje me personin e tretë në sytë e të cilit sheh lotë, përgjigja ime është se ti i sheh trupin por Unë i shoh zemrën. Ndonjëherë ti sheh ndonjë re të zezë tek ngrihet nga toka dhe qëndron pezull në qiell nën diell e që sjell reshjet e trefishta të shiut, borës dhe breshërit. Pastaj reja zhduket pasi është formuar nga papastërtia e tokës. Çdo njeri që ushqehet me mëkat dhe kënaqësi sensuale deri në pleqëri i përngjan një reje të tillë. Kur vjen pleqëria, ai fillon t’i trembet vdekjes dhe të mendojë për rrezikun, por prapë provon gëzim në mendje.

Kështu ashtu si reja ngjitet në qiell nga papastërtia e tokës, po kështu ndërgjegja e këtij njeriu ngjitet nga papastërtia e trupit (papastërtia, domethënë mëkati) në vetë-shqyrtim dhe lëshon tre lloj lotësh për vete. Lotët e parë mund të krahasohem me ujin. Ato janë për gjërat që njeriu ka dashur fizikisht, si për shembull kur humbet miqtë ose të mira të përkohshme apo shëndetin. Ngaqë hidhërohet prej planeve të Hyjit dhe nga gjërat që Ai lejon të ndodhin, ai derdh shumë lotë të pamend. Lloji i dytë i lotëve mund të krahasohet me borën.

Kur njeriu nis të mendojë për rrezikun që i kanoset trupit të tij dhe dhimbjen e vdekjes dhe mjerimin e ferrit, atëherë ai zë të qajë – jo nga dashuria por nga frika. Dhe kështu, ashti si bora shpejt shkrin, edhe lotë të tillë shkrijnë shpejt. Lloji i tretë i lotëve mund të krahasohet me breshërin. Kur njeriu kujton sa e ëmbël ka qenë dhe ende është kënaqësia sensuale për të, se do ta humbasë dhe sa ngushëllim të madh ka në qiell, atëherë ai fillon të qajë për mallkimin që e pret. Nuk i shkon ndërmend të qajë për çnderimin që i bëhet Hyjit sa herë Hyji humbet një shpirt të shëlbuar me gjakun e Tij e as i bëhet vonë nëse do ta shohë apo jo Hyjin pas vdekjes. Ai do vetëm të sigurojë ndonjë banesë në qiell ose në tokë ku të mos ndjejë asnjë dhimbje po të ketë kënaqësinë e tij përgjithmonë. Lotë të tillë krahasohen me të drejtë me breshërin, pasi zemra e një njeriu të tillë është jashtë mase e ngurtë dhe nuk ka ngrohtësinë e dashurisë së Hyjit. Lotë të tillë nuk e sjellin shpirtin në qiell.

Ndërsa tani do të të tregoj lotët që e sjellin një shpirt në qiell. Ata mund të krahasohen me vesën. Avulli ndonjëherë ngrihet nga ëmbëlsia e tokës dhe ngrihet në qiell duke u ngjitur nën diell. Ai kthehet në lagështirë nga nxehtësia e diellit dhe zbret përsëri në tokë duke i bërë të frytshme gjithë gjërat që rriten në tokë. Këtë ju e quani vesë dhe mund të shihet në petalet e trëndafilave që kur i ekspozohen nxhehtësisë në fillim nxjerrin lagështi dhe pastaj pikojnë. Kjo ndodh edhe në rastin e një njeriu shpirtëror. Kur njeriu mediton mbi atë tokë të bekuar, domëthenë për trupin e Krishtit dhe për ato fjalë që Krishti vetë shqiptoi, si dhe për hirin e madh që Ai i dha botës dhe dhimbjen e madhe që duroi i nxitur nga zjarri i dashurisë së Tij për shpirtrat, atëherë dashria e tij për Hyjin ngrihet me ëmbëlsi të madhe në trurin e tij që mund të krahasohet me qiellin. Zemra e tij që mund të krahasohet me diellin fillon të mbushet me ngrohtësi hyjnore dhe sytë me lotë duke vajtuar për fyerjet që i ka bërë këtij Hyji pafundësisht të mirë, duke preferuar të vuajë çdo lloj dhimbjeje për lavdinë e Hyjit se të ketë çdo lloj gëzimi pa Hyjin.

Lotë të tillë mund të krahasohen fare mirë me vesën që bie pasi ato i japin forcë të kryejë vepra të mira dhe të japë fryt në sytë e Hyjit. Ashtu si lulet që rriten tërheqin vesën që bie dhe lulja përqafohet nga vesa, ashtu edhe lotët e derdhur nga dashuria për Hyjin e fusin Hyjin në shpirt dhe Hyji e tërheq shpirtin tek Vetja. Megjithatë është mirë të kihet frikë për dy arësye. Para së gjithash, duke qenë se vepra të tilla të mira të kryera nga frika më vonë mund të fusin një shkëndijë hiri në zemër dhe kështu ai fitonë mirësi. Këtë mund të kuptosh me anë të një krahasimi. Është si atëherë kur një argjendar vendos ar të pastër në peshore dhe vjen qymyrxhiu dhe thotë: 'Zotëri, unë kam qymyrin që të nevojitet për punën tënde. Më paguaj çmimin që vlen.' Argjendari përgjigjet: 'Qymyri ka çmim fiks.' E argjendari e paguan çmimin me ar dhe e përdor qymyrin që i nevojitet për punën e tij, ndërsa qymyrxhiu merr arin si mjet për të jetuar.

Kështu ndodh me çështjet shpirtërore. Veprat e bëra pa dashuri janë si qymyri dhe dashuria është si ari. Njerëzit që kryejnë vepra të mira nga frika por me dëshirën për të fituar shpëtimin e shpirtit me anë të tyre, edhe pse nuk e dëshirojnë Hyjon në qiell por vetëm kanë frikë se mos përfundojnë në ferr, prapë kanë vepra që janë të mira edhe pse të ftohta dhe si qymyr në sytë e Hyjit. Por Hyji mund të krahasohet me argjendarin. Ai di si t’i shpërblejë veprat e mira me drejtësi shpirtërore dhe se me ç’lloj drejtësie mund të fitohet mirësia e Hyjit. Sipas provanisë së Tij, nga veprat e mira të bëra nga frika njerëzit mund të fitojnë mirësinë që vlen për shpëtimin e shpirtrave të tyre. Ashtu si argjendari zemërmirë përdor qymyr në punën e tij, edhe Hyji i përdor veprat e ftohta për lavdinë e Tij.

Arësyeja e dytë përse është mirë të kihet frikë është se njerëzit do të lirohen nga ndëshkimi i ferrit për të gjitha mëkatet që, nga frika, nuk i kanë kryer. Megjithatë, duke qenë se nuk kanë dashuri, ata nuk kanë drejtësinë e nevojshme për t’u ngjitur në qiell. Një person vullneti i të cilit është i tillë që po të mundej do të donte të jetonte përgjithmonë në botë, nuk ka fare dashuri për Hyjin. Veprat e Hyjit janë si errësirë për të. Prandaj ai mëkaton rëndë dhe do të dënohet me ferr. Por nuk është i destinuar të digjet me vuajtje dhe do të qëndrojë në hije, pasi nga frika nuk mëkatoi. Por nuk do ta njohë gëzimin e qiellit pasi nuk e dëshiroi sa jetoi. Për këtë arësye ai do të rrijë si një i verbër dhe shurdh dhe si njeri pa duar dhe këmbë pasi shpirti i tij e kupton të keqen e ferrit dhe shumë pak gëzimin e qiellit."

SQARIM
Ky rrëfim ka të bëjë me tre kalorës. i pari ishte nga Skåneja. Zbulimi që vijon u dha në lidhje me të: Zonja Brixhidë pa një shpirt me veshje si t’ish lyer dy herë me të kuqe por të spërkatur me ca njolla të zeza. Sapo ajo e pa shpirtin, ai iu zhduk nga sytë. Prapë pas tre ditësh ajo pa po të njëjtin shpirt krejtësisht të kuq dhe që shkëlqente me xhevahirë si ar vezullues. Ndërsa po mendonte për sa kish parë, Shpirti i Hyjit tha: "Ky shpirt pengohej nga përkudesjet tokësore por kish fe të vërtetë. Ai erdhi për ndjesat që fitohen në Romë me synimin për të fituar mirësinë dhe favorin hyjnor dhe me dëshirën për të mos mëkatuar më me dashje.

Vegimi yt për shpirtin e veshur me copë dy herë të lyer me të kuq do të thotë se para vdekjes trupore ai fitoi favorin hyjnor, por jo në mënyrë të përsosur. Që shpirtin e kish të spërkatur me njolla të zeza do të thotë se ai ndjente tërheqjen e afeksioneve fizike për prindërit e tij dhe të dëshirës për të parë atdheun e vet. Megjithatë ai ma besoi gjithë vullnetin e vet Mua. Prandaj shpirti i tij meritoi të pastrohet dhe të përgatitet për gjëra më sublime. Xhevahirët që vezullonin përkundrejt ngjyrës së kuqe tregojnë se shpirti po i afrohej shpërblimit të dëshiruar në sajë të vullnetit të tij të mirë si edhe falë ndjesave.

Shih dhe reflekto pra, bija Ime, ç’të mirë ndjesat e këtij qyteti bëjnë për ata që vijnë këtu me synimin e shenjtë për të marrë ndjesë. Edhe sikur dikujt t’i jepeshin një milion vjet – si në fakt jepen për shkak të fesë dhe devotshmërisë së atyre që vijnë këtu – prapë nuk do t’i mjaftonin për të fituar mirësinë hyjnore pa hirin e Hyjit. Por kjo mirësi jepet me të vërtetë dhe fitohet në sajë të ndjesave që shenjtërit e Mi kanë merituar me gjakun e tyre."

Përsa i përket personit të dytë në të njëjtin rrëfim, që ishte nga Hallandi, Biri i Hyjit thotë: "Ç’të tha ai llafazan i krekosur? A nuk është e vërtetë se shumë njerëz kanë dyshime për vërtetësinë e relikes së mbulesës së fytyrës Sime? Përgjigjju prerazi atij me katër gjërat që po të them tani. E para është se shumë njerëz grumbullojnë pasuri por pa e ditur për kë. E dyta është se çdo person të cilit i është besuar talenti i Hyjit dhe nuk e shpenzon atë me gëzim do të dënohet. E treta është se ai që do tokën dhe trupin më shumë se Hyjin nuk do të bashkohet në shoqërinë e atyre që kanë uri dhe etje për drejtësi. E katërta është se çdo person që nuk i dëgjon të tjerët, do të bërtasë vetë e nuk do të dëgjohet. Përsa i përket relikes së mbulesës së fytyrës Sime, le ta dijë se ashtu si Unë djersita gjak kur vuajtjet po afroheshin dhe iu luta Atit, po ashtu djersa kulloi nga fytyra Ime në mbulesë për hatër të gruas që m’u lut dhe për ngushëllimin e e brezave të ardhshëm."

Kalorësi i tretë në rrëfim ishte nga Suedia. Rrëfimi që vijon ka të bëjë me të: "Është shkruar se burri i pafe shpëtohet nga gruaja që beson. Gruaja e këtij burri nxitoi dhe e shqiti të shoqin nga nofullat e djallit me dy duart e saj. E shqiti nga djalli me njërën nga duart, domethënë me lotët, lutjet dhe veprat e mëshirës. E shqiti me dorën tjetër me paralajmërimet, shembullin dhe udhëzimet e si pasojë ai tashmë po i afrohet udhës së shpëtimit. Po ashtu ai duhet të meditojë tre gjëra që shkruhen në ligj. Në të gjenden tre seksione. Njëri titullohet 'për pronësinë,' një tjetër titullohet 'për shitjet,' i treti është 'për blerjet.'

Në seksionin e parë mbi pronësinë thuhet se asgjë nuk zotërohet me të drejtë nëse nuk është fituar me të drejtë. Çdo gjë e përvetësuar me mashtrim ose ligësi ose me çmim shumë të lirë nuk i pëlqen Hyjit. Seksioni i dytë quhet 'mbi shitjet.' Ka raste kur ndonjë gjë shitet nga varfëria ose frika, ndonjëherë nga dhuna ose marrëveshje të padrejta. Njeriu duhet të shqyrtojë ndërgjegjen për të parë nëse ka keqardhje dhe mëshirë në zemrën e tij. Seksioni i tretë quhet 'mbi blerjet.' Kushdo që dëshiron të blejë diçka duhet të interesohet nëse malli që po shitet është fituar me të drejtë. Nuk është ligjërisht e pranueshme kur diçka është fituar me anë të zhvatjes. Prandaj ky njeri le t’i reflektojë këto tre gjëra në mendjen e tij.

Le ta dijë se do të më japë llogari për gjithçka dhe veçanërisht për zotërimet që i janë lënë nga prindërit, se mos ndoshta e ka tepruar apo i ka përdorur ato më tepër për hatër të botës se për nder të Hyjit. Shpjegoji se do të më japë llogari për kalorësinë e vet – synimin pse e pranoi, mënyrën si e jetoi dhe mënyrën si e zbatoi betimin që bëri para Meje."