Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj se ajo duhet ta dojë Atë ashtu si shërbëtori i mirë do të zotin, si biri i mirë do të atin dhe si gruaja besnike do të shoqin nga ai cili ajo nuk duhet të ndahet kurrë. Ai jep një shpjegim shpirtëror dhe të dobishëm për gjithë këtë.
Libri 4 - Kapitulli 83

Biri thotë: "Të dua ashtu si një zotëri i mirë do shërbëtorin e vet, si një baba të birin, si një burrë gruan. Zotëria i thotë shërbëtorit: 'Do të të jap veshje, ushqim të përshtatshëm dhe punë me masë. Babai i thotë të birit: 'Gjithçka kam është e jotja. Burri i thotë gruas: 'Çlodhja jote është çlodhje për mua, rehatia jote është rehatia ime.'

Si do i përgjigjen këta të tre një dashurie kaq të madhe? Shërbëtori, nëse është i mirë, me siguri do t’i thotë të zotit: 'Gjendja ime është ajo e një shërbëtori, prandaj preferoj të të shërbej ty dhe jo një tjetri.' Biri do t’i thotë të atit: 'Kam çdo të mirë prej teje, prandaj nuk dua të ndahem nga ty.' Gruaja do t’i thotë burrit: 'Puna jote më mban; kam ngrohtësine e gjoksit tënd dhe ëmbëlsinë e fjalëve të tua, prandaj më mirë vdes se ndahem prej teje.'

Unë, Hyji, jam burri. Shpirti me të vërtetë është nusja Ime dhe ai duhet të gjejë prehje në gjoksin Tim dhe të ripërtërohet me ushqimin e hyjnisë Sime. Nga ana e tij ai duhet të durojë çdo torturë për të mos u ndarë prej Meje, pasi ai nuk mund të ketë as paqe as nder larg Meje. Dy gjëra ka martesa: e para, mjetet që i nevojiten çiftit për të jetuar; e dyta, një fëmi për të marrë trashëgiminë – mund të kenë edhe një shërbëtor që të kujdeset për ta – pasi është shkruar se Abrahami shqetësohej që nuk kishte një fëmi.

Shpirti i ka mjetet e jetesës kur është plot me virtyte. Ai ka fëmi kur ka maturi që arrin të dallojë virtytet nga veset. Ka shërbëtor, domethënë emocione fizike. Ky shërbëtor nuk jeton sipas orekseve trupore por për të mirën e trupit dhe përsosjen e shpirtit.

Pra Unë të dua ashtu si burri e do gruan, pasi prehja jote është prehja Ime. Prandaj ty të takon të durosh vullnetarisht çdo vështirësi sesa të më zemërosh. Të dua edhe si një baba do të birin pasi të kam dhënë inteligjencë dhe vullnet të lirë. Por të dua edhe si një zotëri do shërbëtorin e vet dhe të kam urdhëruar të mbash me masë të mira të nevojshme dhe të punosh me masë. Por shërbëtori, trupi, është aq i marrë sa i pëlqen më mirë t’i shërbejë djallit se Mua dhe djalli kurrë nuk e lë të prehet nga meraqet për botën."