Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj për dy faqe të një libri të hapur para Tij. Tre herë është shkruar mëshirë në njërën faqe, drejtësi tek tjetra. Ai e këshillon t’i kthehet mëshirës sa ka ende kohë në mënyrë që të mos ndëshkohet më pas nga drejtësia.
Libri 4 – Kapitulli 85

Biri i thotë nuses: "Unë jam Krijuesi i gjithësisë. Dy faqe si të thuash ndodhen hapur para Meje. Në njërën është shkruajtur mëshira, në tjetrën drejtësia.
Mëshira shqiptohet për këdo që pendohet për mëkatet e veta dhe vendos të mos mëkatojë më, pasi Shpirti Im do ta frymëzojë të kryejë vepra të mira. Ai që lirisht dëshiron të largohet nga kotësitë e botës bëhet më i zellshëm nga Shpirti Im. Kush është gati të vdesë për Mua do të ndizet aq shumë nga Shpirti Im saqë do të jetë plotësisht në Mua dhe Unë në të.

Në faqen tjetër është shkruajtur drejtësia. Kjo thotë: 'Ati nuk do ta mbrojë, as Biri nuk do të falë, as Shpirti Shenjt nuk do ta ndezë flakë kë nuk bën kthesë sa ka kohë por me dashje i kthen shpinën Hyjit.' Prandaj, sa ka ende kohë, medito me kujdes për faqen e mëshirës, pasi të gjithë ata që shpëtohen do të pastrohen ose nga uji ose nga zjarri, domethënë ose me një sasi të vogël pendese në të tashmen ose me zjrrin e purgatorit në të ardhmen derisa të pastrohen.

Ta dish se këto dy faqe të librit të Mëshirës dhe Drejtësisë ia tregova dikujt që ti e njeh. Por ai e përqesh faqen e mëshirës Sime dhe ngatërron të majtën me të djathtën. Si çafka mbi trumacakët ai përpiqet të ngrihet mbi këdo tjetër. Prandaj duhet të ketë frikë për veten pasi nëse nuk bën kujdes, ai do të vdesë në përqeshjen e vet dhe do të merret nga kjo botë bashke me pijanecët dhe përqeshëshit."
Kështu ndodhi më pas. Ai u ngrit i kënaqur nga tryeza por u vra në mbrëmje nga armiqtë e tij.