Nëna e Hyjit thotë se ajo është si lule nga e cila bletët mbledhin mjalt të ëmbël. Bletët janë shërbëtorët dhe të zgjedhurit e Hyjit që vazhdimisht mbledhin nektarin e hirit prej saj dhe kanë flatra shpirtërore, këmbë shpirtërore dhe një thumb shpirtëror.
Libri 4 - Kapitulli 86

Nëna thotë: "Unë jam Mbretëresha dhe Nëna e mëshirës. Biri im, Krijuesi i gjithësisë, ndjen aq shumë dashuri për mua saqë më ka dhënë inteligjencë shpirtërore më tepër se çdo krijese. Prandaj unë jam si lule nga e cila bletët mbledhin nektar të ëmbël me bollëk. Pavarësisht sa shumë mbledhin, prapë mbetet nektar në të. Po ashtu unë jam në gjendje të fitoj hir për këdo dhe prapë se prapë gjithmonë kam hir me bollëk.

Të zgjedhurit e mi janë vërtet si bletë pasi më duan dhe më nderojnë. Si bletët ata kanë dy këmbë, pasi ata kanë dëshirë të vazhdueshme ta rrisin nderin tim dhe përpiqen me ngulm për këtë, duke bërë gjithçka munden. Kanë edhe dy flatra pasi e konsiderojnë veten të padenjë për të më lëvduar dhe janë edhe të dëgjueshëm për gjithçka që ka të bëjë me nderin tim. Madje kanë edhe një thumb dhe vdesin nëse e humbasin.

Po, miqtë e Hyjit kanë mundime në botë që, me qëllim ruajtjen e virtyteve, nuk do të largohen prej tyre deri në fund të jetës. Por unë që kam ngushëllim me bollëk, do t’i ngushëlloj."