Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj se ajo duhet ta ruajë trupin të bukur dhe të panjollë. Ai i krahason të gjitha pjesët e trupit nga ana shpirtërore me dashurinë e përsosur për Hyjin dhe të afërmin, veçanërisht për miqtë e Hyjit. Ai shton se ajo duhet të bëjë shpirtërisht çka feniksi bën fizikisht, pra të mbledhë dru dhe të vetëdigjet.
Libri 4 - Kapitulli 87

Biri i thotë nuses "Të thashë më parë se ti duhet të kesh sy te kthjellët që të shohësh të këqijat që ke bërë dhe të mirat që ke neglizhuar t’i bësh. Goja jote, domethënë mendja jote le të pastrohet nga çdo e keqe. Buzët e saj janë dy dëshirat që ti duhet të kesh: dëshira për të hequr dorë nga gjithçka për hatrin Tim dhe vullneti për të qëndruar me Mua. Këto buzë duhet të jenë të kuqe, pasi e kuqja është ngjyra më e bukur dhe bie në sy nga larg. Ngjyra simbolizon bukurinë dhe gjithë bukuria gjendet tek virtytet pasi Hyjit i pëlqen kur dikush ofron çka ka më për zemër dhe çka është më e dobishme shpirtërisht për të tjerët. Prandaj ose me afeksione ose me vepra, njeriu duhet t’i japë Hyjit atë çka ka më të shtrenjtë. Shkruhet se Hyji u gëzua kur e përfundoi veprën e Tij. Hyji gëzon edhe sa herë dikush i dhuron Atij tërë vetveten me synimin për të jetuar sipas vullnetit të Hyjit si në vuajtje ashtu në gëzim.

Krahët e tu duhet të jenë fleksibël dhe të shkathët për nder të Hyjit. Krahu i majtë simbolizon meditimin mbi favoret të Mia dhe të mirat që kam bërë për ty duke të krijuar dhe shëlbuar, si edhe mbi mosmirënjohjen që ke treguar ndaj Meje. Krahu i djathtë është dashuria aq e flaktë për Mua sa do të pranoje më mirë të të torturonin sesa të më humbisje apo të më zemëroje. Me kënaqësi Unë çlodhem në këto dy krahë dhe zemra jote do të jetë zemra Ime pasi Unë jam zjarr dashurie hyjnore dhe dua që të më duash me pasion aty në krahët e tu. Brinjët që të mbrojnë zemrën janë prindërit e tu – jo prindërit biologjikë por të zgjedhurit e Mi që duhet t’i duash si Mua dhe më tepër se ç’i do prindërit. Ata janë vërtet prindërit e tu pasi të kanë sjellë në jetën e pasosur.

Lëkura e shpirtit duhet të jetë aq e bukur sa mos të ketë as edhe një njollë. Lëkura simbolizon çdo të afërm që, kur e do si vetveten, ti ruan të paprekur dashurinë për Mua dhe dashurinë për shenjtërit e Mi. Por nëse e urren, atëherë zemra jote plagoset dhe brinjët të shkulen, domethënë dashuria për shenjtërit e Mi do të pakësohet në ty. Lëkura jote duhet të jetë pa njollë pasi ti nuk duhet ta urresh të afërmin por ta duash këdo sipas vullnetit të Hyjit, sepse atëherë e gjithë zemra Ime do të jetë me zemrën tënde.

Më parë po të thoja se Unë dua dashuri të zjarrtë pasi jam si zjarr dashurie hyjnore. Zjarri Im ka tre gjëra të mrekullueshme. E para, ai digjet por kurrë nuk ndizet; e dyta, nuk shuhet kurrë; e treta, digjet por nuk konsumohet kurrë. Kështu pra dashuria Ime për njerëzit ekzistonte qysh nga fillimi në natyrën Time hyjnore. Kur mora natyrë njerëzore, ajo digjej edhe më shumë. Digjet kaq fort sa kurrë nuk shuhet por e bën shpirtin më të flaktë pa e konsumuar dhe duke e forcuar gjithnjë e më tepër. Këtë mund ta kuptosh nga shembulli i feniksit. Kur plaket ai mbledh dru lart në mal. Pasi druri merr zjarr nga nxehtësia e diellit, ai hidhet në zjarr dhe kur vdes kthehet në jetë me anë të po atij zjarri. Po ashtu edhe shpirti i ndezur nga zjarri i dashurisë hyjnore del prej tij si feniksi më i mirë e më i fortë se më parë."