Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj se gjithë krijimi është sipas vullnetit të Tij me përjashtim të njerëzve. Thotë edhe se ka tre lloj njerëzish në këtë botë. Ata mund të krahasohen me tre anije që lundrojnë në det, e para prej të cilave has në rrezik dhe mbytet, e dyta lëkundet mes dallgëve, e treta drejtohet mirë.
Libri 4 - Kapitulli 88

Biri thotë: "Unë jam Krijuesi i gjithë shpirtrave të mirë dhe të këqinj. Unë jam edhe sundimtari dhe timonieri i tyre. Gjithashtu Unë jam Krijuesi i të gjitha kafshëve dhe i gjithçkaje që ekziston dhe ka jetë, si edhe gjithçkaje që ekziston dhe nuk ka jetë. Prandaj gjithçka që është në qiell, në tokë apo në det është sipas vullnetit Tim, me përjashtim të njerëzve. Ta dish pra se disa njerëz janë si anije që ka humbur timonin dhe direkun dhe përplaset sa andej këtej mes dallgëve të detit derisa ndeshet me shkëmbinjtë e ishullit të vdekjes. Në këtë anije janë ata që, në dëshpërim, e lëshojnë mendjen në kënaqësi sensuale.

Të tjerët janë si anije që ende e ka direkun dhe timonin si dhe një spirancë me dy kabllo. Por spiranca kryesore është thyer dhe timoni gati copëtohet sa herë që forca e dallgëve përplaset mes anijes dhe timonit. Prandaj duhet patur kujdes sepse, ndërsa timoni dhe anija janë ende të lidhura, ato kanë, si të thuash, ngrohtësi reciproke mes tyre në sajë të kësaj lidhjeje.

Anija e tretë i ka të gjitha kavot dhe pajisjet dhe është gati për lundrim sa herë që vjen koha. Spiranca e parë, spiranca kryesore që përmenda më parë, është disiplina fetare që ulet dhe lehtësohet me durimin dhe zellin e dashurisë hyjnore. Kjo spirancë është dërrmuar pasi çka etërit paracaktuan tani shkelet me këmbë dhe secili e konsideron si pjesë të rregullit fetar gjithçka që i pëlqen. E kështu lëkunden si anije mes dallgësh. Spiranca e dytë që, siç thashë, është ende një cope, është synimi për t’i shërbyer Hyjit. Kjo është e lidhur me dy kavo, konkretisht besimin dhe shpresën pasi ata besojnë që Unë jam Hyj dhe e varin shpresën në vullnetin Tim për t’i shpëtuar. Unë jam timoni i tyre dhe sa kohë jam në anije, dallgët nuk hyjnë në të dhe ekziston një lloj ngrohtësie mes tyre dhe Meje.

Unë mbetem lidhur me anijen e tyre kur ata nuk duan asgjë sa më duan Mua. Unë jam bashkuar me ta me tre gozhdat e frikës hyjnore, përvujtërisë dhe meditimit mbi veprat e Mia. Por nëse duan diçka më tepër se Mua, atëherë hyn uji i shkatërrimit e pastaj tre gozhdat e frikës, përvujtërisë dhe meditimit hyjnor copëtohen, spiranca e vullnetit të mirë shkatërrohet dhe kavot e besimit dhe shpresës këputen. Njerëzit në këto anije janë në gjendje pasigurie të madhe dhe shkojnë drejt vendeve të rrezikshme.
Miqtë e Mi gjenden në anijen e tretë sepse, siç thashë, ajo është gati për udhëtim."