Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj për mënyrën si kalorësi shpirtëror duhet të sillet në luftë, konkretisht të besojë në Hyjin dhe jo në forcat e veta. Ai jep dy lutje të shkurtra që kalorësi duhet t’i thotë çdo ditë. Ai gjithashtu thotë se kalorësi duhet të armatoset me armët shpirtërore të përshkruara këtu.
Libri 4 - Kapitulli 89

Biri thotë: "Kushdo dëshiron të jetë luftëtar duhet të jetë fisnik në shpirt dhe të ngrihet përsëri nëse bie, duke mos besuar në forcën e vet por në mëshirën Time. Ai që nuk beson në mirësinë Time ka mendimet që vijojnë: 'Nëse përpiqem t’i vë fre trupit me agjërim apo duke qëndruar zgjuar, nuk do të jem në gjendje as të qëndroj as ta frenoj veten nga veset, pasi Hyji nuk më ndihmon' – ky person meriton të bjerë.

Prandaj ai që dëshiron të jetë luftëtar shpirtëror më beson Mua dhe ka besim se do të arrijë t’ia dalë mbanë me ndihmën e hirit Tim. Kështu ai duhet të ketë synimin të bëjë mirë dhe ta shmangë të keqen dhe të ngrihet sa herë që bie. Ai duhet të thotë këtë lutje: 'Zot Hyj i Plotfuqishëm, Ti që i udhëheq gjithë shpirtrat drejt së mirës, unë jam mëkatar i larguar prej Teje me veprat e mia të këqija. Të falenderoj që po më kthen në udhën e drejtë dhe të kërkoj, o Jezus Imirë, që të varën në kryq të gjakosur dhe të trishtuar, të kesh mëshirë për mua. Të përgjërohem për pesë plagët e Tua dhe për dhimbjen që të kaloi nga damarët e plasur në zemër. Më ruaj tani që të mos bie në mëkat. Më jep forcë t’u bëj ballë heshtave të armikut dhe ngrihem përsëri burrërisht nëse ndodh që bie në mëkat.'
Përveç kësaj, në mënyrë që luftëtari të jetë në gjendje të këmbëngulë në kryerjen e së mirës, le të lutet në këtë mënyrë: 'O, Zot Hyj, për të cilin asgjë nuk është e pamundur dhe mund të bësh gjithçka, më jep forcë të bëj vepra të mira dhe të jem në gjendje të vazhdoj deri në fund kështu.'

Pasta ai duhet të marrë shpatën në dorë, domethënë duhet të bëjë një rrëfim të mirë që duhet të jetë i llustruar dhe i shndritshëm. Duhet llustruar me një shqyrtim të kujdesshëm të ndërgjegjes në lidhje me si dhe sa dhe ku ka gabuar dhe pse. Duhet të jetë i shndritshëm në kuptimin që ai nuk duhet të ketë turp nga asgjë dhe të mos fshehë asgjë dhe as mos ta përshkruajë mëkatin ndryshe nga ç’e ka kryer në të vërtetë. Kjo shpatë duhet të ketë dy tehe të mprehtë, konkretisht synimin për të mos mëkatuar më dhe synimin për të shlyer mëkatet e kryera. Maja e shpatës duhet të jetë pendesa. Ajo e vret djallin sa herë që njeriu që më parë gjente gëzim në mëkat ndjen pendesë dhe keqardhje që ka ka ndezur zemërimin e Hyjit. Shpata duhet të ketë dorezën e meditimit mbi mëshirën e madhe të Hyjit. Mëshira e Tij është aq e madhe sa nuk ka mëkatar që nuk mund të fitojë falje kur ai e kërkon atë me vullnetin për t’u përmirësuar.

Pra shpata e rrëfimit duhet mbajtur me bindjen se Hyji ka mëshirë për të gjithë. Megjithatë, për të mbrojtur dorën nga tehet, midis tehut dhe dorezës vendoset një copë hekuri. Kapësja nuk e lë shpatën të bjerë nga dora. Po ashtu kush mban shpatën e rrëfimit dhe shpreson në mëshirën e Hyjit për falje dhe pastrim nga mëkati duhet të ketë kujdes që ajo mos t’i bjerë duke e marrë për të mirëqenë faljen e Hyjit. Për ta penguar këtë shërben shuli i frikës së Hyjit që ngulit frikën se mos Hyji e largon hirin dhe zemërohet për shkak të mendjemadhësisë së njeriut. Me qëllim që dora vepruese të mos pritet apo të lëndohet, një copë hekur vendoset mes dorës dhe tehut. Kjo është meditimi mbi mirësinë e Hyjit pasi edde pse drejtësia Ime është kaq e madhe sa nuk lë asgjë pa shqyrtuar apo pa ndëshkuar, prapë Unë jam aq i mëshirshëm dhe i drejtë saqë nuk kërkoj asgjë përtej asaj çka natyra mund të durojë. Gjithashtu Unë fal ndëshkime të mëdha për hatër të një synimi të mirë dhe mëkate të mëdha në sajë të një shlyerje të vogël.

Parzmorja e kalorësit simbolizon abstinencën. Ashtu si parzmorja bëhet me unaza të vogla të lidhura zinxhir, po ashtu abstinenca përbëhet nga shumë virtytre, për shembull, abstinenca nga pamje të pamoralshme apo gjëra që ndikojnë tek shqisat e tjera, abstinence nga grykësia, epshi dhe salltanetet dhe shumë gjëra të tjera që Shën Benedikti i përshkroi si të ndaluara. Njeriu nuk mund ta veshë parzmoren vetë pa ndihmën e një tjetri. Prandaj, Nëna Ime, Virgjëra Mari, duket lutur dhe nderuar, pasi çdo shembull i mirë dhe çdo virtyt gjenden tek ajo. Nëse ajo thërritet me ngulm, ajo do t’i tregojë shpirtit të gjitha llojet e përsosura të abstinencës.

Helmeta simbolizon shpresën e përsosur. Ajo ka dy të hapura, si të thuash, nga të cilat mund të shikojë kalorësi. E hapura e parë është meditimi mbi gjërat që duhen bërë dhe e dyta mbi ato që duhen shmangur. Gjithkush që shpreson tek Hyji duhet të mendojë gjithnjë ç’duhet bërë ose shmangur në përputhje me vullnetin e Hyjit. Mburoja simbolizon durimin me anë të të cilit njeriu mund t’i bëjë ballë me gëzim gjithçkaje që ndodh."