Krishti flet dhe thotë se miqtë e Tij janë si krahu i Tij pasi si doktor i mirë ai heq mishin e kalbur apo elementë të dëmshëm prej tyre dhe vë mish të shëndetshëm duke i shndërruar ata në Veten e Tij.
Libri 4 - Kapitulli 90

Biri thotë: "Miqtë e Mi janë si krahu Im. Krahu ka pesë gjëra: lëkurën, mishin, gjakun, kockat dhe palcën. Unë jam si doktor i mençur që heq gjithë pjesët e padobishme, pastaj bashkon mishin me mishin dhe kockën me kockën dhe më pas vë ilaç shërues.

Kështu i kam trajtuar miqtë e Mi. Së pari hoqa prej tyre gjithë pasionet tokësore dhe dëshirat e paligjshme trupore. Pastaj bashkova palcën Time me palcën e tyre. Ç’është palca Ime përveçse fuqia e hyjnisë Sime? Ashtu si njeriu pa palcë është i vdekur, po ashtu vdes ai që nuk është i bashkuar me hyjninë Time. Unë e bashkoj hyjninë Time me dobësinë e tyre kur ata shijojnë urtinë Time dhe ajo jep fryt në ta, kur shpirti i tyre kupton ç’duhet të bëjë dhe çfarë duhet të shmangë.

Kockat simbolizojnë forcën Time. Unë e bashkoj atë me forcën e tyre kur i bëj të fortë për të bërë mirë. Gjaku simbolizon vullnetin Tim. E bashkoj atë me vullnetin e tyre kur vullneti i tyre përkon me çka Unë dëshiroj dhe kur nuk kërkojnë e as dëshirojnë tjetër gjë veç Meje. Mishi simbolizon durimin Tim të palodhur. Unë e bashkoj atë me durimin e tyre kur janë po aq të durueshëm sa ç’isha Unë kur nuk kisha asnjë vend të shëndoshë nga shputa e këmbës tek maja e kokës. Lëkura simbolizon dashurinë. E bashkoj atë me Mua Veten kur nuk duan asgjë sa Mua dhe kur vullnetarisht dhe me ndihmën Time dëshirojnë të vdesin për Mua”.