Krishti i flet nuses dhe i jep tre rregulla, konkretisht që të mos dëshirojë tjetër përveç ushqimit dhe veshjeve, mos të dëshirojë përfitime shpirtërore përveçse sipas vullnetit të Hyjit dhe të mos trishtohet për asgjë përveç mëkateve të veta dhe të të tjerëve. I thotë edhe se ata që nuk dëgjojnë të kthehen dhe t’i shlyejnë mëkatet me pendesë të rreptë në këtë jetë, do të gjykohen rreptësisht në gjykimin hyjnor.
Libri 4 – Kapitulli 93

Biri thotë: "Po të jap tre rregulla: e para, të mos dëshirosh asgjë përveç ushqimit dhe veshjeve; e dyta, të mos dëshirosh gjëra shpirtërore përveçse sipas vullnetit Tim; e treta, të mos të të vijë keq për asgjë përveçse për mëkatet e tua dhe të të tjerëve. Nëse të vjen keq, sill ndërmend gjykimin Tim të rreptë të cilit duhet t’i trembesh dhe mendo për kë tashmë është gjykuar. Ai hyri në manastir me tre synime në mendje. Nuk donte të punonte dhe nuk donte që të shqetësohej për ushqimin. Në radhë të tretë, ai mendoi me vete si vijon: 'Nëse më pushton tundimi i mishit, do të jem në gjendje në një farë mënyre t’i shpëtoj pa marrëdhënie fizike.' Për gjithë këtë ai vuante në tre mënyra. Meqenëse nuk donte të punonte, ai u detyrua të punonte me kërcënime dhe goditje. Për synimin e dytë ai vuajti lakuriqësinë dhe mungesën e ushqimit. E treat, ai u përçmua nga të gjithë aq shumë sa nuk ishte në gjendje të përjetonte asnjë kënaqësi në sensulitetin e vet.

Kur erdhi koha të bënte premtimin, ai mendoi me vete kështu: 'Meqenëse nuk mund të jetoj në botë pa punuar, më leverdis të jetoj në manastir dhe të punoj për Hyjin.' Për shkak të vullnetit të tij bashkëpunues, mëshira dhe drejtësia Ime erdhën tek ai për ta pastruar dhe për ta sjellë në lavdinë Time të pasosur. Pasi bëri premtimin, ai u godit nga një sëmundje e rëndë dhe vuajti aq shumë sa i ikën sytë nga dhimbja, veshët nuk mund t’i dëgjonin gjë dhe s’kishte gjymtyrë që nuk i dhimbte, dhe gjithë kjo ngaqë nuk kish dashur të punonte. Vuajti lakuriqësi më të madhe se ajo që kish vuajtur në botë. Kur kishte ushqime të mira, nuk mund t’i hante. Kur kishe uri, nuk i kishte. Ishte aq i dërrmuar fizikisht përpara se të vdiste sa dukej si i mbaruar.

Kur vdiq ai erdhi si hajdut në gjykim pasi kish dashur të jetonte jetë rregulltare sipas dëshirave të veta dhe jo për t’u përmirësuar. Por prapë nuk e meritonte të dënohej si hajdut pasi edhe pse ishte si fëmi dhe i cekët në arësyetim dhe ndërgjegje, prapë ai kishte besim dhe shpresë në Mua, Hyjin e tij, prandaj u gjykua me mëshirë. Meqenëse mëkati i tij nuk mund të pastrohej plotësisht me ndëshkim fizik, shpirti i tij po ndëshkohet tani rreptësisht në purgatory, është sikur t’i jetë rrjepur lëkura dhe kockat t’i jenë futur në mulli për t’i nxjerrë sa më mirë palcën.

Sa do të vuajnë ata njerëz që e kanë kaluar gjithë jetën në mëkat dhe kurrë nuk bënë apo dëshiruan gjë tjetër! Mjerë ata, sepse ata më thonë: 'Përse vdiq Hyji apo ç’dobi kish vdekja e Tij?' Kështu ma shpërblejnë Mua që i shëlbova dhe u dhashë shëndet dhe gjithçka u nevojitet. Prandaj do t’u kërkoj llogari pasi nuk e kanë ruajtur fenë që më premtuan në pagëzim dhe sepse veprojnë keq çdo ditë dhe i përqeshin urdhëresat e Mia. Nuk do të lë pa ndëshkuar as edhe më të voglën neglizhencë që kanë treguar në detyrat e tyre fetare."

SQARIM
Ky vëlla kish një mëkat të fshehtë dhe kurrë nuk kish dëshiruar ta rrëfente. Me urdhër të Krishtit, Zonja Brixhidë shkoi tek ai dhe i tha: "Shqyrtoje veten më me kujdes pasi ka diçka të fshehur në zemrën tënde dhe po nuk e the nuk do të vdesësh dot." Ai iu përgjigj se nuk kishte asgjë që të mos e kishte thënë në rrëfim. Por ajo tha: "Sill ndërmend arësyen pse hyre në manastir dhe me ç’synim ke jetuar deri tani dhe do ta gjesh të vërtetën në zemër."

Pastaj ai shpërtheu në lotë dhe tha: "Qoftë bekuar Hyji që të dërgoi tek unë! Tani që fole për të fshehtën time, dëshiroj t’u them të vërtetën atyre që po dëgjojnë. Kam diçka që ndryej në zemër që kurrë nuk kam guxuar ta nxjerr. Sa herë që pendohesha në rrëfim për mëkatet e tjera të mia, gjuha më lidhej gjithmonë në lidhje me këtë. Më kapte një ndjenjë turpi shumë e madhe dhe nuk arrija ta rrëfeja pengun e fshehtë të zemrës sime. Sa herë që bëja rrëfim të zemrës, shpikja ndonjë fjali të re përmbyllëse. Thoja: 'Atë, e rrëfej fajin tim për të gjitha mëkatet që thashë, madje dhe për çdo mëkat tjetër që nuk kam përmendur.' Mendoja që në këtë mënyrë të gjitha mëkatet e mia të fshehta do të faleshin. Por tani, Zonja ime, në do Hyji, jam gati t’i tregoj botës mbarë gjithçka kam fshehur në zemër për kaq kohë."
U thirr një rrëfyes dhe ai me lotë në sy rrëfu të gjitha mëkatet e tij. Vdiq po atë natë.