Krishti i tregon nuses ç’lloj armësh kanë të ligjtë. Ai i shpjegon asaj që nëse ata mburren me mëkatin e tyre me synimin për të qëndruar në të, ata do të zhbihen nga shpata e tmerrshme e gjykimit të rreptë të Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 95

Biri thotë: "Unë qëndroj këtu si mbret që e sfidojnë të shkojë në betejë. Djalli më qëndron përballë me ushtrinë e vet. Në të vërtetë, synimi dhe qëllimi Im i papërkulur është i tillë sa më parë do të zhdukeshin qielli dhe toka dhe gjithçka është në to se Unë të shmangem qoftë edhe fare pak nga drejtësia. Kurse synimi i djallit është i tillë sa do të dontë të vuante aq ferre sa janë atomet në diell sesa ta përvujtërojë veten. Disa prej armiqve tashmë i janë afruar gjykimit Tim dhe nuk na ndan më tepër se një distancë prej dy pëllëmbësh. Flamurin e kanë ngritur, mburojën në krah, dorën tek shpata, por ende nuk e kanë nxjerrë. Durimi Im është aq i madh sa nuk do t’i godas po nuk goditën ata të parët.

Flamuri i armikut tregon tre gjëra: grykësi, lakmi, epsh. Për helmetë kanë ngurtësinë e zemrës pasi nuk duan t’ia dinë për vuajtjet e ferrit dhe as sa i neveritshëm është mëkati për Mua. Pjesët e hapura të helmetës janë epshi trupor dhe dëshira për t’i pëlqyer botës. Nëpërmjet tyre ata shkojnë gjithandej dhe shohin gjëra që nuk duhen parë. Për mburojë kanë pandershmërinë me të cilën i justifikojnë mëkatet dhe ia hedhin fajin për to dobësisë së mishit. E kështu nuk e kanë për gjë të kërkojnë falje për mëkatet. Për shpatë kanë synimin për të qëndruar në mëkat. Nuk e kanë nxjerrë ende sepse ligësia e tyre ende nuk është realizuar.

Shpatën e nxjerrin sa herë që dëshirojnë të mëkatojnë sa janë gjallë. Ata godasin sa herë që mburren kur mëkatojnë dhe dëshirojnë të qëndrojnë në mëkat. Kur ligësia e tyre ta mbushë kupën, atëherë një zë nga ushtria Ime do të thërrasë dhe thotë: 'Godit tani!' pastaj shpata e rreptësisë Sime do t’i shfarosë dhe secili do të vuajë në përpjestim me armatimet e tij. Shpirtrat e tyre do të rrëmbehen nga djajtë që janë si shpendë grabitqarë dhe nuk kërkojnë përfitime kalimtare por vetëm shpirtra që mund t’i bëjnë pafund copë e çikë."