Krishti i flet nuses për një prelat. Ai i thotë asaj se një shpirt i devotshëm që e humbet nxehtësinë e devotshmërisë dhe të meditimit të shenjtë për shkak të krenarisë dhe ambicjes dhe përzierjes në punët e botës, mund ta rifitojnë ngrohtësinë dhe dritën hyjnore dhe të përjetojë ëmbëlsinë hyjnore duke e përvujtëruar veten përsosshmërisht para Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 97

Biri me anë të nuses i flet një prelati dhe i thotë: "Ti je si rrotë mulliri e palëvizshme. Kur ajo qëndron në vend dhe nuk lëviz, atëherë gruri nuk bluhet në mulli. Kjo rrotë simbolizon vullnetin tënd. Ajo duhet të lëvizë jo me anë të vullnetit tënd por Timit dhe ti duhet ta lëshosh veten krejtësisht në duart e Mia. Por kjo rrotë nuk vihet në lëvizje nga vullneti Im pasi uji i interesave tokësore po e shqetëson shumë mendjen tënde. Soditja e veprave dhe vuajtjeve të Mia gati ka vdekur në zemrën tënde dhe prandaj nuk e ndjen apo shijon ushqimin e shpirtit.

Pra hiqe pengesën që e bllokon kalimin e ujit! Le të rrjedhe uji që ta rrotullojë rrotën dhe ta vërë përsëri në lëvizje që gruri të bluhet lehtësisht. Pengesa që e bllokon ujin është krenaria e mendjes dhe ambicja. Këto e bllokojnë hirin e Shpirtit Shenjt dhe i pengojnë të gjitha frytet e mira që duhet të prodhojë shpirti. Prano në mendje përvujtërinë e vërtetë nëpërmjet së cilës ëmbëlsia e Shpirtit Tim do të rrjedhë në shpirtin tënd dhe uji do t’i marrë me vete interesat tokësore. Përvujtëria do të të bëjë përsosshmërisht të lëvizshëm sipas vullnetit Tim e pastaj do të fillosh t’i konsiderosh vepra e tua si kokrra gruri dhe veprat e Mia të mëdha.

Ç’është përvujtëria e vërtetë? Është mosmerakosja për opinionin e mirë apo të keq që njerëzit kanë për ty. Është të ecësh në udhën Time të harruar dhe të lënë pas dore e të mos kërkosh të mira të tepërta por të kënaqesh me gjëra të thjeshta. Nëse e do këtë udhë, atëherë do të të pëlqejë jeta shpirtërore. Atëherë mundimet dhe udha e shenjtërve të Mi do t’i duken të ëmbla mendjes sate dhe do ta kuptosh sa shumë u detyrohesh shpirtrave që ke marrë përsipër t’i udhëheqësh.

Tani që jë ngjitur në majë të rrotës me dy këmbët e pushtetit dhe nderit, je bërë lakmitar për shkak të pushtetit dhe krenar për shkak të nderit. Prandaj zbrit duke e përvujtëruar veten dhe duke u kërkuar të përvuajturve të luten për ty. Patjetër që do të dërgoj mbi ty rrymën e rrëmbyer të drejtësisë Sime e do të të kërkoj llogari edhe për qindarkën më të fundit, përfshirë afeksionet e tua, mendimet, fjalët dhe veprat. Do të të kërkoj llogari edhe për shpirtrat që i kam lënë nën kujdesin tënd, ata që Unë vetë i kam shëlbuar me gjakun Tim."