Paralajmërime dhe instruksione për ipeshkvin në lidhje me ushqimin, veshjen dhe lutjen. Si duhet të sillet ai përpara ngrënies, gjatë ngrënies dhe pas ngrënies. Rreth gjumit dhe kryerjes së detyrave ipeshkvnore.
Libri 3 - Kapitulli 1

Jezu Krishti, Hyj dhe njeri, i cili erdhi në tokë për të marrë natyrë njerëzore dhe për të shpëtuar shpirtrat me gjakun e Tij, që tregoi rrugën e vërtetë për në qiell e i hapi dyert e tij, Ai vetë më ka dërguar tek ju të gjithë. Dëgjo, bijë, ti që të është dhënë mundësia të dëgjosh të vërteta shpirtërore. Nëse ky ipeshkëv synon të ecë në udhën e ngushtë të cilës i futen pak vetë dhe të jetë njëri prej këtyre të paktëve, së pari le të çlirohet nga barra që e rëndon – domethënë nga dëshirat tokësore – e bota t’i shërbejë vetëm për të plotësuar nevojat modeste të një ipeshkvi. Kështu bëri Mateu kur e thirri Hyji.

I çliruar nga barra e rëndë e botës, ai gjeti një barrë të lehtë. Në radhë të dytë, për t’u shprehur me fjalët e Shkrimit, ipeshkvi duhet ngjeshet për udhëtim. Tobiasi u bë gati të udhëtonte kur pa engjëllin të ngjeshur para tij. Ç’kuptim ka të thuash që engjëlli ishte ngjeshur? Do të thotë që çdo ipeshkëv duhet të ngjeshë brezin e drejtësisë dhe të dashurisë hyjnore, i gatshëm të ecë në të njëtën udhë ku eci Ai që tha: 'Unë jam bariu i mirë dhe e jap jetën për delet e Mia.' Ai duhet të jetë gati të thotë të vërtetën në fjalët e tij, i gatshëm të zbatojë drejtësi në veprat e veta ndaj vetes dhe të tjerëve, pa e nëpërkëmbur drejtësinë prej kërcënimeve, romuzeve apo miqësive të rreme ose frikës së kotë. Atij ipeshkvi që ngjeshet kështu do t’i vijë Tobiasi, domethënë të drejtët, dhe do të ndjekin udhën e tij.

Në radhë të tretë, ai duhet të ushqehet me bukë dhe ujë përpara se të niset për udhë, ashtu siç lexojmë për Elinë që, kur u ngrit nga gjumi, gjeti bukë dhe ujë tek koka. Ç’është kjo bukë që iu dha profetit në mos të mirat materiale dhe shpirtërore që mori dhuratë? Sepse buka materiale iu dha në shkretëtirë si mësim. Edhe pse Hyji mund ta kish mbajtur në jetë profetin pa ushqim material, Ai deshi që të përgatitej bukë materiale për të që njerëzit ta kuptojnë se Hyji dëshiron që ata t’i përdorin dhuratat e Hyjit me maturi, në të mirë të trupit. Gjithashtu, Shpirti e frymëzoi profetin kur ai udhëtoi dyzet ditë me fuqinë e marrë nga ai ushqim. Pa këtë frymëzim, ai me siguri do ta kishte lëshuar veten gjatë mundimeve të atyre dyzet ditëve, pasi në vetvete ishte i dobët, por tek Hyji gjeti forcën për ta përfunduar udhëtimin.

Prandaj, duke qenë se njeriu jeton nga çdo fjalë e Hyjit, ne i bëjmë thirrje ipeshkvit ta marrë kafshatën e bukës, domethënë ta dojë Hyjin mbi gjithçka. Ai do ta gjejë këtë kafshatë tek koka në kuptimin që arësyeja i tregon se Hyji duhet dashur mbi gjithçka dhe para gjithçkaje, qoftë për shkak të krijimit dhe shëlbimit, qoftë për durimin dhe mirësinë e Tij. E këshillojmë gjithashtu që të pijë pak ujë, domethënë të mendojë me vete rreth pasionit të mundimshëm të Krishtit. Kush është aq i denjë sa të arrijë të meditojë mbi agoninë e natyrës njerëzore të Krishtit, agoni që Ai e vuajti në momentin kur u lut që kelku i pasionit të largohej prej Tij dhe kur pikat e gjakut i kullonin në tokë? Ipeshkvi duhet ta pijë këtë ujë bashkë me bukën e dashurisë dhe do të marrë forcë për të udhëtuar në udhën e Jezusit.
Pasi ipeshkvi t’i jetë futur rrugës së shpëtimit, nëse dëshiron të bëjë përparim të mëtejshëm, ai duhet ta falenderojë Hyjin me gjithë zemër qysh nga ora e parë e ditës, t’i shqyrtojë me kujdes veprat e veta dhe t’i kërkojë Hyjit që ta ndihmojë për të kryer vullnetin e Tij.

Pastaj, ndërsa vishet, ai duhet të lutet në këtë mënyrë: 'Hiri duhet të rrijë me hirin dhe pluhuri me pluhurin. Megjithatë, duke qenë se jam ipeshkëv prej provanisë së Hyjit, po të mbështjell me këto veshje prej pluhuri toke, trupi im, jo pse janë të bukura apo për t’u krekosur, por për të fshehur lakuriqësinë tënde. E as që dua t’ia di për cilësinë e veshjeve të tua, por vetëm dua që petku i ipeshkvit të nderohet për respekt ndaj Hyjit e prej këtij petku të pranohet autoriteti i ipeshkvit për të korigjuar dhe mësuar të tjerët. Prandaj, o Hyj i mirë, të lutem të më japësh qëndrueshmëri mendore që të mos krenohem për hirin dhe pluhurin tim të çmuar dhe as që marrëzisht të më rritet mendja për ngjyrat e pluhurit. Më jep forcë që ashtu si petku i ipeshkvit është më i nderuar dhe i respektuar se ai i të tjerëve për shkak të autoritetit hyjnor, po ashtu petku i shpirtit tim të jetë i pranueshëm para Hyjit e të mos përfundoj poshtë e më poshtë për shkak të autoritetit të ushtruar padenjësisht e të mos më mbulojë turpi i mallkimit për shkak të çnderimit të petkut tim të nderuar.'

Pas kësaj ai duhet të lexojë apo të këndojë orët. Sa më i lartë rangu ku ngrihet njeriu, aq më shumë lavdi ai duhet t’i japë Hyjit. Megjithatë, zemra e pastër i pëlqen Hyjit edhe kur hesht e nuk mund të këndojë për shkak të angazhimit në detyra të tjera të drejta dhe të dobishme. Pas mbajtjes së Meshës, ipeshkvi duhet të përmbushë detyrat e veta ipeshkvnore, duke patur kujdes të madh që të mos u përkushtohet gjërave materiale më tepër se atyre shpirtërore. Kur ulet për të ngrënë, mendimi i tij duhet të jetë: 'O Zot Jezu Krisht, Ti që urdhëron që trupi të mbahet gjallë me ushqim material, më ndihmo t’i jap trupit aq sa i i nevojitet që ai të mos i kundërvihet paturpësisht shpirtit prej ushqimit të tepruar e as të mos plogështohet në shërbimin Tënd për shkak ushqimit të pamjaftueshëm.

Më ndihmo ta kontrolloj veten në mënyrë që kur ky njeri prej balte ushqehet me gjërat e tokës, Hyji i tokës të mos zemërohet nga krijesa e Tij prej balte.' Në tryezë ipeshkvit i lejohet të argëtohet me biseda ku nuk fliten kotësira dhe as fjalë që mund t’i shtyjnë dëgjuesit në mëkat. Duhen folur vetëm gjëra të dobishme.

Kur tryezës materiale i mungon buka dhe vera, çdo gjë e humbet shijen; po ashtu, kur tryezës ipeshkvnore dhe shpirtërore i mungon doktrina e drejtë dhe nxitja për të vepruar mirë, shpirti nuk i shijon gjërat e shtruara në të. Prandaj për të shmangur kotësirat, gjatë kohës së ngrënies duhet lexuar ose recituar ndonjë gjë me dobi për të pranishmit. Pas ngrënies dhe pasi të jetë falenderuar Hyji, ipeshkvi duhet të planifikojë ç’të bëjë ose të lexojë libra që e ndihmojnë të përsoset shpirtërisht. Por pas ngrënies ai mund edhe të qëndrojë me miqtë e shtëpisë. Por ashtu si një nënë i ngjyen thithkat me hi apo ndonjë lëndë të hidhur për ta çmësuar foshnjën me qumështin e për ta mësuar me ushqime të forta, po ashtu ipeshkvi duhet t’i afrojë miqtë e vet më afër Hyjit me biseda që ngulitin frikën nga Hyji dhe dashurinë për Të, duke u bërë kështu për ta jo vetëm atë në sajë të autoritetit hyjnor, por edhe nënë në sajë të formimit shpirtëror që u jep atyre.

Nëse ai është në dijeni që ndokush në shtëpinë e tij është në mëkat mortor dhe nuk është penduar pavarësisht nga paralajmërimet, atëherë ai duhet të ndahet prej tij. Nëse e mban afër për interes, ai nuk do të ketë imunitet nga mëkati i tjetrit. Kur të shkojë në shtrat, duhet të shqyrtojë me kujdes veprat dhe përshtypjet e ditës, duke bluar këto mendime: 'O Hyj, Krijues i trupit dhe shpirtit tim, shikomë në mëshirën Tënde.

Më jep hir që të mos e humbas zellin në shërbimin Tënd nga gjumi i tepruar e as të mos lodhem duke të shërbyer për shkak të gjumit të pamjaftuëshem, por dhuromë, për lavdinë Tënde, aq gjumë sa i nevojitet trupit për t’u ripërtërirë. Më jep forcë që armiku im, djalli, të mos më shqetësojë e të mos më largojë nga mirësia Jote.' Kur zgjohet e ngrihet nga shtrati, ai duhet të lahet me rrëfim nëse është njollosur, në mënyrë që gjumi i natës që vjen të mos nisë me mëkatet e natës së kaluar."