Virgjëra e siguron nuses rreth fjalëve që ajo dëgjon. Për rrezikun dhe rrënimin që i kanoset kishës dhe si fatkeqësisht shumë mbikqyrës të kishës u përkushtohen qejfeve duke shpërdoruar të mirat e kishës në krenarinë e tyre. Për zemërimin e Hyjit ndaj njerëzve të tillë.
Libri 3 - Kapitulli 10

Nëna flet: "Mos u frikëso nga çfarë do të shohësh tani, duke menduar se vjen nga shpirti i keq. Ashtu si drita dhe nxehtësia shoqërojnë lindjen e diellit dhe jo një hije të errët, po ashtu dy gjëra e shoqërojnë ardhjen e Shpirtit Shenjt në zemër: dashuri e zjarrtë për Hyjin dhe fe e palëkundur. Ti po i përjeton këto dy gjëra tani. Këto të dyja nuk vërehen kur vjen djalli të cilin ne e krahasojmë me një hije të errët. Prandaj dërgoja mesazherin tim atij që të përmenda. Edhe pse e njoh zemrën e tij dhe e di si do të përgjigjet dhe se jeta e tij do të mbarojë shpejt, prapë duhet t’i përcjellësh mesazhin që vijon.

Do të doja që ta dinte se themeli i kishës së shenjtë është katandisur aq keq në të djathtë saqë kupola ka pësuar të çara në majë dhe kjo bën që gurët të bien rrezikshëm duke u marrë jetën shumë prej atyre që kalojnë poshtë. Disa prej kollonave, që duhet të qëndrojnë drejt, gati janë rrënuar fare dhe dyshemeja është gjithë të krisura saqë të verbërit që hyjnë rrëzohen keq. Ndonjëherë ndodh që bashkë me të verbërit bien keq edhe ata që shikojnë mire, për shkak të të çarave të rrezikshme në dysheme. Për pasojë Kisha e Hyjit po lëkundet rrezikshëm dhe, nëse po lëkundet kaq keq, ç’mund të ndodhë më pas përveç shembjes së saj?

Të siguroj se nëse nuk ndihmohet me riparime, rrënimi i saj do të jetë aq i zhurmshëm sa do të merret vesh anembanë botës së krishterë.
Unë jam Virgjëra në krahërorin e së cilës denjoi të hyjë Biri i Hyjit, pa më të voglën gjurmë epshi trupor. Biri i Hyjit lindi nga krahërori im i mbyllur duke më dhënë ngushëllim dhe aspak dhimbje. Unë qëndrova pranë kryqit kur ai ngadhnjeu mbi ferrin duke duruar vuajtjet dhe e hapi qiellin me gjakun e zemrës së Tij. Unë isha edhe në mal kur Biri i Hyjit, që është edhe Biri im, u ngjit në qiell. Unë e njoh shumë mirë fenë katolike që Ai predikoi dhe i mësoi kujtdo që dëshironte të shkonte në qiell.

Unë jam po ajo grua e atëhershme dhe tani nga lart kujdesem për botën duke u lutur për të vazhdimisht, si ylberi mbi re që duket sikur përkulet drejt tokës dhe e takon me dy skajet e veta. Në sajë të lutjeve të mia e shoh veten si ylber që përkulet si drejt banorëve të mirë të tokës ashtu edhe drejt të këqinjve. Përkulem drejt të mirëve për t’i forcuar në zbatimin e urdhëresave të kishës së shenjtë dhe përkulem drejt të këqinjve që ata të mos i shtojnë të pabërat e të përkeqësohen. Do të doja që personi që të përmenda ta dinte se re të fëlliqura dhe të tmerrshme janë duke u ngritur nga një anë kundër ylberit vezullues. Me këto re unë nënkuptoj ata që jetojnë të zhytur në qejfe, ata që janë të pangopur si honet oqeanike në lakminë e tyre për para dhe ata që, me arrogancë dhe pa reflektuar, i shpenzojnë të mirat e tyre kot si ujë që rrjedh nga një përrua i rrëmbyer.

Shumë nga mbikqyrësit e kishës janë fajtorë për këto tre gjëra dhe mëkatet e tyre të llahtarshme ngrihen në qiell para Hyjit duke iu kundërvënë lutjeve të mia ashtu si retë e fëlliqura i kundërvihen ylberit vezullues. Në vend që ta fashitin zemërimin e Hyjit bashkë me mua, ata e ndezin zemërimin e Tij ndaj tyre. Njerëz të tillë nuk duhet të promuovohen në Kishën e Hyjit. Unë, Mbretëresha e Qiellit, do të vij në ndihmë të çdokujt që, duke i njohur kufizimet e veta, është gati të marrë përsipër detyrën e forcimit të themelit të kishës dhe rigjallërimin e vreshtës së bekuar që Hyji e themeloi me gjakun e Vet dhe së bashku me engjëjt unë do t’i shkul rrënjët e harlisura dhe do t’i hedh pemët pa fryt në zjarr dhe do të mbjell filiza të frytshëm në vend të tyre. Me këtë vreshtë unë nënkuptoj kishën e Hyjit ku duhen rigjallëruar dy virtytet e përvujtërisë dhe dashurisë hyjnore."

SHTOJCË
Biri i Hyjit flet për nunciot papnorë: "Ju keni hyrë në shoqërinë e sundimtarëve dhe do të ngriheni edhe më tepër. I denjë është ai që punon për të lartësuar përvujtërinë, pasi krenaria tani është ngritur shumë lart. Ai që ka dashuri për shpirtrat do të marrë edhe nderet më të mëdha, pasi ambicja dhe simonia mbizotërojnë mes shumë njerëzve. Lum ai që përpiqet të shkulë aq sa mundet veset e botës, pasi vesi tani është fuqizuar jashtëzakonisht.
Është gjithashtu shumë efikase që të bëhet durim dhe të thuhen lutje sepse, gjatë jetës së shumë prej atyre që tani janë gjallë, dielli do të çahet më dysh, yjet do të bëhen rrëmujë, urtia do të bëhet e marrë, njerëzit e thjeshtë do të rënkojnë dhe të fortët do të sundojnë. Kuptimi dhe interpretimi i këtyre gjërave u përket të urtëve që dinë si ta lëmojnë të ashprën dhe të kujdesen për të ardhmen." Zbulesa e mësipërme ishte për kardinalin e Albanos që atëherë ishte prior.