Biri i shpjegon nuses se mallkimi i shpirtrave nuk i pëlqen Hyjit. Pyetje mbresëlënëse që një ipeshkëv më i ri i bën një ipeshkvi më të vjetër dhe përgjigjet që më i vjetri i jep më të riut.
Libri 3 - Kapitulli 16

Biri i flet nuses dhe thotë: "Pse mendon se po të tregohen këta dy njerëz? Mos vallë sepse Hyjit i pëlqen t’i censurojë dhe dënojë? Absolutisht jo. Jo, kjo bëhet për të vënë më në pah durimin dhe lavdinë e Hyjit dhe që ata që e marrin vesh t’i tremben gjykimit të Hyjit. Tani eja e dëgjo një bisedë që do të të lërë pa mend. Shiko atje, ipeshkvi më i ri i ka bërë më të vjetrit një pyetje duke thënë: 'Vëlla, dëgjo dhe m’u përgjigj. Dikur u lidhur pas zgjedhës së bindjes, përse ke hequr dorë prej saj tani? Dikur zgjodhe varfërinë dhe jetën rregulltare, përse i ke braktisur? Dikur hyre në jetën rregulltare dhe i ktheve shpinën botës, përse kërkove të bëhesh ipeshkëv?' I vjetri u përgjigj: 'Bindjen, që më bënte të sillesha si vartës, nuk e duroja dot. Prandaj zgjodha lirinë. Zgjedha që Hyji thotë se është e këndshme, ishte e hidhur për mua.

Prandaj kërkova dhe zgjodha komoditetin. Përvujtëria ime ishte shtirje. Prandaj digjesha për ndere. Dhe meqenëse është më mirë të shtysh se të tërheqësh, dëshirova të bëhem ipeshkëv.' Më i riu pyeti përsëri: 'Pse nuk e nderova ofiqin tënd ipeshkvnor duke i dhënë nder tokësor? Pse nuk fitove pasuri me anë të urtisë së shekullit? Pse nuk i shpenzove të mirat e tua sipas kërkesave të shekullit? Pse u përvujtërove së jashtmi dhe nuk u solle sipas ambicjeve tokësore?'

Më i vjetri iu përgjigj: 'Arësyeja pse nuk u mbulova me ndere tokësore ishte sepse shpresoja të nderohesha shumë më tepër duke u u hequr si i përvuajtur dhe i përshpirtshëm sesa botëdashës. Prandaj, që të lëvdohesha nga njerëzit e shekullit, hiqesha sikur përbuzja gjithçka; hiqesha si i përvuajtur dhe i përshpirtshëm që të fitoja simpatinë e njerëzve të përshpirtshëm. Arësyeja pse nuk fitova pasuri me anë të urtisë tokësore ishte që njerëzit e përshpirtshëm të mos ta shihnin dhe të më përbuznin për shekullaritetin tim. Arësyeja pse nuk isha dorëlëshuar me dhurata ishte se preferoja të kisha pak miq dhe jo shumë për hir të rehatisë personale. Preferoja më mirë ta kisha kuletën plot sesa të jepja dhurata.'

Prapë më i riu pyeti: 'Thuamë, pse i dhe gomarit të pijë pije të këndshme dhe të ëmbël me enë të pisët? Pse u dhe ipeshkvinjve lëvozhga nga stalla e derrave? Pse e shkele kurorën tënde me këmbë? Pse e pështyve grurin dhe përtype egjra? Pse i zgjidhe të tjerët nga zinxhirët dhe vetë u lidhe me pranga? Pse i mjekon me ilaçe plagët e të tjerëve ndërsa të tuave u vë helm?' Më i vjetri u përgjigj: 'I dhashë pije të ëmbël gomarit tim me enë të neveritshme dhe të pisët në kuptimin që edhe pse studiues, unë preferova t’u përkushtohem sakramenteve të altarit për hir të reputacionit tokësor dhe jo të merresha me problemet e përditshme. Meqenëse sekretet e mia njerëzit nuk i dinin por Hyji i dinte, m’u rrit mendja dhe kështu meritova ndëshkim edhe më të tmerrshëm.

Pyetjes së dytë i përgjigjem se i dhashë ipeshkvit lëvozhga nga stalla e derrave në kuptimin që ndiqja instiktet e natyrës dhe nuk vetëpërmbahesha. Përsa i përket pyetjes së tretë, e shkela kurorën time ipeshkvnore në kuptimin që preferoja t’i bëja veprat e mëshirës për të fituar simpatinë e njerëzve sesa si akte drejtësie për lavdinë dhe dashurinë e Hyjit.

Sa për pyetjen e katërt, pështyva grurin dhe përtypa kashtën në kuptimin që nuk predikoja fjalët e Hyjit nga dashuria për Hyjin dhe as nuk më pëlqente të bëja gjërat që u këshilloja të tjerëve. Sa për pyetjen e pestë, i çlirova të tjerët por lidha veten në kuptimin që u jepja faljen e mëkateve atyre që vinin tek unë me pendesë, por vetë më pëlqente të bëja gjërat për të cilat ata rrëfeshim me lotë dhe bënin pendesë. Sa për pyetjen e gjashtë, i lyeja të tjerët me pomadë shëruese por vetë lyhesha me helm në kuptimin që ndërsa predikoja pastërtinë e jetës dhe i përmirësoja të tjerët, vetë përkeqësohesha. Caktoja norma për të tjerët por vetë nuk lëvizja as edhe një gisht për t’i zbatuar ato. Ku shihja të tjerët të bënin përparim, aty dështoja vetë, pasi preferoja t’i rëndoja mëkatet e kryera dhe jo ta lehtësoja peshën e tyre duke bërë pendesë.'

Pas kësaj u dëgjua një zë që tha: Falenderoje Hyjin që ti nuk je mes këtyre enëve helmuese që kur thyhen kthehen tek helmi.' Menjëherë u shpall vdekja e njërit prej tyre."