Hyji Atë i dëgjon lutjet e nuses për mëkatarët. Për tre dëshmitarët në tokë dhe tre dëshmitarët në qiell. Trinia e shenjtë dëshmon për nusen, ajo është nusja e Tij në sajë të fesë si të gjithë ata që ndjekin fenë ortodokse të kishës së shenjtë.
Libri 3 - Kapitulli 23

O i tejet ëmbli Hyj, unë lutem për mëkatarët radhëve të të cilëve u përkas, që të denjosh të kesh mëshirë për ta." Hyji Atë u përgjigj: "E dëgjoj dhe e di synimin tënd, prandaj lutja jote e përzemërt do të plotësohet. Siç thotë Gjoni në letrën e sotme, ose më mirë siç them Unë nëpërmjet Gjonit: 'Ka tre dëshmitarë mbi tokë, Shpirti, uji dhe gjaku, dhe tre në qiell, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt dhe këta të tre janë dëshmitarët e tu. Shpirti, që të mbrojti në krahërorin e nënës, dëshmon për shpirtin tënd se ai i përket Hyjit në sajë të besimit të marrë në pagëzim e që prindërit e tu e shpallën në vendin tënd.

Uji pagëzimor dëshmon se ti je bijë e natyrës njerëzore të Krishtit në sajë të ripërtëritjes dhe shërimit nga mëkati i rrjedhshëm. Gjaku i Jezu Krishtit që të shëlboi dëshmon se ti je bija e Hyjit dhe e çliruar nga kthetrat e djallit në sajë të sakramenteve të kishës. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, tre Persona por një në substancë dhe pushtet, dëshmojnë se ti je e jona në sajë të fesë, ashtu siç janë të gjithë ata që ndjekin fenë ortodokse të kishës së shenjtë. Dhe që të dëshmosh se ti dëshiron të bësh vullnetin Tonë, shko të marrësh trupin dhe gjakun e natyrës njerëzore të Krishtit nga dora e priftit në mënyrë që im Bir të mund të dëshmojë se ti i përket Atij trupin e të Cilit ti merr për të forcuar shpirtin. Ati, që është në Birin, dëshmon se ti i përket Atit dhe Birit. Shpirti Shenjt, që është në Atin dhe Birin, dhe Shpirti është në të Dy, dëshmon se me anë të fesë dhe dashurisë së vërtetë, ti i përket të Tre Personave që janë një Hyj."