Lutjeve të nuses për të pafetë, Jezu Krishti i përgjigjet se Hyji përlëvdohet nga ligësia e të ligëve edhe pse ata nuk e dëshirojnë këtë; këtë e ilustron me anë të një alegorie ku një vajzë përfaqëson kishën ose shpirtin dhe nëntë vëllezërit e saj përfaqësojnë nëntë koret e engjëjve, mbreti përfaqëson Krishtin, ndërsa tre djemtë e tij përfaqësojnë tre gjendjet e njerëzve.
Libri 3 – Kapitulli 24

O Zoti im Jezu Krisht, lutem që feja jote të përhapet mes të pafeve dhe që të mirët të ndizen edhe më shumë nga dashuria për Ty e që të këqinjtë të bëjnë kthesë." Biri u përgjigj: "Ti je e trishtuar sepse Hyjit i jepet pak nder dhe me gjithë zemër dëshiron që Hyji të nderohet përsosshmërisht. Po të them një alegori që do të të ndihmojë ta kuptosh nderin që merr Hyji edhe nga ligësia e të ligëve, edhe pse ata nuk e dëshirojnë këtë. Na ishte jëherë një vajzë e urtë dhe e bukur, e pasur dhe e virtytshme. Ajo kishte nëntë vëllezër e secili e kishte shpirt dhe zemër saqë mund të thuash se zemra e secilit ishte brenda saj. Në mbretërinë ku jetonte vajza ekzistonte një ligj sipas të cilit kushdo që nderonte do të nderohej, kushdo që grabiste do të grabitej, kushdo që përdhunonte do t’i pritej koka.

Mbreti i kësaj mbretërie kishte tre djem. I pari e donte vajzën dhe i dhuroi këpucë të arta dhe një brez ari, një unazë dhe një kurorë. I dyti lakmonte pasurinë e vajzës dhe e grabiti atë. I treti lakmonte vajzërinë e saj dhe u përpoq ta përdhunonte. Tre djemtë e mbretit u kapën nga nëntë vëllezërit e vajzës dhe iu çuan mbretit. Vëllezërit e saj i thanë atij: 'Bijtë e tu lakmuan motrën tonë.

I pari e nderoi dhe e deshi me gjithë zemër. I dyti e grabiti. I treti ishte gati ta rrezikonte jetën për ta përdhunuar. Ata u kapën taman në çastin kur ishin plotësisht të vendosur të kryenin çfarë po themi.' Pasi mbreti e dëgjoi këtë, ai iu përgjigj atyre duke thënë: 'Ata të gjithë janë bijtë e mi dhe i dua njëlloj. Mëgjithatë kam ndërmjend t’i gjykoj bijtë e mi siç do të gjykoja shërbëtorët e mi. Ti, biri im, që deshe ta nderoje vajzën, eja e merr nderin dhe kurorën përkrah atit tënd! Ti, biri im, që lakmove pasurinë e vajzës dhe e grabite, do të shkosh në burg derisa asaj t’i kthehen të gjitha ato që ke grabitur. Në të vërtetë kam prova se ishe penduar për krimin dhe do t’i kishe kthyer sendet e vjedhura, por nuk arrite ta bësh këtë pasi u arrestove papritur. Për këtë arësye do të rrish në burg derisa asaj t’i kthehet edhe kacidhja më e fundit. Por ti, biri im, që bëre ç’munde për ta përdhunuar vajzën, nuk je penduar për krimin tënd.

Prandaj ndëshkimi yt do të shumëfishohet aq herë sa janë mënyrat me të cilat u përpoqe ta çnderosh këtë vajzë.' Të gjithë vëllezërit e vajzës u përgjigjën: 'Qofsh lëvduar, o gjykatës, për drejtësinë tënde! Pasi ti nuk do të kishe gjykuar kështu nëse nuk do të kish virtyt në ty dhe paanshmëri në drejtësinë tënde e mëshirë në paanshmërinë tënde.'
Vajza simbolizon kishën e shenjtë. Nga natyra ajo është e shquar për arësye të fesë, e bukur për arësye të shtatë sakramenteve, e lavdërueshme për shkak të sjelljes dhe virtytit të saj, e dëshirueshme për shkak të fryteve të saj, pasi ajo tregon rrugën e vërtetë drejt përjetësisë. Kisha e shenjtë ka tre djem, si të thuash, dhe këta djem përfaqësojnë një shumicë njerëzish. Të parët janë ata që e duan Hyjin me gjithë zemër. Të dytët janë ata që i duan të mirat e përkohshme për nderin e vet personal. Të tretët janë ata që e vënë vullnetin e tyre mbi Hyjin. Vajzëria e kishës simbolizon shpirtrat njerëzorë të krijuar vetëm nga pushteti hyjnor.

Djali i parë ofron këpucë të arta kur pendohet për të pabërat, lëshimet dhe mëkatet e veta. Ai ofron veshje kur i respekton normat e ligjit dhe i zbaton këshillat ungjillore sa mundet. Ai vendos një brez kur vendos pa u lëkundur të jetojë në vetëpërmbajtje dhe pastërti. Ai i ofron asaj unazë kur ka besim të patundur në çfarë mëson kisha katolike në lidhje me gjykimin e ardhshëm dhe jetën e amshuar. Xhevahiri i unazës është shpresa kur ai beson fort se asnjë mëkat nuk është aq i madh sa mos të falet me anë të pendesës dhe vendosmërisë për t’u përmirësuar. Ai i vë asaj kurorë në kokë kur ka dashuri të vërtetë. Ashtu si një kurorë ka ka xhevahirë të ndryshëm, po ashtu dashuria ka virtyte të ndryshme. Dhe koka e shpirtit, ose më saktë e kishës, është trupi Im. Kushdo e do dhe e nderon atë quhet me të drejtë bir i Hyjit.

Ai që e do kishën e shenjtë dhe shpirtin e vet në këtë mënyrë ka nëntë vëllezer, domethënë nëntë koret e engjëjve, pasi ai do të jetë shoku dhe vëllai i tyre në jetën e amshuar. Engjëjt e përqafojnë kishën e shenjtë me gjithë dashurinë e tyre, sikur ajo të ishte në zemrën e secilit prej tyre. Nuk janë gurët dhe muret ata që e bëjnë kishën, por shpirtrat e e të drejtëve dhe, për këtë arësye, engjëjt gëzohen për nderin dhe përparimin e tyre si për veten.

Vëllai i dytë, ose më saktë biri, përfaqëson ata që e kundërshtojnë autoritetin e kishës së shenjtë dhe jetojnë për ndere tokësore dhe dashurinë e trupit, që e shformojnë bukurinë e virtytit dhe jetojnë sipas dëshirave të veta, por pendohen në fund dhe u vjen keq për veprat e tyre të liga. Ata duhet të shkojnë në purgator derisa të pajtohen me Hyjin me anë të veprave dhe lutjeve të kishës. Biri i tretë përfaqëson ata që janë skandal për shpirtin e vet, që, përsa kohë mund t’i plotësojnë dëshirat e veta, nuk merakosen se mund ta humbasin shpirtin përgjithmonë. Nëntë koret e engjëjve kërkojnë drejtësi ndaj këtyre njerëzve, duke qenë se ata refuzojnë të kthehen me anë të pendesës.

Kështu, kur Hyji jep vendimin, engjëjt e lëvdojnë për drejtësinë e Tij të paanshme. Kur nderi i Hyjit përsoset kështu, ata gëzohen për fuqinë e Tij, pasi edhe ligësia e të ligëve shërben për t’i dhënë Atij nder. Prandaj kur sheh përsona imoralë, duhet të ndjesh keqardhje për ta dhe të gëzosh për nderin e amshuar të Hyjit. Hyji nuk dëshiron asgjë të ligë, pasi Ai është Krijuesi i gjthçkaje dhe e vetmja qenie vërtet e mirë në vetvete, por si gjykatës i drejtë Ai ende lejon të bëhen shumë gjëra për të cilat Ai nderohet në qiell dhe në tokë për shkak të drejtësisë dhe mirësisë së Tij të fshehtë."