Virgjëra jep një shpjegim të plotë për ipeshkvin në lidhje me mënyrën si ai duhet ta ushtrojë detyrën e tij ipeshkvore që t’i japë lavdi Hyjit, mbi shpërblimin e dyfishtë për kryerjen e detyrave ipeshkvnore dhe ndëshkimin e dyfishtë për moskryerjen e tyre dhe si Jezu Krishti dhe gjithë shenjtërit e mirëpresin një ipeshkëv të vërtetë dhe të drejtë.
Libri 3 - Kapitulli 3

Nëna e Hyjit tha: "Dua t’i shpjegoj ipeshkvit se çfarë duhet të bëjë ai për Hyjin dhe se çfarë i jep lavdi Hyjit. Çdo ipeshkëv duhet ta mbajë me kujdes turbanin. Ai nuk duhet ta shesë atë për para e as t’ia falë të tjerëve për miqësi, as ta humbë nga neglizhenca dhe pakujdesia. Turbani i ipeshkvit nuk simbolizon tjetër veç rangut të ipeshkvit dhe autoritetit për të shuguruar priftërinjtë, për të përgatitur krizmën, për të korigjuar ata që shkojnë në rrugë të gabuar dhe për të inkurajuar neglizhentët me anë të shembullit të vet. Të mbash me kujdes turbanin do të thotë të reflektosh me kujdes si dhe pse e ke marrë pushtetin ipeshkvor, si e ushtron dhe cilat janë ndikimet dhe qëllimet e tij.

Nëse ipeshkvi dëshiron ta dijë si e ka marrë pushtetin, le të reflektojë nëse e ka dëshiruar ipeshkvninë për interesin e vet apo të Hyjit. Nëse e ka dëshiruar për interesin e vet, atëherë pa dyshin dëshira e tij ka qenë materialiste; nëse e ka dëshiruar për interes të Hyjit, domethënë për t’i dhënë lavdi Hyjit, atëherë dëshira e tij ka qenë e lëvdueshme dhe shpirtërore.
Nëse ipeshkvi dëshiron të dijë për ç’qëllim e ka marrë ipeshkvninë, lë të reflektojë se i tillë u bë për të qenë baba për të varfërit dhe ngushëllues e ndërmjetësues për shpirtrat, pasi të mirat e ipeshkvit janë për dobinë e shpirtrave. Nëse të mirat e tij nuk i shpenzon siç duhet, atëherë shpirtrat do të kërkojnë hakmarrje ndaj kujdestarit të padrejtë. Do të të tregoj për shpërblimin që meriton ipeshkvi. Siç thotë Pali, ai do të jetë një shpërblim i dyfishtë, trupor dhe shpirtëror.

Do të jetë trupor pasi ai është mëkëmbësi i Hyjit në tokë dhe për këtë njerëzit i bëjnë ndere hyjnore në shenjë nderimi për Hyjin. Në qiell do të jetë trupor dhe shpirtëror sepse shërbëtori do të jetë me Zotin në sajë të mënyrës si ka jetuar dhe të shembullit të përvujtërisë me të cilat i ka nxitur të tjerët drejt lavdisë qiellore. Ai që ka rangun dhe veshjen e ipeshkvit, por i bën bisht detyrimeve ipeshkvnore, meriton dënim të dyfishte

Që ofiqi i ipeshkvit nuk duhet shitur do të thotë që ipeshkvi nuk duhet të bëhet fajtor për simoni apo ta ushtrojë detyrën për para ose interes e as për të promovuar njerëz që ai e di se kanë karakter të keq apo që ia rekomandojnë të tjerët. Që turbani nuk u duhet falur të tjerëve për miqësi do të thotë se ipeshkvi nuk duhet t’i fshehë mëkatet e neglizhentëve apo të lërë pa ndëshkuar ata që ai mundet dhe duhet të korigjojë, apo t’i mbyllë sytë para mëkateve të miqve të tij për shkak të miqësisë apo t’i marrë mbi vete mëkatet e vartësve, pasi ipeshkvi është rojtari i Hyjit.

Që ipeshkvi nuk duhet ta humbasë turbanin nga neglizhenca, do të thotë se ai nuk mund t’ia delegojë të tjerëve çka mund dhe duhet ta bëjë më me dobi vetë ai, që të mos i bëjë bisht lodhjes fizike duke ua kaluar të tjerëve atë çka vetë është në gjendje ta kryejë më mire, pasi detyra e ipeshkvit nuk është të pushojë por të punojë. Ipeshkvi duhet të jetë në dijeni të jetës dhe sjelljeve të atyre të cilëve ai u delegon detyra. Duhet ta dijë dhe të shqyrtojë si e praktikojnë drejtësinë dhe nëse sillen me maturi dhe pa egoizëm në detyrat e caktuara. Dua që të dish edhe se ipeshkvi, në rolin e tij si bari, duhet të mbajë në krahë një buqetë me lule që me aromën e tyre t’i tërheqë delet që gjenden larg dhe afër.

Kjo buqetë lulesh nënkupton predikimin e devotshëm të ipeshkvit. Krahët ku mbahet buqeta e predikimit hyjnor janë dy lloj veprash që duhet të kryejë ipeshkvi, veprat e mira publike dhe veprat e mira të fshehta. Nëse delet afër, pra delet e dioqezës, do të shihnin dashurinë e ipeshkvit nga veprat e tij dhe do ta dëgjojnin nga fjalët e tij, ato do t’i jepnin Hyjin lavdi për ipeshkvin. Edhe delet larg nëse do të dëgjonin për reputacionin e ipeshkvit, do të dëshironin ta ndiqnin. Kjo është buqeta më erëmirë: mos t’u vijë turp nga e vërteta e Hyjit dhe përvujtëria, të predikojnë doktrinë të drejtë dhe të venë vetë në jetë çka u mësojnë të tjerëve, të jenë të përvuajtur kur i lëvdojnë dhe të devotshëm kur i përvujtërojnë. Kur ipeshkvi të arrijë në fund të kësaj udhe, ai duhet sjellë një dhuratë me vete për mbretin e lavdishëm. Duhet të ketë edhe një enë të çmueshme, bosh, si ofertë për mbretin e lavdishëm.

Ena bosh për t’u ofruar është zemra e tij. Ai duhet të përpiqet natë e ditë që ajo të mbesë e zbrazët nga çdo epsh dhe dëshirë për lëvdata kalimtare. Kur një ipeshkëv i tillë shoqërohet në mbretërinë e lavdisë, Jezu Krishti, Hyj dhe njeri i vërtetë, del ta takojë së bashku me gjithë ushtrinë e shenjtërve. Dhe engjëjt thonë: 'Hyji ynë, gëzimi dhe mirësia jonë! Ky ipeshkëv qe i pastër në trup, burrëror në sjelljen e tij. Prandaj po ta paraqesim Ty pasi ai digjej për praninë Tënde çdo ditë. Përmbushe dëshirën e tij dhe rrite gëzimin tonë për ardhjen e tij këtu!' Pastaj engjëj të tjerë thonë: 'O Hyj, gëzimi ynë vjen prej Teje dhe është në Ty dhe nuk duam asgjë tjetër.

Megjithatë gëzimi ynë shtohet nga gëzimi i shpirtit të këtij ipeshkvi që të dëshironte ndërsa ende ishte në gjendje të dëshironte. Lulet erëmirë të buzëve të tij i shtuan radhët tona. Lulet e veprave të tij i ngushëlluan ata që banonin larg dhe afër. Prandaj lejoje të gëzojë me ne dhe gëzoju për të sepse aq shumë e deshe kur vdiqe për të.' Dhe në fund mbreti i lavdisë i thotë atij: 'Mik, ti ke ardhur të më paraqesësh enën e zemrës sate të zbrazur nga vullneti yt egoist. Prandaj do të të mbush me gëzimin dhe lavdinë Time. Lumturia Ime do të jetë e jotja dhe lavdia jote në Mua nuk do të mbarojë kurrë.' "