Biri i flet nuses duke i treguar me anë të shembullit të dy vetëve sesi Ai gjykon jo bazuar në gjrat e jashtme për të brendshme.
Libri 3 - Kapitulli 33

Biri i Hyjit i thotë nuses: "Ti po vret mendjen për dy vetë njëri prej të cilëve ishte si gur kilometrik, tjetri si shtegtar drejt Jeruzalemit. Por asnjë prej tyre nuk arriti çka ti mendoje. I pari tek i cili u dërgove ishte si gur kilometrik, I palëkundur në bindjet e veta por, si Toma, dyshues. Gjithashtu, meqenëse nuk kishte ardhur koha ende e kryerjes së veprave të liga, ai e provoi verën por nuk e rrëkëlleu. Përsa i përket të dytit, thashë se do të ishte bashkëudhtar me ty për në Jeruzalem. Kjo ndodhi që ti ta marrësh vesh gjendjen e vërtetë të atij që mbahej si njeri i drejtë dhe i shenjtë. Nga veshja është rregulltar, nga betimi murg, por nga sjelljet apostat, nga rangu prift por skllav i mëkatit, nga fama shtegtar por nga synimet vagabond, që flitet se po shkon në Jeruzalem por në fakt po shkon drejt Babilonisë. Përveç kësaj ai u largua si i pabindur, duke shkelur rregullat apostolike.

Ai është edhe i molepsur me herezi, beson dhe thotë se do të bëhet papë në të ardhmen dhe se do të bëjë restaurim të plotë. Edhe librat e tij e dëshmojnë këtë. Prandaj ai do të vdesë papritur dhe nëse nuk zë mend do të përfundojë në shoqërinë e atit të gënjeshtrave. Prandaj nuk duhet të trazohesh pse disa gjëra thuhen me gjuhë të errët apo nëse parashikimet nuk dalin siç i pret, pasi fjalët e Hyjit mund të kuptohen në mënyra të ndryshme. Kurdo që të ndodhë kjo, Unë do të të tregoj të vërtetën.
Por Unë jam Hyj, shtegtari i vërtetë drejt Jeruzalemit. Unë vetë do të jem bashkëudhëtar me ty."

SHPJEGIM
Shpirti i Hyjit thotë: "Ti dëgjove se ai për të cilin të thashë se ishte si gur kilometrik dhe dyshonte, vdiq. Ta dish se ai nuk do të jetë në numrin e atyre që e tunduan Hyjin në shkretëtirë, as në numrin e atyre që kërkonin një shenjë si ajo e profetit Jona, as me ata që nxitën përndjekjen Time. Jo, ai do të jetë me ata që kishin zell dhe dashuri edhe pse jo në gradë të përsosur."