Ambrozi i flet nuses me alegori rreth një burri, gruas dhe shërbëtores së tij. Ky kurorëthyes simbolizon ipeshkvin e keq, gruaja simbolizon kishën dhe shërbëtorja dashurinë për botën. Gjykimi i ashpër ndaj atyre që duan më shumë botën se kishën.
Libri 3 - Kapitulli 6

Unë jam ipeshkvi Ambroz. Po të flas me alegori pasi ti nuk mund t’i kuptosh mesazhet shpirtërore pa ndonjë simbolikë fizike. Na ishte njëherë një burrë gruaja e ligjshme e të cilit ishte magjepsëse dhe e matur. E megjithatë atij i pëlqente më tepër shërbëtorja se gruaja. Kjo pati tre pasoja. E para ishte se fjalët dhe gjestet e shërbëtores e ngazëllenin më tepër se ato të gruas. E dyta është se ai e vishte shërbëtoren me rroba të shtrenjta e nuk kujdesej për gruan e tij që vishej me rroba të zakonshme. E treta është se ai kishte zakon të kalonte nëntë orë me shërbëtoren dhe vetëm orën e dhjetë me të shoqen. Orën e parë e kalonte përkrah shërbëtores, duke kundruar bukurinë e saj. Orën e dytë e kalonte duke fjejtur në krahët e saj. Orën e tretë e kalonte me punë krahu në të mirë të shërbëtores.

Orën e katërt e kalonte duke u çlodhur pas punës fizike. Orën e pestë vriste mendjen si të kujdesej për të. Orën e gjashtë kënaqej tek shihte se tani ajo ishte e lumtur për çka ai kish bërë për të. Në orën e shtatë ndizej prej epshit. Orën e tetë shfrynte epshet me të. Në orën e nëntë linte pa bërë punë që do të kishte dashur t’i kryente. Orën e dhjetë bënte punë që nuk kish dëshirë t’i bënte. Dhe vetëm gjatë kësaj ore qëndronte me të shoqen. Një prej të afërmve të gruas erdhi tek kurorëthyesi dhe e qortoi ashpër duke i thënë: 'Dashurinë duhet t’ia përkushtosh gruas sate të ligjshme. Duaje dhe vishe siç duhet dhe kalo nëntë orë me të dhe vetëm një orë me shërbëtoren. Përndryshe ta dish se se do të vdesësh keq dhe kur s’e pret.'

Me këtë kurorëthyes kam parasysh atë që e mban postin e ipeshkvit për t’u kujdesur për kishën, por që sillet si kurorëthyes. Ai është bashkuar me kishën e shenjtë me bashkim shpirtëror e ajo duhet të jetë nusja e tij e shtrenjtë, por ai ia mohon dashurinë asaj e ia përkushton botës të cilën e do më shumë se zonjën dhe nusen e tij fisnike. Kështu ai bën tre gjëra. E para, ai gjen më tepër gëzim në dashurinë për botën se në përkushtimin e devotshëm ndaj kishës. E dyta, ai është i dhënë pas bukurive të botës, por nuk e çan fort kokën për mungesën e zbukurimeve materiale dhe shpirtërore në kishë. E treta, ai i kalon nëntë orë me botën dhe vetëm një në dhjetë orë me kishën e shenjtë. Pra ai gjatë orës së parë dëfrehet duke soditur me endje bukuritë e botës.

Orën e dytë e kalon duke fjejtur ëmbëlsisht në krahët e botës, domethënë mes fortifikatave dhe vigjilencës së ushtrive të saj që e bëjnë të ndjehet fizikisht i sigurt. Orën e tretë zellshëm bën punë krahu për interesa tokësore, duke u lodhur për të mirat e kësaj bote. Orën e katërt e kalon duke u çlodhur me kënaqësi nga lodhja fizike pasi ka siguruar fitime të mjaftueshme. Orën e pestë vret mendjen si t’ia dalë mbanë për çështje tokësore.

Gjatë orës së gjashtë përjeton mendërisht një paqe të këndshme tek sheh se njerëzit e botës admirojnë çka ai ka bërë. Orën e shtatë dëgjon dhe shikon kënaqësitë e botës, ndizet me epsh për to e kjo bën që në zemër t’i digjet fort një zjarr. Në orën e tetë ai vë në jetë me vepra dëshirat e tij e flakta. Gjatë orës së nëntë, nga neglizhenca lë pa bërë disa punë që do të kish dashur t’i bënte për interesa tokësore për të mos lënduar ata që i do me dashuri thjesht natyrore. Në orën e dhjetë, pa dëshirë, ai bën disa vepra të mira, nga frika se mos e tallin dhe merr nam të keq apo gjykohet ashpër nëse për ndonjë arësye do të neglizhonte t’i kryente.

Ai ka zakon ta kalojë vetëm orën e dhjetë me kishën e shenjtë, e këtë e bën jo nga dashuria por nga frika. Natyrisht që ka frikë nga ndëshkimi i flakëve të ferrit. Nëse do të mundej të jetonte përgjithmonë mes rehative fizike dhe me bollëk të mirash materiale, nuk do t’i bëhej vonë nëse e humbiste lumturine e qiellit.
Prandaj, unë betohem për Hyjin që nuk ka fillim dhe jeton pafund dhe pohoj me siguri që nëse nuk kthehet në kishën e shenjtë dhe nuk kalon nëntë orë me të dhe vetëm të dhjetën me shërbëtoren, domethënë me botën – dhe mirëqenien dhe nderin e postit ipeshkvor nuk i do por i pranon me përvujtëri vetëm për lavdinë e Hyjit – atëherë plaga shpirtërore në shpirtin e tij do të jetë – për të bërë një krahasim fizik – e rëndë si plaga e dikujt që e godasin aq fort në kokë saqë i shembet gjithë trupi deri në fund të këmbëve e damarët dhe muskujt i copëtohen, kockat i thërrmohen dhe palca i rrjedh gjithandej.

Drejtësia hyjnore do ta ndëshkojë tmerrësisht këtë shpirt të mjerë e ai do të vuajë njëlloj siç vuan zemra në një trup të goditur aq fort në kokë dhe në pjesët rrotull saj saqë i dhembin deri edhe shputat e këmbëve."