Fjalët e Zotit Tonë Jezu Krisht drejtuar nuses së tij të zgjedhur dhe të shtrenjë, ku shpallet mishërimi i tij tejet i madhërueshëm, dënohet përdhosja profane dhe shkelja e besimit dhe pagëzimit dhe ku nusja e tij ftohet që ta dojë.
LIBRI 1 - KAPITULLI 1

Unë jam Krijuesi i qiellit dhe tokës, një Hyj i vetëm me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë. Jam Unë ai që u foli profetëve dhe patriarkëve, ai që ata prisnin. Për hir të dëshirës së tyre dhe sipas premtimit tim, Unë u mishërova pa mëkat, pa epsh, duke hyrë në trupin e Virgjërës njëloj siç kalon dielli përmes një kristali krejt të pastër. Ashtu sikurse dielli nuk e dëmton xhamin kur depërton nëpër të, po ashtu Virgjëra nuk e humbi virgjërinë kur Unë mora natyrë njerëzore. Unë u mishërova pa e braktisur hyjninë time.

E nuk u bëra më pak Hyj, por vazhdoja të drejtoj dhe mbush gjithçka me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, edhe atëherë kur me natyrën time njerëzore ndodhesha në krahërorin e Virgjërës. Sikurse shkëlqimi nuk ndahet kurrë nga zjarri, as hyjnija ime nuk u nda kurrë nga natyra ime njerëzore, madje as në vdekje. Më pas Unë desha që trupi im I pamëkat të plagosej nga koka tek këmbët për mëkatet e njerëzve dhe të varesha në kryq. Po ai trup tani flijohet çdo ditë në altar me qëllim që njerëzit të më duan më shumë e të sjellin ndërmend më shpesh të mirat që u kam bërë.

E megjithatë tani më kanë harruar krejtësisht, më shpërfillin dhe më tallin si të isha një mbret i përzënë nga mbretëria e vet e në vend të të cilit një cub i keq është zgjedhur dhe nderohet. Dua që mbretëria ime të jetë brenda njeriut dhe është e drejtë që Unë të jem mbret dhe zotëri për të sepse Unë e kam krijuar dhe shëlbuar. Por ai e ka shkelur dhe përdhosur besimin që më premtoi në pagëzim. Ai i ka shkelur dhe shpërfillur ligjet që pata vënë për të. Ai do vullnetin e vet dhe duke më përqeshur nuk dëgjon të bindet. Sikur të mos mjaftonte, ai ngre në piedestal cubin më të lig, djallin, dhe ia beson veten atij. Djalli vërtet është cub sepse me tundime të këqija dhe premtime boshe e grabit për vete shpirtin e njeriut që Unë e kam shëlbuar me gjakun tim. Kjo jo sepse ai është më i fortë se Unë; në fakt Unë jam aq i fuqishëm sa mund të bëj gjithçka vetëm me anë të një fjale dhe jam aq i drejtë sa nuk do të bëja as padrejtësinë më të vogël qoftë edhe sikur të gjithë shenjtërit bashkë të ma kërkonin një gjë të tillë.

Por duke qenë se njeriu, të cilit i është dhënë vullnet i lirë, me vetëdije i përqesh urdhëresat e mia dhe i bindet djallit, atëherë është plotësisisht e drejtë që ai ta provojë tiraninë e djallit. Djalli u krijua i mirë prej meje por ra për faj të vullnetit të tij të mbrapshtë dhe është bërë, si të thuash, shërbëtori im për ndëshkimin e të keqit. Edhe pse tani jam kaq i përbuzur, prapë se prapë jam ende aq i mëshirshëm sa i fal mëkatet e cilido që kërkon mëshirën time dhe tregohet i përvuajtur dhe e çliroj prej cubit të lig. Por Unë do të zbatoj drejtësinë mbi ata që vazhdojnë të më përbuzin dhe atëherë ata do të dridhen dhe do të thonë: 'Medet, më mirë të mos kishim lindur fare, as të mos ishim ngjizur, mjerë ne që e ndezëm zemërimin e Zotit të madhërueshëm!'

Por ti, bija ime, që të kam zgjedhur për vete dhe të cilës i flas në shpirt, duamë me gjithë zemër, jo ashtu siç do djalin, vajzën apo të afërmit e tu, por më tepër se gjithçka në botë! Unë të kam krijuar dhe për ty nuk kurseva asnjë gjymtyrë timen nga vuajtja. Dhe aq shumë e dua shpirtin tënd saqë, po të ishte e mundur, do të lejoja më mirë të më gozhdonin në kryq përsëri se sa të të humbisja ty. Imitoje përvujtërinë time: Unë që jam mbret i lavdisë dhe i ëngjëjve, u vesha me rrecka dhe ndenja zhveshur tek kollona ndërsa veshët më dëgjonin gjithfarë fyerjesh dhe talljesh. Vëre vullnetin tim mbi tëndin sepse Nëna ime, Zoja jote, nga fillimi deri në fund, nuk deshi kurrë tjetër gjë përveç asaj që doja unë. Nëse e bën këtë, atëherë zemra jote do të jetë me zemrën time dhe do të digjet flakë nga dashuria për mua njëlloj siç zjarri djeg lehtësisht diçka të thatë.

Shpirti yt do të mbushet me mua dhe Unë do të jem brenda teje dhe gjithë gjërat e përkohshme do të të duken farmak dhe dëshirat trupore helm. Ti do të pushosh në krahët e mi hyjnorë ku nuk ka dëshira trupore, por veç gëzim dhe ngazëllim shpirtëror. Atje shpirti, në brendësi dhe së jashtmi i ngazëllyer, është plot gëzim e nuk mendon e as dëshiron gjë tjetër përveç gëzimit që ka. Pra duamë vetëm mua dhe do të kesh gjithçka do, e do t’i kesh me bollëk. A nuk është shkruar se vaji i vejushës nuk mbaroi deri ditën kur Zoti dërgoi shi mbi tokë sipas fjalëve të profetit? Unë jam profeti i vërtetë. Nëse u zë besë fjalëve të mia dhe i zbaton ato, vaji, gëzimi dhe hareja jote nuk do të të shterrojnë kurrë në shekuj të shekujve.