Fjalët e Hyjit Atë para ushtrisë qiellore dhe përgjigja e Birit dhe Nënës ku i kërkohet Atit hir për kishën, bijën e Tij.
Libri 1 - KAPITULLI 24

Ati foli ndërsa e tërë ushtria qiellore po dëgjonte dhe tha: "Përpara teje po ankohem se ia dhashë bijën time një burri që e mundon pa masë, ia ka lidhur fort këmbët në një shtyllë saqë tërë palca i ka dalë prej tyre." Biri iu përgjigj: "Atë, Unë e kam shëlbuar me gjakun Tim dhe jam fejuar me të, por tani e kanë marrë me pahir." Pastaj Nëna foli duke thënë: "Ti je Hyji dhe Zoti im. Trupi im mbarti gjymtyrët e Birit tënd të bekuar që është Biri yt i vërtëtetë dhe Biri im i vërtetë. Për asgjë nuk ia prisha në tokë. Për hir të lutjeve të mia, ki mëshirë për tët bijë!" Më pas folën engjëjt, duke thënë: "Ti je Zoti ynë. Në Ty ne kemi gjithçka të mirë dhe nuk duam tjetër veç Teje.

Kur nusja jote doli prej Teje, ne të gjithë galduam. Por tani kemi të drejtë të trishtohemi sepse ka rënë në duart e më të keqit të njerëzve që e nëpërkëmb me gjithfarë fyerjesh dhe abuzimesh. Prandaj ki mëshirë për të sipas mëshirës sate të madhe sepse ajo gjendet në mjerim të madh dhe nuk ka kush ta ngushëllojë dhe lirojë përveç Teje, o Zot, Hyj i plotfuqishëm." Pastaj Ati iu përgjigj Birit duke thënë: "Bir, ankimi Yt është ankimi Im, fjala Jote fjala Ime, veprat e Tua veprat e Mia. Ti je në Mua dhe Unë në Ty pazgjidhshmërisht. U bëftë vullneti Yt!" Pastaj i tha Nënës së Birit: "Meqenëse nuk ma prishe për asgjë në tokë, Unë do të të prish për asgjë në qiell. Vullneti yt do të kryhet." Ai u tha engjëjve: "Ju jeni miqtë e mi dhe flaka e dashurisë për ju digjet në zemrën time. Do të kem mëshirë për bijën time për hir të lutjeve tuaja."