Një dialog i këndshëm i Hyjit Atë me Birin. Ati i dha Birit një nuse të re dhe Biri e pranoi atë me gëzim. Dhëndri e mëson nusen, me anë të një shembëlltyre, rreth durimit dhe thjeshtësisë.
Libri 1 - KAPITULLI 38

Ati i tha Birit: "Erdha me dashuri tek Virgjëra dhe e mora trupin Tënd të vërtetë prej saj. Kështu Ti je në Mua dhe Unë në Ty. Ashtu sikurse zjarri dhe nxehtësia nuk ndahen kurrë, ashtu është e pamundur të ndahen natyra jote hyjnore dhe njerëzore." Biri u përgjigj: "Gjithë nderi dhe lavdia të qofshin Ty, o Atë! U bëftë vullneti Yt në Mua dhe i Imi në Ty!" Ati ia ktheu. "Shih, Biri im, po ta besoj këtë nuse të re si dele që duhet udhëhequr dhe ushqyer. Si bari Ti do të marrësh prej saj djath për të ngrënë, qumësht për të pirë dhe lesh për t’u veshur. Kurse ti, o nuse, duhet t’i bindesh.

Ti ke tre detyra: duhet të jesh e durueshme, e bindur dhe e gatshme." Pastaj Biri i tha Atit: "Vullneti Yt vjen me pushtet, pushteti Yt me përvujtëri, përvujtëria Jote me urti, urtia Jote me mëshirë. U bëftë mbi Mua vullneti Yt që është dhe do të jetë gjithmonë pa fillim dhe fund! Do ta mirëpres atë në dashurinë Time, në pushtetin Tënd, nën udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë, duke qenë Ne jo tri Hyjni por një Hyj. Pastaj Biri i tha nuses: "E dëgjove se si Ati të dorëzoi tek Unë si dele. Prandaj duhet të jesh e thjeshtë dhe e durueshme si dele dhe të prodhosh ushqim dhe veshje.

Tre njerëz ka në botë. i pari është krejtësisht lakuriq, i dyti i etur, i treti i uritur. I pari simbolizon besimin e kishës Sime dhe është lakuriq sepse gjithkush skuqet të flasë për besimin dhe urdhërimet e Mia. Dhe nëse dikush flet, ata vihen në lojë dhe i quajnë gënjeshtarë. Fjalët që dalin nga goja Ime duhet ta veshin këtë besim si lesh. Ashtu sikurse leshi rritet në trupin e deles nga nxehtësia, po kështu fjalët e Mia hyjnë në zemër nga nxehtësia e natyrës Sime hyjnore dhe njerëzore. Ato do ta veshin besimin Tim të shenjtë në dëshmi të së vërtetës dhe urtisë dhe do të provojnë se çka tani konsiderohet si e pakuptimtë është e vërtetë.

Për pasojë, njerëzit që deri tani kanë qenë të vakët për ta veshur fenë me vepra dashurie, do të kthehen kur të dëgjojnë fjalët e Mia të dashurisë dhe do të rindizen për të folur me besim dhe për të vepruar me guxim. I dyti simbolizon miqtë e Mi që kanë dëshirë të ethshme ta shohin nderin Tim të përkryer dhe trishtohen kur më shohin të çnderuar. Ëmbëlsia që provojnë nga fjalët e Mia do t’i dehë me dashuri më të madhe për Mua dhe dhe do të ndizen në dashurinë Time dhe së bashku me ta, të tjerë, tani të vdekur, do të ndizen në dashurinë Time kur të dëgjojnë për mëshirën që kam treguar ndaj mëkatarëve. I treti simbolizon ata që me vete mendojnë si vijon: 'Sikur ta njihnim,' thonë ata, ' vullnetin e Hyjit rreth mënyrës se si duhet të jetojmë dhe sikur të na mësonin për mënyrën se si duhet jetuar mirë, me kënaqësi do të bënim ç’të mundnim.'

Këta kanë uri për ta njohur rrugën Time, por nuk ka kush t’i ngopë sepse asnjë nuk u tregon ekzaktësisht se ç’duhet të bëjnë. Edhe nëse u tregohet ç’duhet bërë, askush nuk jeton siç duhet. Prandaj fjalët u duken pa jetë sepse askush nuk jeton sipas tyre. Për këtë arësye Unë vetë do t’u tregoj se ç’duhet të bëjnë dhe do t’i mbush me ëmbëlsinë Time. Gjërat e përkohshme, që duket se i duan të gjithë tani, nuk mund ta mbushin natyrën njerëzore por vetëm sa e yshtin dëshirën për të kërkuar gjithnjë e më tepër. Fjalët e Mia dhe dashuria Ime i ngopin njerëzit dhe i mbushin ngushëllim të bollshëm. Prandaj ti, nusja Ime, që je një prej deleve të Mia, kujdesu që ta ruash durimin dhe bindjen. Ti më përket me të drejtë dhe prandaj duhet të ndjekësh vullnetin Tim. Personi që do të bëjë vullnetin e tjetrit duhet të bëjë tre gjëra: e para, të jetë i një mendjeje me tjetrin; e dyta, të ketë vepra të ngjashme; e treta, të qëndrojë larg armiqve të tjetrit. Kush janë armiqtë e Mi përveç krenarisë dhe mëkatit? Prandaj duhet të qëndrosh larg tyre nëse do të ndjekësh vullnetin Tim."