Fjalët e Zotit Tonë Jezu Krisht drejtuar nuses së tij për t’i thënë që të mos shqetësohet dhe të mos mendojë se çka i është zbuluar vjen nga ndonjë shpirt i keq dhe për ta mësuar si të dallojë shpirtrat e mirë nga ata të ligj.
LIBRI 1 - KAPITULLI 4

Unë jam Krijuesi dhe Shëlbuesi yt. Pse u frikësove nga fjalët e mia? Pse vrisje mendjen nëse të kishin ardhur nga ndonjë shpirt i mirë apo i keq? Thuamë, a ke gjetur ndonjë gjë në fjalët e mia që ndërgjegja ta ka ndaluar ta bësh? Mos vallë të kam urdhëruar ndonjë gjë kundër arësyes? Kësaj nusja iu përgjigj: "Jo, përkundrazi, ato janë të gjitha të vërteta dhe unë u gabova keq." Shpirti, apo dhëndri, u përgjigj: "Të urdhërova tre gjëra. Prej tyre mund të dalloje shpirtin e mirë. Të urdhërova ta nderosh Hyjin tënd që të ka bërë dhe të ka dhënë gjithçka ke.

Arësyeja të thotë edhe që ta nderosh mbi gjithçka. Të urdhërova të ruash besimin, domethënë që të besosh se asgjë nuk është krijuar pa Hyjin dhe asgjë nuk mund të bëhet pa Hyjin. Gjithashtu të urdhërova që të synosh të bësh e përdorësh gjithcka me masë, pasi bota është bërë për dobi të njeriut në mënyrë që ai ta përdorë për nevojat e veta. Po ashtu mund ta dallosh shpirtin e keq nga tre gjëra, të kundërtat e këtyre. Ai përpiqet të të tundojë që të kërkosh lavdin tënd dhe të krenohesh për çka të është dhënë. Ai të tundon ta trathtosh besimin tënd. Ai të tundon me fëlliqësira në trup e në gjithçka dhe ta ndez zemrën flakë për to.

Ka edhe raste kur ai i mashtron njerëzit nën maskën e së mirës. Prandaj të kam urdhëruar gjithnjë që ta shqyrtosh ndërgjegjen dhe t’i hapesh këshilltarëve të kujdesshëm shpirtërorë. Pra mos ki dyshim që me ty është shpirti i mirë i Hyjit sepse, siç e sheh, ti nuk dëshiron tjetër veç Hyjit dhe je krejtësisht e ndezur flakë nga dashuria për të. Jam i vetmi që mund ta bëjë këtë. Djalli e ka të pamundur të të afrohet. Ai nuk mund t’u afrohet as të këqinjve nëse Unë nuk e lejoj një gjë të tillë qoftë për shkak të mëkateve të tyre apo për ndonjë vendim të fshehtë timin, pasi djalli është krijesa ime njëlloj si të tjerët dhe e pata krijuar të mirë edhe pse, nga ligësia e vet, u bë i keq. Unë jam Zotëri për të. Për këtë arësye më akuzojnë me të padrejtë ata që thonë se personat që më shërbëjnë më me përshpirtshmëri janë të marrë dhe të djallosur.

Ata më mbajnë sikur të isha një burrë që ia lëshon në dorë gruan e vet të ndershme një kurorëthyesi. I tillë do të isha Unë nëse do të lejoja që një i drejtë që më do me gjithë zemër të braktisej në mëshirë të djallit. Por duke qenë se Unë jam besnik, kurrë djalli nuk do ta zotërojë shpirtin e shërbëtorëve të mi të përshpirtshëm. Edhe pse ndodh që ndonjëherë miqtë e mi duket sikur e kanë humbur gati fare gjykimin, kjo nuk vjen ngaqë vuajnë prej djallit apo ngaqë më shërbejnë mua me përshpirtshmëri të flaktë. Kjo vjen nga ndonjë e metë e trurit apo ndonjë arësye tjetër e panjohur që shërben për t’i përvujtëruar ata. Ndonjëherë mund të ndodhë që djalli merr pushtet prej meje mbi trupat e të mirëve për shpërblim më të madh të këtyre të fundit ose errëson vetëdijen e tyre. Megjithatë ai kurrë nuk mund të marrë nën kontroll shpirtrat e atyre që më besojnë dhe gjejnë gëzim tek Unë.