Fjalët tepër të përzemërta të Krishtit drejtuar nuses së tij ku gjendet një imazh i mrekullueshëm i një kështjelle të fisme që simbolizon kishën militante dhe flitet se si kisha e Hyjit do të rindërtohet tani nëpërmjet lutjeve të Virgjërës së lavdishme dhe shenjtërve.
LIBRI 1 - KAPITULLI 5

Unë jam Krijuesi i gjithë gjërave. Jam Mbreti i lavdisë dhe Zoti i Ëngjëjve. Ndërtova për vete një kështjellë të fisshme dhe aty vendosa të zgjedhurit e mi. Armiqtë ia shkatërruan themelin dhe ngadhnjyen mbi miqtë e mi e i lidhën në shtyllë. Goja u është mavijosur nga gurët dhe uria e etja i ka rraskapitur. Përveç kësaj, armiqtë po përndjekin Zotërinë e tyre. Miqtë e mi tani po rënkojnë dhe luten për ndihmë; drejtësia kërkon të merret haku, por mëshira thotë që të falen.

Pas kësaj Hyji i tha ushtrisë qiellore që i rrinte pranë: "Ç’mendomi për këta që kanë zaptuar kështjellën time?" Ata u përgjigjën njëzëri: "Zot, e gjithë drejtësia është në ty dhe në ty ne shohim gjithçka. Gjykimin të takon ty ta bësh, ti që je Bir i Hyjit dhe ekziston nga amshimi në amshim, ti je gjykatësi i tyre." Dhe ai tha: "Edhe pse ju dini dhe shihni gjithçka në mua, prapë se prapë, për hir të nuses sime, ma thoni ju cili do të ish gjykimi i drejtë." Ata thanë: “Drejtësia kërkon që ata që shembën murin të ndëshkohen si cuba, që ata që vazhdojnë të bëjnë keq të ndëshkohen si zaptues dhe që robërit të lirohen e të uriturit të ngihen”.

Pastaj e mori fjalën Maria, Nëna e Hyjit, që deri tani kish heshtur, dhe tha: "Zoti im dhe i shtrenjti Biri im, ti ishe në krahërorin tim Hyj dhe njeri i vërtetë. Ty të pëlqeu të më shenjtërosh mua, një enë argjile. Të lutem, ki mëshirë për ta edhe një herë!" Zoti iu përgjigj së Ëmës: "Bekuar qoftë fjala e gojës sate! Si aromë e këndshme ajo lartësohet tek Hyji. Ti je lavdia dhe Mbretëresha e engjëjve dhe e gjithë shenjtërve sepse Hyji u ngushëllua prej teje dhe të gjithë shenjtërit u ngazëllyen. Dhe meqenëse vullneti yt ka përkuar me timin qysh nga vajzëria jote, do të bëj edhe një herë tjetër siç dëshiron ti." Atëherë ai i tha ushtrisë qiellore: "Meqenëse keni luftuar trimërisht, për hir të dashurisë suaj do ta lë mënjanë zemërimin tim për tani. Do të shihni se do ta rindërtoj murin për hir të lutjeve tuaja.

Do t’i shpëtoj ata që u shtypën me pahir dhe do t’i nderoj ata njëqindfish për vuajtjet që kanë hequr. Nëse të dhunshmit më kërkojnë mëshirë, paqja dhe mëshira do t’u jepen. Mbi ata që i përqeshin ato do të zbatoj drejtësinë." Pastaj ai iu drejtua nuses së tij: "Nusja ime, të kam zgjedhur dhe të kam veshur me shpirtin tim. Ti i dëgjon fjalët e mia dhe të shenjtërve të mi të cilët, edhe pse shohin gjithçka në mua, prapë se prapë kanë folur për hatrin tënd në mënyrë që ti të mund të kuptosh. Se në fund të fundit, ti, që je ende në trup, nuk mund të shohësh në mua ashtu siç shohin ata që janë shpirtra. Do të të tregoj tani domethënien e këtyre gjërave. Kështjella për të cilën fola është Kisha e Shenjtë të cilën e ndërtova me gjakun tim dhe të shenjtërve. E çimentova me dashuri dhe pastaj vendosa aty të zgjedhurit dhe miqtë e mi. Themeli i saj është besimi, domethënë bindja se Unë jam gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm.

Themeli tani është shembur sepse gjithkush beson dhe mëson se Unë jam i mëshirshëm, por gati asnjë nuk beson se jam gjykatës i drejtë. Më kujtojnë si gjykatës të keq. Në të vërtetë një gjykatës do të ishte i keq nëse, prej mëshirës, nuk do ta ndëshkonte të keqin por do ta linte të lirë që të vazhdonte ta shtypte të drejtin. Por Unë jam gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm dhe nuk do ta lë pa ndëshkuar as më të voglin mëkat dhe as pa shpërblyer deri edhe të mirën më të vogël. Pas rrënimit të murit në Kishën e Shenjtë hynë njerëz që mëkatojnë pa frikë, që mohojnë se Unë jam i drejtë dhe që i torturojnë miqtë e mi njëlloj sikur t’i kishin lidhur pas shtylle. As gëzim as ngushëllim nuk u jepet miqve të mi. Përkundrazi, ata ndëshkohen dhe fyhen sikur të ishin të djallosur. Kur thonë të vërtetën për mua, ua mbyllin gojën dhe akuzohen se gënjejnë. Ata digjen nga dëshira për të dëgjuar apo treguar të vërtetën, por askush nuk i dëgjon e nuk u thotë të vërtetën.

Sikur të mos mjaftonte, blasfemi po thuhen ndaj meje, Hyjit Krijues. Sepse njerëzit thonë: 'Nuk dimë gjë nëse ka Zot. Dhe nëse ka, nuk duam t’ia dijmë.' E flakin tej kauzën time, e nëpërkëmbin dhe thonë: 'Pse vuajti? Ç’e mirë na erdhi nga kjo? Nëse na i plotëson dëshirat, mirë – le ta mbajë për vete mbretërinë e tij dhe qiellin e tij!' Unë dua të hyj brenda tyre, por ata thonë: 'Më mirë të vdesim sesa të heqim dorë nga vullneti ynë!' Nusja ime, shih se çfarë soj njerëzish janë! Unë i kam bërë dhe mund t’i shkatërroj me një fjalë të vetme. Sa të pafytyrë tregohen me mua! Në sajë të lutjes së Nënës sime dhe të gjithë shenjtërve, Unë vazhdoj të tregohem aq i mëshirshëm dhe i durueshëm saqë jam gati t’u dërgoj fjalët e gojës sime dhe t’u ofroj mëshirën time.

Nëse e pranojnë, do të zbutem. Përndryshe ata do të njohin drejtësinë time dhe, si cuba, do të turpërohen hapur përpara engjëjve dhe njerëzve dhe do të dënohen nga secili prej tyre. Si kriminelë të varur në sfurk që i shqyejnë sorrat, ata do të shqyhen prej djajve por pa u konsumuar. Ashtu sikurse të lidhurit në shtyllë nuk gjejnë paqe, edhe ata do të gjejnë dhimbje dhe hidhërim në çdo anë. Një lum përvëlues do t’u vërshojë në gojë por barku nuk do t’u mbushet dhe ata do të ripërtërihen që të ndëshkohen çdo ditë. Por miqtë e mi do të shpëtohen dhe do të ngushëllohen nga fjalët që dalin prej gojës sime. Ata do ta shohin drejtësinë time krah për krah me mëshirën time. Do t’i mbështjell me armët e dashurisë sime dhe do t’i bëj aq të fortë saqë kundërshtarët e besimit do të thërrmohen si argjilë. Kur ta shohin drejtësinë time, do të mbulohen përjetësisht me turp për shpërdorimin që i kanë bërë durimit tim."