Zoti i flet nuses për Ligjin e Ri. Ligji i Ri tani refuzohet dhe vihet në lojë nga bota. Priftërinjtë e këqinj nuk janë priftërinj të Hyjit por tradhtarë të Tij. Ata i pret mallkimi dhe dënimi.
Libri 1 - KAPITULLI 47

Unë jam Hyji që dikur quhej Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit. Unë jam Hyji që i dha Ligjin Mojsiut. Ky ligj është si petk. Ashtu si një nënë shtatzënë përgatit petkat e fëmijës, po ashtu Hyji përgatiti Ligjin që s’ish tjetër veç petku, imazhi, shenja e gjërave që do të vinin. Unë u vesha dhe mbështolla me petkun e Ligjit. Kur fëmija rritet, heq rrobat e vjetra dhe vesh të reja.

Po ashtu, kur petkut të Ligjit të Vjetër i erdhi koha për t’u hequr, Unë vesha petkun e ri, domethënë Ligjin e Ri të cilin ia dhashë gjithkujt që donte të më kish Mua dhe petkun Tim. Ky petk as nuk të rri ngjeshur pas trupit as nuk është vështirë të vishet, ai bie taman sipas trupit. Ai nuk u urdhëron njerëzve të agjërojnë, as të punojnë shumë, as të vrasin veten apo të bëjnë gjëra të pamundura, por i bën mirë shpirtit dhe i vë fre trupit. Kur trupi jepet pas mëkatit, mëkati e konsumon trupin.
Dy gjëra mund të gjenden në Ligjin e Ri. E para, maturia në përdorimin e drejtë të të gjitha të mirave shpirtërore dhe fizike. E dyta, lehtësia për ta respektuar Ligjin, pasi nëse dikujt nuk i përshtatet diçka, i përshtatet diçka tjetër. Kështu nëse dikush kupton se nuk i shkon për shtat të rrijë pa u martuar, ai mund të lidhë martesë të ndershme dhe ai që bie në mëkat mund të ngrihet përsëri. E megjithatë ky Ligj tani refuzohet dhe vihet në lojë nga bota. Njerëzit thonë se Ligji është shumë ndrydhës, i vështirë dhe jo tërheqës. E quajnë ndrydhës sepse urdhëron që njeriu të kënaqet me çka është e nevojshme dhe t’i largohet gjërave të tepërta. Por ata duan të kenë gjithçka, përtej arësyes, më shumë se ç’i duhet trupit, si t’ishin shtazë.

Për këtë u duket shumë ndrydhës. E dyta ata thonë se është i vështirë sepse Ligji thotë se dëshira për kënaqësi duhet plotësuar sipas arësyes dhe në kohë të caktuara. Por ata duan t’i plotësojnë kënaqësitë e tyre më tepër se ç’duhet, më tepër se ç’lejohet. E treta thonë se Ligji nuk është tërheqës pasi urdhëron përvujtërinë dhe ia atribuon Hyjit çdo të mirë. Ata janë krenarë dhe ia atribuojnë vetes të mirat që në fakt ua ka dhënë Hyji. Prandaj Ligji u duket jo tërheqës.

Shiko si i përçmojnë petkat që u kam dhënë! I dhashë fund normave të vjetra dhe futa të reja që do të zbatohen deri kur Unë të vij për të gjykuar, sepse normat e vjetra ishin shumë të vështira. Por ata paturpësisht i kanë hequr petkat me të cilat vesha shpirtin e tyre, domethënë fenë e drejtë. Sikur të mos mjaftonte, ata bëjnë mëkat pas mëkati sepse edhe dëshirojnë të më tradhtojnë. A nuk thotë Davidi në psalm: “Ai që hëngri bukën time, kurdisi tradhti kundër meje’? Dua që të dallosh dy gjëra në këto fjalë.

E para, ai nuk thotë “kurdis” por “kurdisi”, sikur të bëhej fjalë për të shkuarën. E dyta ai i vë gishtin vetëm një personi si tradhtar. Por Unë them se të tillë janë ata që tani më tradhtojnë – jo ata që kanë qenë apo që do të jenë, por ata që ende janë gjallë. Them edhe se është çështje jo e një personi por e shumë vetëve. Por ti mund të më pyesësh: 'A nuk ka dy lloje bukësh, njëra e padukshme dhe shpirtërore me të cilën jetojnë engjëjt dhe shenjtërit dhe tjetra që i përket tokës e me të cilën ushqehen njerëzit? Por engjëjt dhe shenjtërit nuk dëshirojnë asgjë që nuk është sipas vullnetit Tënd, ndërsa njerëzit nuk mund të bëjnë asgjë nëse Ti nuk e lejon. Atëherë si mundet të të tradhtojnë ata?'

Në prani të ushtrisë Time qiellore që di dhe sheh gjithçka në Mua, Unë po përgjigjem për hatrin tënd që ti të mund të kuptosh: Është e vërtetë që ka dy lloj bukësh. Njëra është ajo që hanë engjëjt në mbretërinë Time dhe ngopen me lavdinë Time të papërshkrueshme. Ata nuk më tradhtojnë sepe nuk duan tjetër përveç asaj që dua Unë. Unë jam me të vërtetë ajo bukë. Tre gjëra mund të dallohen në atë bukë: forma, shija dhe rrumbullakësia. Shije, pasi çdo gjë është e pashijshme, e paushqyeshme dhe e pakuptimtë pa Mua, ashtu sikurse një gjellë pa bukë nuk shijon dhe nuk ushqen.

Gjithashtu unë kam formën e bukës duke qenë se i përkas tokës. Unë i përkas një Nëne Virgjër, Nëna ime vjen nga Adami, Adami vjen nga toka. Kam edhe rrumbullakësi ku nuk ka fund dhe fillim, sepse Unë jam pa fillim dhe pa fund. Askush nuk mund ta imagjinojë apo ta gjejë fundin apo fillimin e urtisë, fuqisë apo dashurisë Sime. Unë gjendem në të gjitha gjërat dhe mbi të gjitha gjërat dhe përtej gjithë gjërave. Edhe sikur dikush të fluturonte si shigjetë përjetësisht pa u ndalur, ai kurrë nuk do të gjente një fund apo kufi të pushtetit dhe fuqisë Sime. Me anë të këtyre gjërave pra, shijes, formës dhe rrumbullakësisë, Unë jam ajo bukë që duket si bukë dhe shijon si e tillë në altar, por që shndërrohet në trupin Tim që u kryqëzua. Ashtu sikurse diçka e thatë dhe që lehtësisht merr flakë konsumohet shpejt nëse hidhet në zjarr dhe asgjë nuk mbetet nga forma e drurit por e gjitha bëhet zjarr, po ashtu kur thuhen këto fjalë, “Ky është trupi Im,’ çka më parë ishte bukë menjëherë bëhet trupi Im. Ajo merr flakë jo nga zjarri, siç ndodh me drurin, por nga hyjnia Ime. Prandaj ata që hanë bukën Time më tradhtojnë. Ç’lloj vrasjeje mund të jetë më e neveritshme sesa vetëvrasja? Apo ç’tradhti mund të jetë më e keqe se dy vetë që janë bashkuar me lidhje të pazgjidhshme, siç është një çift i martuar, dhe njëri e tradhton tjetrin? Çfarë bën burri për të mashtruar gruan? I thotë me ligësi: “Le të shkojmë bashkë në filan vend!' Ajo shkon me të pa ngurim, e gatshme t’i plotësojë dëshirën bashkëshortit.

Por kur ai gjen momentin dhe vendin e përshtatshëm, përdor kundër saj tre armë mashtruese. Ose përdor diçka tepër të fortë që ta vrasë me një goditje, ose shumë të prehtë që ta çpojë në organet jetësore, apo diçka për ta mbytur menjëherë. Dhe kur ajo vdes, tradhtari mendon me vete: ‘Tani kam bërë faj. Nëse krimi im zbulohet dhe merret vesh, do të më dënojnë me vdekje.’ Pastaj shkon dhe e fsheh trupin e së shoqes në mënyrë që mëkati i tij të mos zbulohet.

Kështu sillen me Mua priftërinjë që më tradhtojnë. Ata dhe Unë bashkohemi me një lidhje të pazgjidhshme kur marrin bukën dhe shqiptojnë fjalët e shugurimit që e shndërrojnë bukën në trupin Tim të vërtetë, në atë trup që mora nga Virgjëra. Askush prej engjëjve nuk mund ta bëjë këtë. Ia kam dhënë këtë dinjitet vetëm priftërinjve. Por ata sillen me Mua si tradhtarë. Ata vënë një maskë gëzimi mbi fytyrë dhe më çojnë në një vend të fshehtë ku të mund të më tradhtojnë. E vënë maskën e gëzimit kur shtiren si të mirë dhe të thjeshtë. Më çojnë në një dhomë të fshehtë kur i afrohen altarit. Atje Unë jam gati si një nuse apo një dhëndër për të zbatuar gjithë dëshirat e tyre, por ata më tradhtojnë.

Së pari ata më godasin me diçka të fortë sa herë që uficin hyjnor që recitojnë për Mua e ndjejnë si barrë të rëndë. Ata do të preferonin të flisnin qindra fjalë për hir të botës sesa një fjalë të vetme në nderin Tim. Do preferonin të jepnin njëqind monedha ari sesa një qindarkë të vetme për Mua. Ata do të preferonin të punonin njëqind herë për hir të përfitimeve vetjake dhe të botës sesa njëherë për nderin Tim. Ata më shtypin me këtë barrë të rëndë, prandaj është sikur të isha i vdekur në zemrat e tyre. E dyta, ata më shpojnë si me një teh të mprehtë që më depërton në organet jetësorë sa herë që ngjiten në altar të vetëdijshëm se kanë mëkatuar, janë penduar e megjithatë janë të vendosur të mëkatojnë prapë pasi të ketë mbaruar uficin. Ata mendojnë: 'Me të vërtetë pendohem për mëkatin, por nuk heq dorë nga gruaja me të cilën kam mëkatuar.' Ata më shpojnë me tehun më të mprehtë.

E treta ata e mbysin shpirtin kur me vete mendojnë: 'Sa bukur, sa mirë të jesh në këtë botë, sa mirë është t’i kënaqësh epshet e mos ta përmbash veten. Sa jam i ri do të bëj ç’të dua. Kur të plakem, do të heq dorë e do të bëj kthesë.' Dhe me këtë mendim të lig ata e mbysin shpirtin e jetës. Por si ndodh kjo? Ja, zemra e tyre sa vjen e ftohet ndaj Meje dhe ndaj çdo virtyti dhe kurrë më nuk mund të ngrohet e nuk do ta rifitojë dashurinë që kishin për Mua. Ashtu sikurse akulli nuk merr flakë edhe nëse mbahen sipër zjarrit, por vetëm sa shkrin, po ashtu edhe nëse Unë u jap hirin Tim dhe ata i dëgjojnë paralajmërimet e Mia, ata nuk rikthehen në udhën e jetës por vetëm sa bëhen shterpë dhe të pandjeshëm ndaj çdo virtyti. Kështu më tradhtojnë duke u shtirur si të thjeshtë kur në të vërtetë nuk janë të tillë; trishtohen dhe trazohen në vend që të gëzohen kur vjen puna për të më dhënë lavd; janë të vendosur të vazhdojnë të mëkatojnë deri në fund.

Ata, si të thuash, më fshehin dhe më vendosin në një vend të fshehtë sa herë që mendojnë me vete: 'Unë e di se kam mëkatuar, por nëse nuk them meshë do të turpërohem dhe të gjithë do të më dënojnë.' E kështu guxojnë të ngjiten në altar, më vendosin para vetes dhe më prekin Mua Hyj dhe njeri i vërtetë. Jam sikur të isha në një vend të fshehtë me ta sepse asnjë s’e kupton se sa të shthurur dhe të pafytyrë janë. Unë Hyji rri para tyre si në fshehtësi sepse edhe sikur prifti të jetë më i keqi nga mëkatarët, kur shqipton fjalët "Ky është trupi Im”, ai e shuguron trupin Tim dhe Unë, Hyj dhe njeri i vërtetë, rri atje përballë tij. Por kur më fut në gojë Unë nuk jam më i pranishëm me hirin e natyrave të Mia hyjnore dhe njerëzore – vetëm forma dhe shija e bukës mbeten për të – jo sepse Unë nuk jam me të vërtetë i pranishëm për të këqinjtë ashtu siç jam për të mirët, por sepse Sakramenti nuk ka të njëjtin ndikim tek i mirë dhe i keqi.

Shih, këta priftërinj nuk janë priftërinjtë e Mi por tradhtarët e Mi! Ata më shesin dhe tradhtojnë siç bëri Juda. I shoh paganët dhe hebrenjtë, por askush nuk duket më keq se këta priftërinj që kanë rënë në mëkatin e Luciferit. Lërmë të të tregoj dënimin e tyre dhe se kujt i përngjajnë. Dënimi i tyre është ndëshkimi. Davidi i dënoi ata që nuk i bindeshin Hyjit jo nga zemërimi apo vullneti dashakeq apo nga padurimi, por prej drejtësisë hyjnore, sepse ai ishte profet dhe mbret i drejtë. Edhe Unë që jam më i madh se Davidi, i dënoj këta priftërinj jo nga zemërimi apo nga dashkeqësia por prej drejtësisë.

Mallkuar qoftë gjithçka që ata marrin nga toka për interes të vet, sepse ata nuk lëvdojnë Hyjin dhe Krijuesin e tyre që ua ka dhënë ato. Mallkuar qoftë ushqimi dhe pijet që hyjnë në gojën e tyre dhe dhjamos trupat e tyre për t’u bërë ushqim për krimbat, ndërsa shpirtrat i përgatit për në ferr.

Mallkuar qofshin trupat e tyre që do të ngjallen përsëri në ferr për t’u djegur pafundësisht. Mallkuar qofshin vitet e jetës së tyre të pavlerë.
Mallkuar qoftë ora e parë në ferr që nuk do të mbarojë kurrë. Mallkuar qofshin sytë e tyre që panë dritën e qiellit.

Mallkuar qofshin veshët e tyre që dëgjuan fjalët e Mia dhe mbeten indiferentë. Mallkuar qoftë shqisa e tyre e shijimit me të cilën shijuan dhuratat e Mia.
Mallkuar qoftë shqisa e tyre e të prekurit me të cilën vunë duart mbi Mua. Mallkuar qoftë shqisa e tyre e të nuhaturit me të cilën iu gëzuan gjërave të kësaj bote dhe më lanë pas dore Mua, gëzimin e vërtetë.

Në ç’mënyrë mallkohen? Shikimi mallkohet sepse nuk do shohin Hyjin por vetëm hijet dhe ndëshkimet e ferrit. Veshët mallkohen sepse nuk do t’i dëgjojnë fjalët e Mia por vetëm rrëmujën dhe tmerret e ferrit. Shqisa e tyre e shijimit mallkohet sepse nuk do t’i shijojnë të mirat dhe gëzimin Tim të përjetshëm por vetëm hidhërimin e pafund. Shqisa e tyre e të prekurit mallokohet sepse nuk do të më prekin Mua por vetëm zjarrin e pashueshëm.

Shqisa e tyre e të nuhaturit mallkohet sepse nuk do ta ndjejnë aromën e ëmbël të mbretërisë Sime që ia kalon çdo arome, por vetëm do të ndjejnë erën e rëndë të ferrit që është më e hidhur se vreri dhe më keq se squfuri. Qofshin mallkuar nga toka dhe qielli dhe çdo krijesë shtazore. Këta i binden dhe e lëvdojnë Hyjin, kurse ata janë janë larguar prej Tij. Prandaj betohem me të vërtetë, Unë që jam e Vërteta, që nëse ata vdesin pa bërë kthesë, as dashuria Ime as virtyti Im nuk do t’i pranojnë në krahët e veta. Përkundrazi, do të jenë përjetësisht të mallkuar.