Bekime dhe lëvdata që Nëna dhe Biri shkëmbejnë mes tyre. Për hirin që Biri i jep Nënës për shpirtrat e purgatorit dhe ata që janë në botë.
Libri 1 - KAPITULLI 50

Maria i foli të Birit duke thënë: "Bekuar qoftë përgjithmonë emri Yt, Biri im, dhe e bekuar qoftë natyra Jote hyjnore që është pa fillim dhe pa fund! Natyra Jote hyjnore ka tre cilësi të mrekullueshme: fuqi, urti dhe virtyt. Fuqia Jote është si më i nxehti zjarr përballë të cilit gjithçka e ngurtë dhe e fortë i përngjan kashtës së thatë në zjarr. Urtia Jote është si deti që kurrë nuk mund të zbrazet sepse është aq i paanë saqë mbulon luginat dhe malet kur ngrihet dhe vërshon. Po ashtu është e pamundur të matet urtia Jote. Me sa urti i krijove njerëzit dhe i vendose mbi gjithë krijesat!

Me sa urti i ke vënë zogjtë në ajër, kafshët mbi tokë, peshqit në det, duke i dhënë secilit kohën dhe rendin e vet! Sa mrekullisht u jep jetë gjithë gjërave dhe ua merr atë! Sa urtisht i jep urti të pamendëve dhe ia merr krenarëve! Virtyti Yt është si drita e diellit që shkëlqen në qiell dhe e mbush tokën me dritën e tij. Virtyti Yt gjendet kudo, mbush gjithçka. Pra qofsh bekuar, Biri im, që je Hyji im dhe Zoti im!" Biri u përgjigj:
"Nënë e dashur, fjalët e tua janë të ëmbla për Mua sepse të dalin nga shpirti. Ti je si agimi në një ditë të qetë. Ti shkëlqen më shumë se qiejt; drita dhe qetësia jote ia kalojnë gjithë engjëjve. Me qetësinë tënde tërhoqe tek vetja diellin e vërtetë, domethënë natyrën Time hyjnore, dhe dielli i hyjnisë Time erdhi dhe u hyri tek ty. Me ngrohtësinë e tij ti u ngrohe në dashurinë Time më tepër se të gjithë dhe me vezullimin e tij u ndriçove me urti më tepër se të tjerët. Errësira e botës u largua dhe gjithë qiejt u ndriçuan nëpërmjet teje. Me të vërtetë po të them se pastërtia jote, që më pëlqen më shumë se gjithë engjëjt, tërhoqi hyjninë Time tek ty kështu që ti u ndeze fjalë nga ngrohtësia e Shpirtit.

Me të mbajte Hyjin e vërtetë në krahërorin tënd nga i cili njerëzimi u ndriçua dhe engjëjt u mbushën me gëzim. Pra qofsh bekuar prej Birit tënd të bekuar! Prandaj asnjë kërkesë që do të bësh nuk do të mbesë pa u dëgjuar. Të gjithë ata që, të vendosur për të bërë kthesë, do të kërkojnë mëshirë nëpërmjet teje, do të fitojnë hir. Ashtu si nxehtësia vjen nga dielli, po kështu çdo mëshirë do të jepet nëpërmjet teje. Ti je si një burim me rrjedhë të lirë nga i cili rrjedh mëshirë për të gjorët." Nga ana e saj Nëna iu përgjigj Birit: "Gjithë pushteti dhe lavdia qofshin të Tuat, Biri im! Ti Hyji dhe mëshira ime. Çdo e mirë që kam vjen prej Teje. Ti je si farë që kurrë nuk u mboll e prapë se prapë u rrit dhe dha fryt njëqindfish dhe njëmijëfish. E gjithë mëshira vjen prej Teje dhe duke qenë e pamatshme dhe e pashprehshme, mund të simbolizohet nga numri njëqind që simbolizon përsosmëri, pasi çdonjëri përsoset nga Ty dhe përsosmëria vjen nga Ty."

Biri iu përgjigj Nënës: "Nënë, ti më krahasove me të drejtë me një farë që kurrë s’u mboll por prapë se prapë u rrit, pasi me natyrën Timë hyjnore erdha tek ty dhe natyra Ime njerëzore nuk u mboll me marrëdhënie fizike e prapë se prapë u rrit brenda teje dhe mëshira buroi nga ty tek të gjithë njerëzit. Fole drejt. Tani pra meqë ti nxjerr mëshirë prej Meje me fjalët e ëmbla të buzëve të tua, kërkomë ç’të duash dhe do të të jepet." Nëna u përgjigj: "Biri im, meqë kam fituar mëshirë prej Teje, atëherë të kërkoj të kesh mëshirë për të gjorët dhe t’i ndihmosh ata. Sepse tek e fundit ka katër vende.

I pari është qielli ku engjëjve dhe shpirtrave të shenjtërve nuk u duhet tjetër përveç Teje e Ty të kanë, në Ty ata kanë çdo të mirë. Vendi i dytë është ferri dhe ata që jetojnë atje janë të mbushur me ligësi dhe të përjashtuar nga çdo mëshirë. Prandaj asgjë e mirë nuk mund të hyjë më në ta. I treti është vendi i atyre që po pastrohen. Atyre u duhet një mëshirë e trefishtë sepse kanë vuajtje të trefishtë. Vuan të dëgjuarit e tyre pasi nuk dëgjojnë tjetër veç ankesa, dhimbje dhe mjerim. Vuan të parët e tyre pasi nuk shohin tjetër veç mjerimit të tyre. Vuan të prekurit e tyre pas ndjejnë nxehtësinë e një zjarri të padurueshëm dhe vuajtje të madhe. Jepu mëshirën Tënde, Zoti im dhe Biri im, për hir të lutjeve të mia!" Biri u përgjigj:
"Me kënaqësi do t’u jap mëshirë të trefishtë për hatrin tënd. E para, të dëgjuarit ë tyre do të lehtësohet, shikimi i tyre do të qartësohet, ndëshkimi i tyre do të pakësohet dhe zbutet. Përveç kësaj, nga ky moment, ata që gjenden në ndëshkimin më të rëndë të purgatorit do të kalojnë në nivelin e mesëm. Ata të nivelit të mesëm do të kalojnë tek ndëshkimet më të lehta. Ata që gjenden tek ndëshkimet e lehta do të kalojnë në paqe." Nëna u përgjigj: "Lavd dhe nder Ty, Zoti im!"

Dhe menjëherë shtoi: "Vendi i katërt është bota. Banorëve të saj u duhen tre gjëra: e para, pendesë për mëkatet; e dyta, riparim; e treta, forcë për të vepruar mirë." Biri u përgjigj: "Kujtdo që thërret emrin Tim dhe shpreson në ty dhe është i vendosur të bëjë kthesë do t’i jepen këto tre gjëra si dhe mbretëria e qiellit. Fjalët e tua më janë aq të ëmbla sa nuk mund të mos të t’i jap gjërat që kërkon, pasi ti nuk do tjetër përveçse asaj që dua Unë. Ti je si flakë që vezullon e digjet dhe ku pishtarët e shuar rindizen e pasi ndizen forca e tyre rritet. Me anë të dashurisë sate që u ngrit lart tek zemra Ime dhe më tërhoqi tek ty, ata që kanë vdekur për shkak të mëkatit do të ringjallen dhe ata që janë të vakët dhe errët si tym do të forcohen në dashurinë Time."