Nëna bekon Birin në prani të nuses. Biri i lavdishëm e krahason Nënën e Tij me një lule që rritet në luginë.
Libri 1 - KAPITULLI 51

Nëna i foli Birit të saj duke thënë: "Bekuar qoftë emri Yt, Biri im Jezu Krisht! Lëvduar qoftë natyra Jote njerëzore që ia kalon gjithë krijimit! Lëvduar qoftë natyra Jote hyjnore mbi gjithë gjërat e mira! Natyrat e Tua hyjnore dhe njerëzore janë një Hyj." Biri u përgjigj: "Nëna ime, ti je si lule e rritur në luginë. Lugina rrethohej nga pesë male të larta. Vetë lulja doli nga tre rrënjë e kish kërcell të drejtë pa asnjë nyje. Kjo lule kish pesë gjethe, të bukura sa s’bëhet. Lugina dhe lulja e saj u rritën e ia kaluan maleve dhe gjethet e luleve u shtrinë përgjatë lartësive të qiellit dhe mbi gjithë koret e engjëjve. Ti, e shtrenjta Nëna ime, ti je ajo luginë në sajë të përvujtërisë së madhe që pate në krahasim me të tjerët.

Ajo ia kaloi të pesë maleve. Mali i parë ishte Mojsiu në sajë të pushtetit që kish. Pasi ai kish pushtet mbi popullin Tim me anë të Ligjit njëlloj si ta mbante shtrënguar në pëllëmbë. Ndërsa ti mbajte Hyjin e çdo ligji në krahërorin tënd, prandaj ti je më e lartë se ai mal. Mali i dytë ishte Elia i cili ishte aq i shenjtë sa u mor me trup dhe shpirt në vendin e shenjtë. Ndërsa ti, e dashura Nëna ime, u more me shpirt në fronin e Hyjit, mbi të gjithë koret e engjëve, dhe trupi yt tejet i pastër është atje së bashku me shpirtin tënd. Pra ti je më e lartë se Elia. Mali i tretë është fuqia e madhe që zotëronte Samsoni në krahasim me njerëzit e tjerë. Por djalli e mposhti me mashtrim. Ndërsa ti e mposhte djallin me forcën tënde. Prandaj ti je më e fortë se Samsoni. Mali i katërt ishte Davidi, njeri sipas zemrës dhe vullneit Tim, por që ra në mëkat.

Ndrësa ti, Nëna ime, ndoqe çdo vullnet Timin dhe kurrë nuk mëkatove. Mali i pestë ishte Solomoni, që ish plot urti por që u bë i marrë. Në të vërtetë, ti, Nëna Ime, ishe plot urti por kurrë nuk u marrose e as u mashtrove. Prandaj ti je më e lartë se Solomoni. Lulja doli nga tre rrënjë në kuptimin që ti zotëroje tre gjëra qysh nga vogëlia e më pas: bindje, dashuri dhe inteligjencë hyjnore. Nga keto tre rrënjë u rrit një kërcell i drejtë sa s’kish më, pa asnjë nyje të vetme, dua të them që vullneti yt kurrë nuk u prir nga njonjë gjë tjetër përveç dëshirës Sime. Lulja kishte edhe pesë gjethe që u rritën më lart se koret e engjëve. Ti, Nëna Ime, je në të vërtetë lulja e këtyre pesë gjetheve.

Gjethja e parë është fisnikëria jote, e cila është aq e madhe saqë engjëjt e Mi, të cilët janë fisnikë në praninë Time, kur panë fisnikërinë tënde, vunë re se ajo ishte mbi ta dhe më e lartësuar se shenjtëria dhe fisnikëria e tyre. Prandaj ti je më lart se engjëjt. Gjethja e dytë është mëshira jote e cila ishte aq e madhe saqë kur pe mjerimin e shpirtrave, pate mëshirë për ta dhe provove dhimbje kur Unë vdiqa. Engjëjt janë plot mëshirë, por ata kurrë nuk provojnë dhimbje. Ndërsa ti, Nënë e dashur, u tregove e mëshirshme me të mjerin duke vuajtur dhimbjen e vdekjes Sime dhe, për hir të mëshirës, zgjodhe t’u nënshtrohesh vuajtjeve dhe jo t’u bësh bisht. Prandaj mëshira jote ia kaloi mëshirës së gjithë engjëjve. Gjethja e tretë është mirësia jote e ëmbël. Engjëjt janë të butë dhe të mirë, u duan të mirën të gjithëve, por ti e shtrenjta Nëna ime, kisha vullnet prej engjëlli në shpirtin dhe trupin tënd pra se të vdisje dhe i bëre mirë gjithkujt. Dhe tani nuk refuzon askënd që arësyeshëm lutet për të mirën e vet. Prandaj mirësia jote është më e madhërishme se mirësia e engjëjve.

Gjethja e katërt është bukuria jote. Çdo engjëll këqyr bukurinë e të tjerëve dhe ata admirojnë bukurinë e gjithë shpirtrave dhe të gjithë trupave. Megjithatë ata shohin se bukuria e shpirtit tënd është më lart se gjithë krijimi dhe se fisnikëria e trupit tënd ia kalon asaj të të gjitha qenieve njerëzore. Pra bukuria jote ia kaloi gjithë engjëjve dhe gjithë krijimit. Gjethja e pestë ishte gëzimi yt hyjnor, pasi asgjë nuk të jepte gëzim përveç Hyjit. Secili prej tyre e njeh dhe e njihte gëzimin e vet brenda vetes, por kur panë brenda teje gëzimin tënd në Hyjin, në ndërgjegjen e vet secilit iu duk se gëzimi i tyre u ndez si dritë në dashurinë e Hyjit.

Gëzimi yt atyre iu duk si një zjarr i madh bubulak që digjej me flakët më të nxehta e që ngriheshin aq lart saqë i afroheshin hyjnisë Sime. Prandaj, tejet e ëmbla Nënë, gëzimi yt hyjnor flakëronte mbi të gjitha koret e engjëjve. Kjo lule, duke patur pesë gjethë fisnikërie, mëshire, mirësie, bukurie dhe gëzimi tejet të madh, ish tërheqëse sa s’bëhej më. Kushdo që dëshiron të shijojë ëmbëlsinë e saj, duhet t’i afrohet ëmbëlsisë së saj dhe ta marrë brenda vetes. Këtë bëre edhe ti, Nënë e mirë. Pasi ti she aq e ëmbël për Atin saqë Ai e mori gjithë qenien tënde në shpirtin e Tij dhe ëmbëlsia jote I pëlqeu Atij më tepër se gjithçka.

Në sajë të ngrohtësisë dhe fuqisë së diellit, lulja mbart edhe nje farë dhe prej saj rritet një fryt. Bekuar qoftë ai diell, domethënë natyra Ime hyjnore, që mori natyrë njerëzore nga krahërori yt virgjëror! Ashtu sikurse fara çel të njëjtat lule kudo që mbillet, po ashtu gjymtyrët e Mia ishin si të tuat në trajtë dhe pamje, edhe pse Unë isha burrë dhe ti një grua virgjëreshë. Kjo luginë me lulen e vet u ngri lart mbi të gjithë malet kur trupi yt, së bashku me shpirtin tënd tejet të shenjtë, u ngrit mbi të gjitha koret e engjëjve."