Fjalët me të cilat Nëna e bekon dhe i lutet Birit që fjalët e Tij të përhapen në të gjithë botën dhe të rrënjosen në zemrat e miqve të Tij. Virgjëra krahasohet mrekullisht me një lulë që rritet në kopësht. Fjalët që Krishti, me anë të nuses, i përcjell Papës dhe klerikëve të tjerë të kishës.
Libri 1 - KAPITULLI 52

Virgjëra e bekuar i foli Birit dhe i tha: "I bekuar je Ti, Biri im dhe hyji im, Zot i engjëjve dhe Mbret i lavdisë! Unë lutem që fjalët që Ti ke thënë të zënë rrënjë në zemrat e miqve të Tu dhe të ngjisin në mendjen e tyre si zifti me të cilin u vesh arka e Noeut, të cilin as stuhitë as erërat nuk mund ta shkatërronin. U përhapshin në të gjithë botën si degë dhe lule të ëmbla aroma e të cilave shkon larg. U bëfshin edhe frut e u ëmbëlsofshin si hurma ëmbëlsia e së cilës ta kënaq shpirtin."

Biri u përgjigj: "E bekuar je ti, e shtrenjta Nëna Ime! Engjëlli Im Gabriel të tha: 'E bekuar je ti, Mari, mes grave!' Dhe unë dëshmoj se ti je e bekuar dhe tejet e shenjtë mbi gjithë koret e engjëjve. Ti je si një lule kopështi e rrethuar nga lule të tjera aromatike, por që ua kalon të gjithave në aromë, bukuri dhe virtyt. Këto lule përfaqësojnë të gjithë të zgjedhurit, nga Adami deri në fund të botës. Ato u mbollën në kopështin e botës, mbinë dhe lulëzuan me virtyte të ndryshme, por mes gjithë atyre që ishin atëherë dhe do të vinin më pas, ti ishe më e shkëlqyeshmja në aromën e një jete të mirë dhe të përvuajtur, në bukurinë e një virgjërie të pëlqyeshme, në virtytin e abstinencës.

Unë dëshmoj se ti ishe më e madhe se një martir në Pasionin Tim, më e madhe se një dëshmitar feje në abstinencë, më e madhe se një engjëll në mëshirë dhe vullnet të mirë. Për hatrin tënd Unë do t’i rrënjos fjalët e Mia si zifti më i fortë në zemrat e miqve të Mi. Ato do të përhapen si lule aromatike dhe do të japin fryt si hurma më e ëmbël dhe më e shijshme." Pastaj Zoti i foli nuses: "Thuaji mikut tënd që të kujdeset t’i shkruajë këto fjalë për atin e vet zemra e të cilit është sipas zemrës Sime dhe ai do t’ia përcjellë arqipeshkvit dhe më vonë një ipeshkvi tjetër.

Kur ata të jenë informuar tërësisht, ai duhet t’ia dërgojë ato një ipeshkvi të tretë. Thuaji në emrin Tim: 'Unë jam Krijuesi yt dhe Shëlbuesi i shpirtrave. Unë jam Hyji që ti don dhe nderon mbi gjithë të tjerët. Shiko dhe mendo sesi shpirtrat që Unë shëlbova me gjakun Tim janë si shpirtrat e atyre që nuk e njohin Hyjin, se si janë marrë peng nga djalli në mënyrë aq të tmerrshme saqë ai i ndëshkon në çdo gjymtyrë të trupit si të ishin brenda një shtrydhëse rrushi. Prandaj nëse ke ndonjë shije për plagët e Mia në shpirtin tënd, nëse fshikullimi dhe vuajtjet e Mia kanë ndonjë domethënie për ty, atëherë ma trego me vepra sa shumë më do!

Bëji publikisht të njohura fjalët e gojës Sime dhe çoja personalisht prijësit të kishës! Unë do të të jap shpirtin Tim e kudo që ka mosmarrëveshje midis dy vetave, ti do mundesh t’i pajtosh në emrin Tim dhe me pushtetin që të është dhënë, mjaft që ata të besojnë. Si provë tjetër të fjalëve të Mia, ti do t’i paraqesësh Papës dëshmitë e njerëzve që i shijojnë dhe u gëzohen fjalëve të Mia. Pasi fjalët e Mia janë si sallo që sa më i ngrohtë dikush të jetë brenda, aq më shpejt tretet. Aty ku nuk ka ngrohtësi, e nxjerrin nga goja dhe ajo nuk arrin në pjesët e brendshme.

Të tilla janë fjalët e Mia, pasi sa më shumë dikush i ha dhe i përtyp me dashuri të zjarrtë për Mua, aq më shumë ai ushqehet me ëmbëlsinë e dëshirës qiellore dhe dashurisë së brendshme dhe aq më tepër digjet nga dashuria për Mua. Por ata që nuk i pëlqejnë fjalët e Mia është sikur të kishin sallo në gojë. Pasi e shijojnë, ata e pështyjnë dhe e shkelin me këmbë. Disa i përçmojnë fjalët e Mia në këtë mënyrë pasi ata nuk i shijojnë gjërat shpirtërore. Latifondisti të cilin e kam zgjedhur si një prej gjymtyrëve të Mia dhe e kam bërë vërtet Timin, do të të ndihmojë guximshëm dhe do të të pajisë me çka të nevojitet për udhëtim.'"