Hyji sqaron kapitullin e mëparshëm. Vendimi që do të merret ndaj njerëzve të tillë. Hyji bën durim me të ligët për hir të të mirëve.
Libri 1 - Kapitulli 56

Të thashë më parë se shpata e kishës është hedhur tej në këmbim të një thesi me para. Ky thes është i hapur nga njëra anë. Nga ana tjetër është aq i thellë saqë kur fut diçka brenda, ajo asnjëherë nuk e arrin fundin, prandaj thesi kurrë nuk mbushet. Është kaluar çdo masë dhe kufi dhe është arritur deri aty sa Zoti të vihet në lojë dhe përveç parasë nuk dëshirohet gjë tjetër. Megjithatë Unë jam si një zotëri që është edhe atë edhe gjykatës. Kur i biri vjen për t’u gjykuar, të pranishmit i thonë: 'Zotëri, procedo shpejt dhe jep vendimin!'

Zotëria u përgjigjet atyre: 'Prisni pak deri nesër, sepse ndoshta im bir bën kthesë ndërkohë.' Kur vjen e nesërmja, njerëzit i thonë atij: 'Procedo dhe jep vendimin, zotëri! Sa kohë do ta zvarritësh shpalljen e vendimit duke mos e dënuar fajtorin?' Zotëria i përgjigjet: 'Prisni edhe pak që të shohim nëse im bir bën kthesë! Pastaj, nëse ai nuk pendohet, unë do të bëj çka është e drejtë.' Në këtë mënyrë Unë bëj durim me njerëzit deri në momentin e fundit, pasi Unë jam edhe atë edhe gjykatës. Por duke qenë se vendimi Im është i pandryshueshëm, edhe pse merret pas një kohe të gjatë, Unë do t’i ndëshkoj mëkatarët që nuk bëjnë kthesë dhe do të tregoj mëshirë ndaj atyre që kthehen.

Të thashë më parë se Unë i ndaj njerëzit në tre grupe: gjykatës, mbrojtës dhe punëtorë. Kë simbolizojnë gjykatësit në mos priftërinjtë që e kanë shndërruar urtinë hyjnore në urti të korruptuar dhe boshe? Si nënpunës të shkolluar që e e përmbledhin me pak fjalë një tekst të gjatë – dhe ato pak fjalë thonë po atë gjë që thonin fjalët e shumta – po ashtu edhe klerikët e sotëm i kanë përmbledhur dhjetë urdhëresat e Mia në një fjali të vetme. E ç’është kjo fjali e vetme? 'Zgjat dorën e na jep ca para!' Kjo është urtia e tyre: të flasin bukur, të sillen keq, të shtiren si të Mitë dhe të veprojnë ligësisht ndaj Meje.

Në këmbim të rryshfeteve ata nuk ngurojnë t’i tolerojnë mëkatarët kur mëkatojnë dhe me shembullin e tyre çojnë në udhë të shtrembër njerëzit e thjeshtë. Përveç kësaj ata urrejnë kë ndjek shembullin Tim. Së dyti, mbrojtësit e kishës, kavalierët, nuk janë besnikë. Ata nuk e kanë mbajtur premtimin dhe betimin që kanë dhënë e me dashje i tolerojnë ata që mëkatojnë kundër fesë dhe ligjit të Kishës Sime të Shenjtë. Së treti, punëtorët apo shtetasit, janë si dema të egër, pasi ata bëjnë tre gjëra. Përplasin këmbët; e dyta hanë sa munden; e treta i plotësojnë dëshirat e tyre si t’u teket. Shtetasit tani digjen nga dëshira për të mirat e përkohshme. Ata janë grykës të papërmbajtur dhe vanitozë. Zgërryhen zhyten në dëshira trupore, përtej arësyes.

Por edhe pse armiqtë e Mi janë të shumtë, Unë kam shumë miq mes tyre edhe pse të fshehtë. Elisë, i cili kujtonte se ishte i vetmi mik i Imi që kish mbetur, iu tha: "Kam shtatë mijë vetë që nuk janë gjunjëzuar përpara Baalit." Po ashtu, edhe pse armiqtë i kam të shumtë, Unë ende kam miq të fshehtë mes tyre që vajtojnë çdo ditë që Unë kam armiq dhe që emri Im përçmohet. Ashtu si një mbret i mirë dhe bamirës që i di veprat e këqija që bëhen në qytet, por i toleron me durim banorët e tij dhe u dërgon letra miqve të vet për t’i vënë në dijeni për rrezikun që u kanoset, po kështu, për hir të lutjeve të tyre, Unë u dërgoj fjalët e Mia miqve të Mi.

Këto nuk janë aq të mjegullta sa ato të Zbulesës që i bëra Gjonit me një gjuhë të errët në mënyrë që kur t’i vinte koha, Shpirti Im t’i shpjegonte kur të më pëlqente. E as janë aq të errëta saqë nuk mund të shprehen –ashtu siç ndodhi kur Pali pa disa nga misteret e Mia për të cilat nuk iu lejua të fliste – por ato janë aq të qarta saqë gjithkush, i vogël e i madh, mund t’i kuptojë, aq të lehta saqë kushdo që dëshiron mund t’i kapë.

Prandaj miqtë e Mi le të kujdesen që fjalët e Mia t’u mbërrijnë armiqve të Mi në mënyrë që ata të mund të kthehen dhe le t’u bëhen të ditur rreziku dhe gjykimi që i pret, në mënyrë që të pendohen për veprat që kanë bërë! Përndryshe qyteti do të gjykohet dhe si me një mur që shkatërrohet pa lënë gur mbi gur, pa mbetur as edhe dy gurë bashkë në themel, ashtu do t’i ndodhë qytetit, domethënë botës. Gjykatësit me siguri do të digjen në zjarrërat më përvëlues. Nuk ka zjarr më përvëlues se ai që ushqehet me dhjamë. Ata gjykatës janë dhjamosur pasi kanë patur më tepër raste se të tjerët për ta kënaqur egoizmin e tyre, kanë patur më shumë ndere dhe bollëk e më tepër ligësi dhe fëlliqësi se të tjerët.

Prandaj ata do të skuqen në tiganin më të përvëluar. Mbrojtësit do të varen në shtyllën më të lartë. Shtylla ka dy trarë vertikalë dhe një të tretë horizontal në majë të të dyve. Kjo shtyllë me dy trarë të drunjtë simbolizon ndëshkimin e tyre të rreptë të përbërë si të thuash nga nga dy copa druri. Copa e parë do të thotë se ata nuk shpresuan në shpërmblimin Tim të përjetshëm e as u përpoqën ta fitonin me veprat e tyre. Copa e dytë do të thotë se ata nuk patën besim në fuqinë dhe mirësinë Time, duke menduar se Unë ose nuk isha i aftë të bëjë gjithçka, ose nuk doja t’u jepja gjërat që u nevojiteshin. Trau horizontal simbolizon ndërgjegjen e tyre të deformuar- sepse edhe pse e kuptuan fare mirë ç’po bënin, prapë se prapë vepruan keq dhe nuk ndjenë faj kur vepruan kundër ndërgjegjes. Litari i shtyllës simbolizon zjarrin e përjetshëm që as nuk mund të shuhet nga uji as të pritet nga gërshërët, as të këputet as të marrë fund nga mosha e shtyrë.

Në këtë shtyllë të ndëshkimit të rreptë dhe të zjarrit të pashuar, ata do të qëndrojnë varur me turp si tradhtarë. Ata do të vuajnë sepse nuk ishin besnikë. Ata do të dëgjojnë tallje, pasi fjalët e Mia nuk u pëlqenin. Thirrje mallkimi do të ketë në gojën e tyre pasi lëvdatat dhe lavdia vetjake u pëlqenin. Sorra të gjalla, domethënë djaj që nuk ngopen kurrë, do t’i plagosin në shtyllë e megjithatë ata kurrë nuk do të konsumohen: do të jetojnë në mundime pafund dhe torturuesit e tyre do të jetojnë pambarim. Do të kenë dëshpërim të pafund dhe mjerim të pazbutshëm. Më mirë do të kish qenë për ta sikur të mos kishin lindur, sikur jeta e tyre të mos kish qenë aq e gjatë! Vendimi për punëtorët do të jetë si t’ishin dema. Demat kanë lëkurë dhe mish të fortë. Prandaj vendimi ndaj tyre do të jetë çelik i mprehtë. Ky çelik i mprehtë simbolizon vdekjen e ferrit që do t’i mundojë ata që më kanë vënë në lojë dhe kanë dashur vullnetin e tyre egoist në vend që të donin urdhëresat e Mia.

Pra letra, domethënë fjalët e Mia, u shkrua. Le të punojnë miqtë e Mi mençurisht e me maturi që ajo t’u mbërrijë armiqve të Mi, me shpresën se do të vënë mend dhe do të pendohen. Nëse, pasi të kenë dëgjuar fjalët e Mia, disa do të thonë: "Le të presim pak, nuk ka ardhur ende koha, nuk është ende koha e Tij", atëherë me natyrën Time hyjnore që e dëboi Adamin nga parajsa dhe i dërgoi dhjetë plagët Faraonit, Unë betohem se do të vij tek ta më shpejt seç pandehin. Me natyrën Time njerëzore që mora pa mëkat nga Virgjëra për shpëtimin e njerëzve dhe me të cilën vuajta në zëmër, duke provuar dhimbje në trup dhe vdekje për t’i dhënë jetë njerëzve, me të cilën u ngjalla përsëri dhe u ngjita në qiell e jam ulur në të djathtë të Atit, Hyj dhe njeri i vërtetë në një person, Unë betohem se do t’i zbatoj fjalët e Mia.

Për Shpirtin Tim që zbriti mbi apostujt ditën e Rrëshajave dhe i ndezi aq shumë ata saqë folën në gjuhët e gjithë popujve, Unë betohem se nëse ata nuk bëjnë kthesë dhe nuk kthehen tek Unë si shërbëtorë të dobët, në zemërimin Tim do të hakmerrem. Do të vuajnë në trup dhe shpirt. Do t’u vijë keq që lindën gjallë dhe jetuan në botë. Do t’u vijë keq që kënaqësia që patën ish e vogël dhe tani është e pakuptimtë e tortura e tyre do të jetë përgjithmonë. Pastaj ata do të kuptojnë çka tani nuk pranojnë ta besojnë, pra që fjalët e Mia ishin fjalë dashurie. Pastaj ata do ta kuptojnë se Unë i qortova si baba, por se ata nuk deshën të dëgjonin. Në të vërtetë, nëse nuk besojnë në fjalët dashamirëse, atyre do t’u duhet të besojnë kur të shohin ç’do të ndodhë.