Fjalët e Nënës drejtuar nuses dhe fjalët e ëmbla që Nëna dhe Biri këmbejnë me njëri-tjetrin. Fjalët e Krishtit janë të ashpra, më të ashpra, më të ashprat për të këqinjtë, por të buta, më të buta, më të butat për të mirët.
Libri 1 - KAPITULLI 58

Nëna i tha nuses: "Medito, o nuse e re, rreth Pasionit të Tim Biri. Pasioni i Tij qe më i mundimshëm se vuajtjet e të gjithë shenjtërve. Ashtu sikurse një nënë do të hidhërohej e tronditej po të shihte të birin tek ia thernin të gjallë, po ashtu edhe Unë u trondita gjatë Pasionit të tim Biri kur pashë sa i rëndë ish." Pastaj ajo i tha të Birit: "I bekuar je Ti, Biri im, pasi Ti je i shenjtë ashtu siç këndohet: 'Shenjt, Shenjt, Shenjt, Hyji Zoti i gjithësisë.' I bekuar qofsh Ti sepse Ti je i butë, më i butë, më i buti! Ti ishe i shenjtë përpara mishërimit, i shenjtë në krahërorin tim, i shenjtë pas mishërimit. Ti ishe i butë përpara krijimit të botës, më i butë se engjëjt, më i buti me mua kur u mishërove."

Biri u përgjigj: "E bekuar je ti, Nënë, mbi të gjithë engjëjt! Ashtu si Unë isha më i buti me ty, siç po thoje tani, ashtu Unë jam i ashpër, më i ashpër, më i ashpri me të këqinjtë. Jam i ashpër me ata që thonë se shumë gjëra i kam krijuar pa arësye, që blasfemojnë dhe thonë se i krijova njerëzit që të vdisnin dhe jo për të jetuar. Ç’ide mjerane dhe e palogjikshme! A mos vallë Unë që jam tejet i drejtë dhe i virtytshëm i paskam krijuar engjëjt kot? Mos vallë do e kisha pajisur natyrën njerëzore me kaq mirësi nëse do ta kisha krijuar që të mallkohej? Në asnjë mënyrë!

I kam bërë mirë të gjitha gjërat dhe nga dashuria i dhashë çdo të mirë njerëzimit. Por njerëzit i kthejnë gjithë të mirat në dëm të vetvetes. Nuk jam Unë që kam bërë ndonjë gjë të keqe, por janë ata vullneti i të cilëve priret gjetkë dhe jo nga dikton ligji hyjnor. Kjo gjë është e keqe.
Jam më i ashpër për ata që thonë se Unë u dhashë vullnet të lirë që të mëkatojnë por jo të bëjnë mirë, që thonë se Unë jam i padrejtë sepse disa i dënoj dhe të tjerë i justifikoj, që më fajtojnë për ligësinë e vet kur e largoj hirin Tim prej tyre.

Jam më i ashpri për ata që thonë se ligji Im dhe urdhëresat e Mia janë shumë të vështira dhe se askush nuk është në gjendje t’i zbatojë, që thonë se Pasioni Im është i kotë për ta dhe për këtë nuk e përfillin. Prandaj betohem për jetën Time, ashtu sikurse dikur u betova me anë të profetëve, se do ta çoj çështjen Time para engjëjve dhe gjithë shenjtërve të Mi. Ata për të cilët Unë jam i ashpër do ta kuptojnë se i kam krijuar të gjithë gjërat racionalisht dhe mirë, për dobinë dhe instruktimin e njerëzimit dhe se as krimbi më i vogël nuk ekziston pa ndonjë arësye. Atyre që u dukem më I ashpër do ta kuptojnë se Unë me urti i dhashë njeriut vullnet të lirë përsa i përket të mirës. Ata do të zbulojnë se Unë jam i drejtë e i jap mbretërinë e përjetshme njerëzve të mirë, por ndëshkimin të këqinjve.

Nuk i takon djallit, të cilin e krijova të mirë, por që ra për shkak të ligësisë së vet, që të rrijë në shoqërinë e të mirëve. Të këqinjtë do ta kuptojnë edhe që nuk është faji Im por i tyri që ata janë të ligë. Në të vërtetë, nëse do të ishte e mundur, Unë me gëzim do ta merrja mbi vete ndëshkimin që i takon çdokujt, ashtu si dikur vuajta në kryq për të gjithë, që ata të mund t’i kthehen trashëgimisë së premtuar.

Por njerëzit gjithmonë ia kundërvënë vullnetin e vet Timit. U dhashë liri për të më shërbyer nëse do të dëshironin, e kështu të mund të fitonin një shpërblim të përjetshëm. Por nëse nuk do ta dëshironin, ata do të bashkëndanin ndëshkimin që djalli meritoi për ligësinëe e vet e si pasojë e së cilës u krijua me të drejtë ferri. Duke qenë se Unë jam plot me dashuri, Unë nuk desha që njerëzit të më shërbenin nga frika apo pse ishin të detyruar si kafshë pa arësye, por nga dashuria për Hyjin, sepse askush që më shërben me pahir apo nga frika e ndëshkimit nuk do ta shohë fytyrën Time.

Ata për të cilët jam më i ashpri do ta kuptojnë në ndërgjegjen e tyre se ligji Im ishte i butë dhe zgjedha ime e lehtë. Do të trishtohen e s’do të gjejnë ngushëllim që e refuzuan ligjin Tim dhe deshën botën zgjedha e së cilës është më e rëndë dhe shumë më e vështirë se e Imja." Pastaj Nëna e Tij u përgjigj: "I bekuar je Ti, Biri im, Hyji im dhe Zoti im! Duke qenë se Ti ishe gëzimi im i ëmbël, lutem që të tjerët të kenë pjesë në këtë ëmbësi." Biri u përgjig: "E bekuar je ti, e shtrenjta Nëna ime! Fjalët e tua janë të ëmbla dhe plot dashuri. Prandaj, do t’i ecë mirë kujtdo që e pranon ëmbëlsinë tënde në gojën e vet dhe e mban pa të metë. Por kushdo që e pranon dhe e refuzon do të ndëshkohet akoma më shumë." Pastaj Virgjëra u përgjigj: "I bekuar je Ti Biri im për gjithë dashurinë tënde!"