Fjalët e Krishtit, në prani të nuses, ku me shëmbëlltyra Krishti krahasohet me një fshatar, priftërinjtë e mirë me një bari të mirë, priftërinjë e këqinj me një bari të keq dhe të Krishterët e mirë me një bashkëshorte. Këto shëmbëlltyra janë të dobishme për shumë arësye.
Libri 1 - KAPITULLI 59

Unë jam Ai që kurrë nuk ka thënë një gënjeshtër. Bota më merr për një fshatar emri i të cilit tingëllon pa lezet. Fjalët e Mia mbahen për marrëzi dhe shtëpia Ime konsiderohet si barakë pa vlerë. Tani ky fshatar na kish një grua që nuk dëshironte tjetër gjë përveç asaj që dëshironte i shoqi, që e kish gjithçka bashkë me të shoqin dhe e pranonte si zotërinë e vet, duke iu bindur në gjithçka. Ky fshatar na kish edhe shumë dele dhe për pesë monedha ari pajtoi një bari që t’i ruante delet dhe që të kujdesej për nevojat e tij të përditshme. Ky ishte bari i mirë që e përdori mirë, sipas nevojave, arin dhe ushqimin. Më pas vendin e këtij bariu e zuri një bari tjetër që nuk qëndronte në lartësine e të parit e që e përdori arin për të blerë grua të cilën e ushqente me ushqimin e vet, duke u marrë vazhdimisht me të pa u kujdesur për delet e shkreta që ndiqeshin dhe hallakateshin nga bishat e egra. Kur fshatari i pa delet e veta, ai bërtiti duke thënë:

’Bariu nuk më është besnik. Delet e mia janë hallakatur dhe disa i kanë shqyer bishat, ndërsa të tjera kanë ngordhur e mishi i tyre ka mbetur pa ngrënë.' Pastaj e shoqja i tha fshatarit: 'Imzot, nuk ka dyshim që nuk nuk mund t’i marrim më trupat e shqyer. Por le të marrim në shtëpi e të përdorim trupat e paprekur edhe pse nuk kanë më frymë. Do të ishte e padurueshme nëse do mbeteshim fare pa gjë.' I shoqi iu përgjigj: 'Ç’të bëjmë? Kafshët kishin dhëmbë helmues, prandaj mishi i deleve është infektuar me helm vdekjeprurës, lëkura është prishur, leshi është bërë gjithë njolla.' E shoqja iu përgjigj: 'Nëse gjithçka ka shkuar dëm dhe ka humbur, me çfarë do të jetojmë?' I shoqi iu përgjigj:

'Shoh se ka ende dele të gjalla në tre vende. Disa ngjajnë si dele të ngordhura dhe nuk guxojnë të marrin frymë nga frika. Të tjera janë zhytur thellë në baltë dhe nuk arrijnë të dalin prej aty. Të tjerat janë fshehur e nuk guxojnë të dalin. Eja, grua, le t’i ndihmojnë të ngrihen delet që kanë nevojë për ndihmë dhe le të përdorim ato!' Ja Unë, Zoti, jam ai fshatar. Njerëzit më kujtojnë një gomar të rritur në stallë sipas natyrës dhe zakoneve të veta. Emri Im është mendja e Kishës së Shenjtë. Ajo konsiderohet e neveritshme duke qenë se sakramentet e Kishës, pagëzimi, konfirmimi, vajosja, rrëfimi dhe martesa nuk merren seriozisht dhe u administrohen të tjerëve me grykësi.

Fjalët e Mia mbahen për marrëzi sepse fjalët e gojës Sime, që thashë me shëmbëlltyra, janë kthyer nga fjalë shpirtërore në zbavitje për shqisat. Shtëpia Ime konsiderohet e neveritshme pasi njerëzit duan gjërat e tokës dhe jo ato qiellore. Bariu i parë simbolizon miqtë e Mi, domethënë priftërinjtë që kam patur në Kishën e shenjtë, pasi me ‘një’ Unë nënkuptoj shumë. Atyre u besova delet e Mia, domethënë trupin Tim tejet të nderuar që ta shuguronin, si dhe shpirtrat e të zgjedhurve të Mi që t’i udhëhiqnin dhe t’i mbronin. U dhashë edhe pesë gjëra të mira, më të çmueshme se ari, konkretisht inteligjencë për të gjitha çështjet e koklavitura që ata të mund të dallonin të mirën nga e keqja, të vertëtën nga gënjeshtra.

Së dyti, u dhashë inteligjencë dhe urti për çështjet shpirtërore; kjo tani është harruar dhe tani duan urtinë njerëzore. Së treti, u dhashë dlirësinë; së katërti u dhashë maturi dhe vetëpërmbajtje në gjithçka me qëllim që ta mbanin trupin nën kontroll; së pesti, vendosmëri në zakone, fjalë dhe vepra të mira. Pas këtij bariu të parë, domethënë pas këtyre miqve të Mi që ishin dikur në Kishë, erdhën barinj të këqinj. Blenë për vete grua në këmbim të arit, domethënë në këmbim të dlirësisë dhe në vend të atyre pesë gjërave të mira morën për vete trupin e një gruaje, domethënë mungesën e vetëpërmbajtjes. Prandaj shpirti Im është larguar prej tyre.

Kur e kanë ndarë mendjen të mëkatojnë dhe të kënaqin gruan e tyre, domethënë epshin e tyre, ashtu siç u pëlqen, shpirti Im i braktis pasi ata nuk kujdesen për delet kur ndjekin vullnetin e vet. Delet që u shqyen krejtësisht simbolizojnë shpirtrat që kanë përfunduar në ferr, trupat e të cilëve janë varrosur dhe presin të ringjallen për mallkimi të përjetshëm. Delet trupat e të cilave kanë mbetur por shpirtrat u janë marrë simbolizojnë ata që nuk më duan, nuk kanë frikë nga Unë, nuk kanë devocion ndaj Meje e as duan t’ia dinë për Mua.

Shpirti Im qëndron larg tyre pasi dhëmbët helmues të bishave e kanë helmatisur mishin e tyre; me fjalë të tjera, mendimet dhe shpirti i tyre, të simbolizuar nga të brendshmet dhe mishi i deleve, janë të neveritshme për Mua dhe më vjen ndot si të ishin mish i helmatisur. Lëkura e tyre, domethënë trupi, është shterpë nga çdo e mirë dhe dashuri dhe e papërshtatshme për mbretërinë Time. Pas gjykimit do të përfundojë në zjarrin e pashuar të ferrit. Leshi i tyre, domethënë veprat e tyre, janë aq të padobishme, saqë nuk ka asgjë në to që t’i bëjë të meritojnë dashurinë dhe hirin Tim.

Atëherë, o gruaja Ime, domethënë o ju të Krishterë të mirë të simbolizuar nga gruaja, ç’mund të bëjmë ne? Unë shoh se ka ende dele të gjalla në tre vende. Disa prej tyre duken si dele të ngordhura dhe nuk guxojnë të marrin frymë nga frika. Këto janë ata paganë që do të dëshironin të kishin fenë e vërtetë, mjaft që ta njihnin atë. Por ata nuk guxojnë të marrin frymë, domethënë nuk guxojnë ta lënë besimin që kanë dhe të pranojnë fenë e vërtetë. Grupi i dytë i deleve janë ato që qëndrojnë në vende të fshehta e nuk guxojnë të dalin. Këta janë Hebrenjtë të cilët si të thuash ndodhen pas një perdeje. Do të dilnin me gëzim prej aty nëse do të ishin të sigurtë se Unë kam lindur. Ata janë fshehur pas një perdeje duke qenë se shpresa e tyre për shpëtim është në figurat dhe shenjat që më simbolizonin Mua në Ligj, por që në të vërtetë janë plotësuar në Mua. Për shkak të shpresës së tyre boshe ata kanë frikë të dalin e të vijnë tek feja e drejtë. Në vendin e tretë, delet e zhytura në baltë, janë të Krishterët që janë në mëkat mortor. Duke qenë se i tremben ndëshkimit, ato do të dilnin me gëzim prej aty, por nuk munden dot për shkak të mëkateve të rënda dhe mungesës së dashurisë.

Prandaj, o gruaja Ime, o të Krishterët e Mi të mirë, më ndihmoni! Ashtu si gruaja dhe burri konsiderohen një trup dhe një gjymtyrë, ashtu i Krishteri është gjymtyra Ime pasi Unë jam në të dhe ai në Mua.

Prandaj, o gruaja Ime, o të Krishterët e Mi të mirë, rendni me Mua tek delet që ende marrin ca frymë dhe le t’i nxjerrim nga bataku e t’u japim jetë! Kini mëshirë për Mua pasi Unë i kam blerë delet shumë shtrenjtë! Le t’i mbajmë ato së bashku! Ju mbani shpinën ndërsa Unë mbaj kokën! Unë kam gëzim t’i mbaj në krahët e Mi. Dikur i mbajta të gjitha mbi kurriz kur kurrizin ma plagosën dhe më lidhën në kryq.

O miqtë e Mi, Unë i dua delet aq shumë saqë po të ishte e mundur të vdisja edhe një herë për secilën dele veç e veç njëlloj siç vuajta në kryq për të gjitha bashkë, do të isha gati t’i shëlboja dhe jo t’i humbisja. Prandaj me gjithë zemër u thërras miqve të Mi që të mos i kursejnë mundimet dhe të bëjnë mirë për hatrin Tim. Nëse Mua nuk m’i kursyen qortimet kur isha në botë, atëherë ata nuk duhet ta kursejnë veten për të folur të vërtetën rreth Meje. Unë nuk pata turp t’I nënshtrohesha një vdekjeje të përbuzshme për hir të tyre, por qëndrova atje ashtu siç kisha lindur, lakuriq në sytë e armiqve të Mi. Më goditën dhëmbët me grushta; më tërhoqën me gishta nga flokët; më fshikulluan me kamzhikë; më kryqëzuan me veglat e tyre dhe qëndrova në kryq bashkë me hajdutët dhe cubat.

Prandaj miqtë e Mi, mos i kurseni mundet për Mua që durova këto gjëra nga dashuria për ju! Përpiquni trimërisht dhe ndihmojini të gjitha delet e Mia nevojtare! Për natyrën Time njerëzore që ështe tek Ati ashtu si Ati është tek Unë dhe për natyrën Time hyjnore që është në Shpirtin Tim ashtu si Shpirti është në të, dhe ashtu si po ai Shpirt është në Mua dhe Unë në Të, të tre duke qenë një Hyj në tre Persona, Unë betohem se do dal t’i takoj ata që përpiqen të mbajnë delet e Mia me Mua dhe do t’i ndihmoj ato gjatë rrugëtimit. Dhe do t’u jap atyre një shpërblim të çmueshëm: Veten Time për gëzimin e tyre të amshuar.