Fjalët e Mbretëreshës së Qiellit drejtuar bijës së saj të shtrenjtë për ta mësuar se si ta dojë dhe lëvdojë Birin e saj së bashku me Nënën e tij.
Libri 1 - KAPITULLI 8

Unë jam Mbretëresha e Qiellit. Ti po mendoheshe se si duhet të më lëvdosh. Të jesh e sigurtë se të gjitha lavdet që i thuren tim Biri, janë lavde për mua. Dhe ata që e çnderojnë atë, më çnderojnë mua, sepse dashuria ime për të dhe e tija për mua ishte aq e flaktë saqë të dy ishim si një zemër. Aq shumë më nderonte mua, që isha një enë argjile, saqë më lartësoi mbi të gjithë engjëjt. Prandaj duhet të më lëvdosh kështu: “I bekuar je ti o Hyj, Krijues i të gjithë gjërave, që denjove të zbresësh në krahërorin e Virgjërës Mari. I bekuar je ti, o Hyj, që denjove të rrish në Virgjërën Mari pa iu bërë barrë dhe more trup të panjollë prej saj pa mëkat.

I bekuar je ti, o Hyj, që erdhe tek Virgjëra duke i dhënë gëzim shpirtit dhe gjithë trupit të saj dhe linde mga ajo në gëzimin e panjollë të të tërë trupit të saj. I bekuar je ti, o Hyj, që pasi u ngrite në qiell e ngazëlleve Virgjërën Mari me ngushëllime të vazhdueshme dhe e vizitove me ngushëllimin tënd. I bekuar je ti, o Hyj, që e more trup dhe shpirt Virgjërën Mari, Nënën tënde, në Qiell dhe e nderove duke e vendosur pranë hyjnisë sate mbi të gjithë engjëjt. Ki mëshirë për mua për hir të lutjeve të saj!