Tre gjëra të mrekullueshme që Krishti ka bërë për nusen. Engjëjt janë shumë të bukur, ndërsa djajtë shumë të shëmtuar për t’u parë. Përse Krishti pranoi ta ulë veten duke ardhur si mik tek një e ve si ajo.
Libri 2 - Kapitulli 18

Unë kam bërë tre gjëra të mrekullueshme për ty. Ti shikon me sytë e shpirtit. Ti dëgjon me veshët e shpirtit. Me të prekurit fizik të dorës ti ndjen shpirtin Tim në gjoksin tënd. Ti i sheh pamjet jo ashtu si ato janë në fakt. Pasi nëse do të shikoje bukurinë shpirtërore të engjëve dhe të shpirtrave të shenjtë, trupi yt nuk do të duronte pamjen e do të copëtohej si një enë e brishtë nga gëzimi i shpirtit përpara një pamjeje të tillë. Nëse do t’i shihje djajtë ashtu siç janë do të vazhdoje të jetoje me trishtim të madh ose do të vdisje papritmas nga tmerri i pamjes së tyre. Për këtë arësye qeniet shpirtërore të shfaqen sikur të kishin trupa.

Engjëjt dhe shpirtrat ty të shfaqen në përngjasim të qenieve njerëzore. Djajtë të shfaqen si qenie të vdekshme, si për shembull në formën e kafshëve apo të krijesave të tjera. Krijesa të tilla kanë shpirt që vdes bashkë me trupin. Ndërsa djajtë nuk vdesin në shpirt por jetojnë gjithnjë. Fjalët shpirtërore të fliten me anë analogjive, përndryshe ti nuk do të mund t’i kuptoje. Gjëja më e mrekullueshme nga të gjitha është që ti e ndjen shpirtin Tim të lëvizë në zemrën tënde."

Pastaj ajo u përgjigj: "O Zoti im, Biri i Virgjërës, pse e ke ulur veten duke pranuar të vish si mik tek një e ve kaq e ulët, e varfër në çdo vepër të mirë dhe me intelekt kaq të dobët dhe zhytur në mëkat për shumë kohë?" Ai iu përgjigj: "Unë mund të bëj tre gjëra. E para, mund ta pasuroj një të varfër dhe t’i jap zgjuarsi një të marri. Jam në gjendje të rinoj një të moshuar. Njëlloj si feniksi që grumbullon degë të thata. Mes tyre është dega e një farë peme që nga natyra është e thatë së jashtmi dhe e ngrohtë nga brenda. Ngrohtësia e rrezeve diellore vjen aty dhe e ndez dhe pastaj të gjitha degët marrin flakë prej saj. Në të njëjtën mënyrë ti duhet të mbledhësh virtyte me të cilat të rimëkëmbesh nga mëkatet.

Mes tyre duhet të kesh një copë dru të ngrohtë nga brenda dhe të thatë nga jashtë; domethënë zemra jote duhet të jetë e thatë dhe e pastër nga të gjitha sensualitetet tokësore nga jashtë dhe plot me dashuri brenda që të mos duash dhe të dëshirosh tjetër gjë përveç Meje. Pastaj zjarri i dashurisë Sime do të të vijë në zemër dhe kështu do të ndizesh me të gjitha virtytet. Krejtësisht e përflakur prej tyre dhe e pastruar nga mëkatet, ti do të ngrihesh si zogu i rinuar, e çliruar nga lëkura e sensualitetit."