Virgjëra e lavdishme i tregon bijës si e zbritën Krishtin nga kryqi dhe për hidhërimin dhe ëmbëlsinë e saj gjatë pasionit të të Birit. Shpirti simbolizohet nga një virgjër, ndërsa dashuria për botën dhe dashuria për Hyjin nga dy të rinj. Cilësitë që shpirti duhet të ketë si virgjër.
Libri 2 - Kapitulli 21

Maria tha: "Ti duhet të reflektosh mbi pesë gjëra, bija ime. Së pari për gjymtyrët e tim Biri që ngrinë kur Ai vdiq, për gjakun që i rrodhi nga plagët teksa vuante e që iu mpiks mbi çdo gjymtyrë. Së dyti, për zemrën që ia shpuan egërsisht dhe pa mëshirë me heshtë. Së treti duhet të reflektosh për uljen e Tij nga kryqi! Dy personat që e zbritën nga kryqi përdorën tre shkallë: njëra i mbërrinte tek këmbët, e dyta poshtë sqetullave, e treta në mes të trupit.

I pari u ngjit dhe e mbajti nga mesi. Tjetri, duke u ngjitur nga një shkallë tjetër, më parë shkuli një gozhdë nga njëri krah, pastaj e zhvendosi shkallën dhe shkuli gozhdën nga dora tjetër. Gozhdët kishin depërtuar në traun horizontal. Pastaj ai që po mbante peshën e trupit nisi të zbriste ngadalë e me kujdes, ndërsa tjetri u ngjit në shkallën që arrinte tek këmbët dhe i shkuli gozhdët nga këmbët. Kur e zbritën përtokë, njëri prej tyre e mbajti trupin nga koka dhe tjetri nga këmbët. Unë, Nëna e Tij, e mbajta nga mesi. E kështu të tre e çuam tek një shkëmb ku pata shtruar një çarçaf të pastër dhe me të i mbështollëm trupin. Nuk i qepa bashkë skajet e çarçafit pasi e dija se Ai nuk do të tretej në varr.

Pastaj erdhi Maria Magdalena dhe të tjera gra të shenjta. Edhe engjëj, të shumtë në numër sa atomet e diellit, erdhën atje për t’i shfaqur besnikërinë Krijuesit të tyre. Nuk mund të përshkruhet dhimbja ime. Isha si një grua që lind e që pasi lind i dridhet çdo gjymtyrë. Edhe pse dhimbja e pengon të marrë frymë lirisht, prapë ka gëzim në zemër sepse e di se fëmija që ka sjellë në jetë nuk do t’i kthehet më kurrë asaj përvoje të dhimbshme që sapo ka kaluar. Po kështu edhe pse nuk kish dhimbje më të madhe se e imja, prapë unë gëzoja me shpirt sepse e dija se im Bir nuk do të vdiste më por do të jetonte përgjithmonë.

Kështu që dhimbja ime ish përzier me një farë gëzimi. Unë mund të them me të vërtetë se në varrin ku u varros im Bir ishin dy zemra. A nuk shkruhet: 'Atje ku e ke thesarin, atje e ke edhe zemrën'? Po ashtu, zemra dhe mendja ime shkonin vazhdimisht tek varri i tim Biri." Pastaj Nëna e Hyjit vazhdoi të thoshte: "Do të ta përshkruaj gjendjen e njeriut me anë të një metafore. Ai i përngjan një virgjëre të fejuar përballë së cilës gjendeshin dy rinj. Njëri prej tyre i tha asaj:
'Të këshilloj të mos i zësh besë të fejuarit tënd. Nuk është tolerant, mezi e fut dotën në xhep, është dorështrënguar në dhurata. Do të jetë më mirë për ty nësë më beson mua e unë do të të njoh me një tjetër njeri që s’është i ashpër por i butë në çdo drejtim, që të jep ç’të duash menjëherë dhe që do të të bënte plot dhurata të bukura.'

Virgjëra, pasi e dëgjoi këtë, mendoi e u përgjigj: 'Fjalët e tua tingëllojnë bukur. Ti vetë je i ëmbël dhe tërheqës në sytë e mi. Them se duhet ta ndjek këshillën tënde.' Kur e hoqi unazën për t’ia dhënë të riut, i kapi syri tre thënie të gdhendura në të. E para ishte: 'Kur të arrish në majë të pemës, kujdes se mos mbështetesh në ndonjë degë të thatë dhe bie!' Thënia e dytë ishte: 'Mos prano këshilla nga armiku!'

Thënia e tretë ishte: 'Mos e vendos zemrën mes dhëmbëve të luanit!' Kur virgjëra i pa këto tre thënie, ajo e shtrëngoi unazën duke menduar me vete: 'Shoh se këto tre thënie mund të kenë kuptimin që nuk i duhet zënë besë këtij njeri që dëshiron të më marrë për nuse. Kam frikë se fjalët e tij janë boshe; ai është plot urrejtje dhe do të më vrasë.' Ndërsa po mendonte kështu, ajo pa përsëri dhe vuri re se ishin gdhendur edhe tre thënie të tjera.

Thënia e parë ishte: 'Jepi atij që të jep!' Thënia e dytë ishte: 'Jep gjak për gjak!' Thënia e tretë ishte: 'Mos ia merr të zotit atë që i takon!' Kur virgjëra i lexoi, ajo prapë mendoi me vete: 'Tre thëniet e para më mësojnë si t’i shpëtoj vdekjes, tre të tjerat si të fitoj jetën. Prandaj duhet të ndjek fjalët e jetës.' Pastaj virgjëra thirri shërbëtorin e atij me të cilin ishte fejuar fillimisht. Kur ai erdhi, personi që donte ta mashtronte u largua.

Kështu ndodh me shpirtin e një personi të fejuar me Hyjin. Dy të rinjtë që qëndrojnë para shpirtit përfaqësojnë miqtë e Hyjit dhe miqtë e botës. Miqtë e botës i janë afruar më tepër atij deri tani. I kanë folur për pasuri dhe lavdi tokësore dhe ai për pak sa nuk ua ka dhënë atyre unazën e dashurisë duke rrezikuar t’u bindej. Por hiri i tim Biri e ndihmoi të shihte disa fjalë të gdhendura, pra ai dëgjoi fjalët e mëshirës së Tij dhe kuptoi tre gjëra prej tyre. E para, që të kishte kujdes se sa më lart të ngjitej dhe sa më shumë t’u zinte besë gjërave kalimtare, aq më e keqe do të ishte rënia që i kanosej.

E dyta, ai kuptoi se nuk kishte asgjë në botë përveç trishtimit dhe halleve. E treta, se shpërblimi nga djalli do të ishte i keq. Pastaj pa të tjera fjalë të gdhendura e dëgjoi mesazhe ngushëlluese. Mesazhi i parë ishte se ai duhet t’ia jepte çka zotëronte Hyjit të vet nga i Cili kish marrë gjithçka kish. E dyta ishte se ai duhet ta vinte trupin e vet në shërbim të Atij që kish derdhur gjakun për të. E treta ishte se ai nuk duhej të largohej nga Hyji që e kish krijuar dhe shëlbuar. Tani që ai i di këto gjëra dhe i ka peshuar me kujdes, atij i afrohen shërbëtorët e Hyjit dhe kjo e gëzon, ndërsa shërbëtorët e botës largohen prej tij.

Shpirti i tij tani është si një virgjër e ripërtërirë nga përqafimi i dhëndrit dhe duhet të ketë tre gjëra. E para duhet të ketë rroba të mira që të mos e përflasin shërbëtorët e mbretit. E dyta, shpirti duhet t’i bindet vullnetit të dhëndrit që të mos e çnderojë atë me sjelljet e veta. E treta, duhet të jetë krejtësisht i pastër që dhëndri të mos gjejë asnjë njollë në të që ta bëjë ta përçmojë apo ta ndajë.

Duhet të ketë kush t’i prijë për në banesën e dhëndrit që të mos humbasë rrugën nëpër qytet apo nëpër koridoret e ngatërruara. Prijësi duhet të ketë dy karakteristika: e para, duhet që personi që e ndjek të mund ta shikojë; e dyta, ai që e ndjek duhet të jetë në gjendje t’i dëgjojë udhëzimet e tij. Ndërsa vetë personi që ndjek prijësin duhet të ketë tre karakteristika. E para, nuk duhet të jetë i avashtë dhe i plogësht në ndjekje. E dyta, nuk duhet të fshihet nga personi që i prin. E treta, ai duhet t’i kushtojë vëmendje me kujdes dhe t’i ndjekë hapat e udhëheqësit e ta ndjekë atë me dëshirë. Prandaj që shpirti të arrijë në banesën e dhëndrit është e nevojshme që të udhëhiqet nga një prijës i aftë për ta çuar tek Hyji, dhëndri i vet."