Virgjëra i drejtohet bijës dhe ankohet që ka kaq pak miq; Krishti i flet nuses dhe i krahason fjalët e shenjta me lulet dhe shpjegon cilët janë ata në të cilët këto fjalë japin fryt.
Libri 2 - Kapitulli 24

Maria po thoshte: "Imagjino diku një ushtri të madhe dhe një person që po ecën aty pranë me një peshë të rëndë mbi shpinë dhe krahë. Me sytë e mbushur me lotë, ai sheh nga ushtria për të parë nëse ndonjërit i vjen keq për të dhe e ndihmon. Kështu ndjehesha unë. Qysh kur lindi im Bir e derisa vdiq, jeta ime ishte e mbushur me prova. Mbajta një peshë të rëndë në shpinë dhe vazhdova me këmbëngulje ta kryeja vullnetin e Hyjit e me durim i bëra ballë çdo gjëje që më ndodhi. Durova të mbaja një peshë të rëndë në krahë në kuptimin që provova më shumë dhimbje në zemër dhe pata prova më shumë se çdo krijesë.

Sytë m’u mbushën me lotë kur pashë në trupin e tim Biri vendet e destinuara për gozhdët dhe pasionin e Tij të ardhshëm dhe kur kuptova se të gjitha profecitë që kishin thënë profetët përmbusheshin në Të. Dhe tani unë i hedh sytë rreth e rrotull nëpër botë për të parë se mos ndonjërit i vjen keq për mua dhe i kushton vëmendje dhimbjes sime, por gjej shumë pak që mendojnë për dhimbjet dhe provat e mia. Prandaj, bija ime, edhe pse më kanë harruar dhe neglizhuar shumë vetë, ti nuk duhet të më harrosh! Silli ndërmend përpjekjet e mia dhe imitoji ato aq sa mundesh! Soditi dhimbjen dhe lotët e mi dhe të të vijë keq që miqtë e Hyjit janë kaq të paktë. Mos u përkul! Shih, im Bir po vjen."

Ai erdhi menjëherë dhe tha: "Unë që po të flas jam Hyji dhe Zoti yt. Fjalët e mia janë si lulet e një peme të bukur. Edhe pse të gjitha lulet çelin nga nga po e njëjta rrënjë peme, jo të gjitha japin fryt. Fjalët e mia janë si lule që çelin nga rrënja e dashurisë hyjnore. Disa i pranojnë dhe i mbajnë për një farë kohe dhe më vonë nuk i duan më pasi janë mosmirënjohës ndaj Shpirtit tim. Disa i pranojnë dhe i mbajnë pasi janë plot dashuri dhe në ta lind fryti i përshpirtshmërisë dhe i veprave të shenjta.

Prandaj ti, nusja ime, që më përket me të drejtë hyjnore, duhet të kesh tre shtëpi. Tek e para duhet mbajtur ushqimi i nevojshëm për trupin; tek e dyta rroba për të dalë; tek e treta vegla të nevojshme për përdorim shtëpiak. Në të parën duhet të ketë tre gjëra: së pari bukë; pastaj pije; dhe së treti mish. Në shtëpinë e dytë duhet të ketë tre gjëra: së pari rroba të linjta; pastaj të leshta dhe në fund të mëndafshta. Edhe në shtëpinë e tretë duhet të ketë tre gjëra: së pari vegla dhe enë për lëngje; së dyti vegla të gjalla si kuaj, gomerë e të tjerë të kësaj natyre, për të udhëtuar; dhe së treti instrumenta që vihen në përdorim nga gjallesat."