Fjalë të admirueshme që Nëna e Hyjit i thotë nuses dhe rreth pesë shtëpive në botë banorët e të cilave përfaqësojnë pesë gjendjet e njerëzve, konkretisht të të Krishterëve mosmirënjohës, të Hebrenjve kokëfortë dhe paganëve veç e veç, të Hebrenjve dhe paganëve së bashku dhe të miqve të Hyjit. Ky kapitull përmban shumë gjëra të dobishme.
Libri 2 - Kapitulli 3

Maria tha: "Është e tmerrshme që Zoti i gjithçkaje dhe Mbreti i lavdisë përçmohet. Ai ishte si një shtegtar mbi tokë që endet nga një vend tek tjetri e troket në shumë dyer duke kërkuar mikpritje. Bota ishte si një vendbanim me pesë shtëpi. Kur im Bir erdhi i veshur si shtegtar tek shtëpia e parë, Ai trokiti në derë dhe tha: 'Mik, hapma derën dhe lërmë të hyj të pushoj e të rri me ty që të mos më shqyejnë bishat, që të mos më kapin stuhitë dhe shiu! Më jep ca prej teshave të tua që të më mbajnë ngrohtë e ta mbuloj lakuriqësinë Time! Jepmë ca nga ushqimi yt për ta shuar urinë dhe diçka për të pirë që ta marr veten. Hyji do të ta shpërblejë!'

Personi nga brenda iu përgjigj: 'Ti nuk ke fare durim, prandaj nuk mund të jetosh paqësisht me ne. Je shumë i gjatë. Prandaj nuk të veshim dot. Je shumë lakmitar dhe grykës, prandaj nuk të ngopim dot pasi oreksi yt prej grykësi nuk ka të sosur.' Krishti shtegtar u përgjigj nga jashtë: 'Mik, lërmë të hyj. Mua nuk më duhet shumë vend. Jepmë ca prej rrobave të tua sepse në shtëpi nuk ke rroba aq të vogla sa të mos më ngrohin sadopak! Jepmë ca nga ushqimi yt, pasi edhe një kafshatë e vogël do të më ngopte dhe edhe një pikë uji do të ma shuante etjen e do të më forconte.' Personi nga brenda ia ktheu: 'Të njohim shumë mirë ne Ty.

Je i përvuajtur me fjalë por i bezdisshëm me kërkesat e Tua. Dukesh sikur kënaqesh lehtë, por në fakt je i pangopur kur vjen puna për të ngrënë. Ke shumë ftohtë dhe është vështirë të të veshësh. Largohu, nuk të pranoj brenda!' Pastaj Ai erdhi tek shtëpia e dytë dhe tha: 'Mik, hape derën dhe shikomë! Do të të jap çfarë të nevojitet. Do të të mbroj nga armiqtë.' Personi nga brenda u përgjigj: 'I kam sytë e dobët. Do t’u bënte keq po të të shihnin. Kam gjithçka me bollëk dhe nuk kam nevojë për asgjë Tënden. Jam i fortë dhe i fuqishëm. Kush mund të më bëjë keq?' Duke ardhur pastaj tek shtëpia e tretë, Ai tha: 'Mik, vërma veshin dhe dëgjomë! Zgjati duart dhe merrmë! Hape gojën dhe shijomë!'

I zoti i shtëpisë u përgjigj: 'Bërtit më fort që të të dëgjoj më mirë! Nëse je i mirë, do të të afroj. Nëse je i këndshëm, do të të lë të hysh.' Pastaj Ai shkoi tek shtëpia e katërt dera e së cilës ishte e hapur gati përgjysëm. Ai tha: 'Mik, nëse do të reflektoje se kohën e ke shpenzuar kot, ti do të më pranoje brenda. Nëse do ta kuptoje dhe dëgjoje se çfarë kam bërë për ty, do të të vinte keq për Mua. Nëse mban parasysh se sa shumë më ke fyer, do të psherëtije dhe do të kërkoje falje.' Personi iu përgjigj: 'Gati po vdisnim duke të të pritur dhe duke të të dëshiruar. Ki mëshirë për të ligat tona dhe do të jemi mëse të gatshëm të ta japim vetveten. Shikoje mjerimin tonë dhe vështro makthin e trupit tonë dhe do të jemi të gatshëm për çdo dëshirë Tënden.' Pastaj Ai erdhi tek shtëpia e pestë që ishte krejtësisht e hapur. Ai tha: 'Mik, me kënaqësi do të hyja këtu, por ta dish se Unë kërkoj një vend prehës më të butë se një dyshek me pupla, ngrohtësi më të madhe se ç’japin rrobat e leshta, ushqim më të freskët se mishi i kafshëve të sapotherura.'

Ata që ishin brenda u përgjigjën: 'Tek këmbët kemi çekiçë. Më gëzim do t’i përdorim për t’i bërë copë shputat dhe këmbët dhe do të të japim palcën që do dalë prej tyre si vend çlodhjeje. Më gëzim do të hapim pjesët më të brendshme tonat për Ty. Eja menjëherë brenda! S’ka asgjë më të butë se palca jonë ku mund të pushosh dhe asgjë më të mirë se pjesët tona më të brendshme për të të ngrohur. Zemra jonë është më e freskët se mishi i freskët i kafshëve. Jemi gati ta presim për të të ushqyer. Vetëm eja brenda! Sepse Ti je i ëmbël dhe i mrekullueshëm. Banorët e këtyre pesë shtëpive përfaqësojnë pesë gjendje të ndryshme të njerëzve në botë. Të parët janë të Krishterët jo besnikë që i quajnë të padrejta vendimet e tim Biri, të rreme premtimet e Tij dhe të padurueshme urdhëresat e Tij.

Këta janë ata që me mendime, mendje dhe blasfemi u thonë predikuesve të tim Biri: 'Ai mund të jetë fare mirë i plotfuqishëm, por Ai është shumë larg dhe i paarritshëm. Është i lartë dhe i gjerë dhe nuk ke si e vesh. Është i pangopur dhe nuk ke si e ushqen. Nuk ka fare durim dhe nuk rrihet dot me Të.' Ata thonë se Ai është shumë larg sepse janë të dobët në vepra të mira dhe dashuri dhe nuk përpiqen që ta arrijnë mirësinë e Tij. Ata thonë se Ai është i gjerë, sepse grykësia e tyre nuk ka kufi: gjithmonë ankohen se u mungon apo u nevojitet diçka dhe gjithmonë imagjinojnë probleme përpara se ato të ekzistojnë. Ata gjithashtu e akuzojnë Atë si të pangopur sepse qielli dhe toka nuk i mjaftojnë por kërkon dhurata edhe më të mëdha nga njerëzit.

U duket marrëzi që të heqin dorë nga gjithçka për hir të shpirtit të tyre në përputhje me këshillat dhe u duket e dëmshme që t’i japin trupit më pak. Ata thonë se Ai nuk ka durim sepse Ai i urren veset dhe u dërgon gjëra kundër vullnetit të tyre. Ata mendojnë se asgjë nuk është e mirë dhe e dobishme përveç atyre që kënaqësia e trupit u dikton. Sigurisht që im Bir është me të vërtetë i plotfuqishëm në qiell dhe në tokë, Krijuesi i gjithçkaje dhe i krijuar prej askujt, që ekziston përpara gjithçkaje e pas të cilit askush nuk ka për të ardhur. Ai është me të vërtetë më i largëti, më i gjeri dhe më i larti, brenda, jashtë dhe mbi gjithçka.

Por edhe pse Ai është kaq i fuqishëm, prapë se prapë nga dashuria Ai dëshiron që të vishet me ndihmën e njerëzve – Ai që nuk ka nevojë për rroba, që vesh gjithçka dhe vetë është veshur përjetësisht dhe pandryshueshmërisht me nder dhe lavdi të amshuar. Ai që është buka e engjëjve dhe e njerëzve, që ushqen gjithçka dhe vetë nuk ka nevojë për asgjë, dëshiron të ushqehet me dashuri njerëzore. Ai që është vendosësi dhe autori i paqes kërkon prehje nga njerëzit. Prandaj kushdo që e mirëpret mund ta ngopë edhe me një kafshatë bukë për sa kohë ai synon të bëjë mirë. Ai mund ta veshë Atë me një fill të vetëm për sa kohë dashuria e tij digjet flakë. Një pikë e vetme mund t’ia shuajë etjen nëse personi ka predispozitat e duhura.

Për aq kohë sa devotshmëria e një personi është e flaktë dhe e qëndrueshme, ai është i aftë ta mirëpresë tim Bir në zemrën e vet dhe të flasë me Të. Hyji është shpirt dhe për këtë arësye Ai ka dashur t’i shndërrojë krijesat prej mishi në qenie shpirtërore dhe qeniet kalimtare në të përjetshme. Çka u ndodh gjymtyrëve të trupit të Vet, Ai e konsideron se i ndodh edhe Atij. Ai merr parasysh jo vetëm veprat apo aftësitë e njeriut, por edhe vullnetin dhe synimin me të cilin kryhet një vepër. Në të vërtetë, sa më shumë im Bir u thërret njerëzve të tillë me anë të frymëzimeve të fshehta dhe sa më shumë u tërheq vëmendjen me anë të predikuesve të Tij, aq më të pandjeshëm ata bëhen ndaj Tij.

Ata nuk dëgjojnë e as ia hapin derën e vullnetit e as e lënë të hyjë nëpërmjet veprave të dashurisë. Prandaj, kur u vjen koha, fallciteti ku mbështeten do të asgjësohet, e vërteta do të lartësohet dhe lavdia e Hyjit do të jetë e qartë. Të dytët janë Hebrenjtë kokëfortë. Këta e konsiderojnë veten të arësyeshëm sa s’ka më dhe e konsiderojnë urtinë si drejtësi ligjore. Vënë në dukje veprat e tyre dhe i konsiderojnë më të denja se veprat e të tjerëve. Nëse dëgjojnë për gjërat që ka bërë im Bir, ata i përbuzin. Nëse i dëgjojnë fjalët dhe urdhëresat e Tij, ata reagojnë me tallje.

E ç’është më e keqja, ata do ta konsideronin veten mëkatarë dhe të papastër qoftë sikur edhe vetëm të dëgjonin dhe reflektonin mbi ndonjë gjë që ka të bëjë me tim Bir dhe si më fatkeqë dhe mjeranë nëse do të imitonin veprat e Tij. Por për sa kohë erërat e fatit mondan vazhdojnë të fryjnë mbi ta, ata e konsiderojnë veten me shumë fat. Për sa kohë janë të fortë fizikisht, ata e kujtojnë veten shumë të fortë. Për këtë arësye shpresat e tyre do të bëhen hi dhe nderi i tyre do të kthehet në turp.

Të tretët janë paganët. Disa prej tyre thërrasin me tallje çdo ditë: 'Kush na është ky Krishti? Nëse na mbush me dhurata të kësaj bote, me gëzim do ta pranojmë. Nëse na i fal mëkatet, do ta nderojmë akoma edhe me më tepër gëzim.' Por këta njerëz i kanë mbyllur sytë e mendjes që të mos shohin drejtësinë dhe mëshirën e Hyjit. I taposin veshët dhe nuk dëgjojnë se ç’ka bërë im Bir për ta dhe për çdo njeri. Ata e qepin gojën dhe nuk pyesin se si do të jetë e ardhmja e tyre apo se çfarë është për të mirën e tyre. I lidhin duart mbi gjoks dhe nuk pranojnë të përpiqen që të gjejnë mënyrën sesi t’i shpëtojnë gënjeshtrave dhe të zbulojnë të vërtetën. Prandaj, duke qenë se nuk duan të kuptojnë apo të marrin masa, edhe pse munden dhe kanë kohë për ta bërë këtë, ata dhe shtëpia e tyre do të shemben dhe përfshihen nga shtrëngata.

Të katërtët janë ata Hebrenj dhe paganë që do të donin të bëheshin të Krishterë sikur veç ta dinin si dhe në ç’mënyrë mund ta kënaqnin tim Bir dhe po të kishin një ndihmës. Ata dëgjojnë nga banorë të vendeve fqinje çdo ditë dhe e dinë edhe nga thirrjet e dashurisë brenda vetes, si dhe prej shumë shenjave të tjera, sa shumë im Bir ka bërë dhe vuajtur për secilin. Për këtë ata e thërrasin Atë në ndërgjegjen e tyre dhe thonë:

'O Zot, kemi dëgjuar se ke premtuar të na e japësh Vetveten. Prandaj po të presim. Eja dhe përmbushe premtimin Tënd! Ne shohim dhe kuptojmë se nuk ka fuqi hyjnore në ata që adhurohen si hyjni, as dashuri për shpirtrat, as vlerësim për dlirësinë. Tek ta gjejmë vetëm instikte, dëshirë për nderimet e botës së tanishme. Ne dimë për Ligjin dhe dëgjojmë rreth veprave të mëdha që ke kryer me mëshirë dhe drejtësi. Dëgjojmë nga thëniet e profetëve të Tu se ata po të prisnin Ty që të patën profetizuar. Prandaj eja, o Zot i mirë! Do të donim të ta jepnim vetveten sepse e kuptojnë që në Ty ka dashuri për shpirtrat, përdorim të drejtë të gjithçkaje, dlirësi të përsosur dhe jetë të amshuar. Eja pa vonesë dhe na ndriço se gati po vdesim duke të pritur!' Kështu i drejtohen tim Biri. Kjo shpjegon përse dera e tyre është e hapur përgjysëm, pasi synimi i tyre është i plotë përsa i përket së mirës, por ende nuk e kanë përmbushur. Këta janë njerëz që meritojnë të marrin hir dhe ngushëllim nga im Bir.

Në shtëpinë e pestë ndodhen miqtë e tim Biri dhe të mitë. Dera e mendjes së tyre është krejtësisht e hapur për tim Bir. Gëzohen po ta dëgjojnë të thërrasë. Ata jo vetëm që e hapin kur Ai troket, por me gëzim rendin ta takojnë ndërsa është duke hyrë brenda. Me çekiçët e këshillave hyjnore ata shkërmoqin gjithçka të shformuar që gjejnë tek vetja. Ata përgatisin një vend çlodhjeje për tim Bir, jo prej puplave të zogjve por me harmoninë e virtyteve dhe frenimin e dëshirave të këqija që është vetë palca e të gjitha virtyteve. Ata i ofrojnë tim Biri një lloj ngrohtësie që nuk vjen nga leshi por nga dashuria e flaktë e jo vetëm që i japin gjërat që u përkasin, por edhe vetveten. Gjithashtu ata përgatisin ushqim për Të që është më i freskët se çdo mish: është zemra e tyre e përkryer që nuk dëshiron apo do gjë tjetër përveç Hyjit.

Zoti i qiellit banon në zemrat e tyre dhe Hyji që ushqen gjithçka, ëmbëlsisht ushqehet prej tyre. Ata i mbajnë vazhdimisht sytë nga dera që të mos hyjë armiku, i mbajnë veshët kthyer nga Zoti dhe duart gati për t’u përleshur me armikun. Imitoji ata, bija ime, për aq sa mundesh, sepse themelet e tyre janë ndërtuar mbi shkëmb të fortë. Shtëpitë e tjera i kanë themelet mbi baltë dhe prandaj do të lëkunden kur të fryjë erë."