Krishti i shpjegon nuses kapitullin e mëparshëm, për sulmin që djalli i bën kalorësit të përmendur atje dhe dënimin e tij të tmerrshëm e të drejtë.
Libri 2 - Kapitulli 9

Tërë intervali i kësaj jete është si një orë e vetme për Mua. Prandaj çka po të tregoj tani Unë e kam paraditur gjithmonë. Të tregova më parë rreth një personi që iu fut rrugës së kalorësisë së vërtetë dhe një për një tjetër që e braktisi si i pacipë. Ai dezertoi nga radhët e kalorësve të vërtetë, e flaku mburojën tek këmbët e Mia dhe shpatën pranë Meje e i shkeli premtimet dhe betimet. Mburoja që flaku tej simbolizon fenë e drejtë me të cilën ai duhet të vetëmbrohej nga armiqtë e fesë dhe të shpirtit të tij.

Këmbët, me të cilat Unë eci drejt njerëzimit, simbolizojnë gëzimin hyjnor me të cilin e tërheq njeriun dhe durimin që kam me të. Ai e hodhi mburojën kur, duke hyrë në shenjtëroren Time, mendoi: më mirë t’i bindem zotërisë që më këshilloi të mos vetëpërmbahem, atij që më jep ç’dua dhe më lë të dëgjoj ç’më kënaq veshët. E kështu e flaku mburojën e fesë Sime për të ndjekur dëshirat e tij egoiste dhe jo Mua, për të dashur krijesën më tepër se Krijuesin.

Po të kishte patur fe të drejtë, nëse do të kishte besuar se jam i plotfuqishëm, gjykatës i drejtë dhe dhurues i lavdisë së amshuar, ai nuk do të kishte dëshiruar tjetër gjë përveç Meje. Por ai e flaku fenë tek këmbët e Mia me përçmim, nuk e vlerësoi fare e nuk u përpoq të më pëlqente Mua, por e shpërfilli durimin Tim. Pastaj e lëshoi shpatën afër Meje. Shpata simbolizon frikën nga Hyji që kalorësi i vërtetë i Hyjit duhet ta ketë gjithmonë në duar, domethënë në veprat e tij. Afërsia Ime simbolizon kujdesin dhe mbrojtjen me të cilat i strehoj dhe i mbroj fëmijët e Mi, ashtu si një klloçkë që strehon zogjtë e saj, e kështu djalli nuk u bën dot keq dhe atyre nuk u bien për pjesë prova të papërballueshme.

Ndërsa ai njeri e flaku shpatën e frikës Sime, nuk i ra ndërmend fuqia Ime dhe nuk i vlerësoi aspak dashurinë dhe durimin Tim.
E hodhi pranë Meje si për të thënë: 'As kam frikë e as dua t’ia di për mbrojtjen Tënde. E kam fituar me veprat e mia gjithçka kam.' Ai e shkeli premtimin që më pati bëri. Ç’premtim duhet t’i bëjë njeriu Hyjit? Sigurisht kryerjen e veprave të dashurisë: gjithçka bën duhet ta bëjë nga dashuria për Hyjin. Ndërsa ai në vend të dashurisë për Hyjin zgjodhi egoizmin; preferoi egoizmin në vend të lumturisë së amshuar.

Duke vepruar kështu ai u ndaj prej Meje dhe u largua nga shenjtërorja e përvujtërisë Sime. Trupi i çdo të Krishteri të përvuajtur është shenjtërorja Ime. Krenarët nuk janë shenjtërorja Ime por shenjtërorja e djallit që i ysht drejt dëshirave tokësore, sipas qëllimeve të tij. Pasi doli nga tempulli i përvujtërisë Sime dhe braktisi mburojën e fesë së shenjtë dhe shpatën e frikës, ai doli me krenari fushave e kultivoi çdo epsh dhe dëshirë pa u trembur e lulëzoi në mëkat dhe epsh.

Kur arriti në fund të jetës, djajtë i dolën përpara. Tre zëra nga ferri folën kundër tij. I pari tha: 'A nuk është ky ai që e braktisi përvujtërinë dhe na ndoqi në krenari? Nëse me këmbët e veta do kish mundur të ngjitej edhe më lart në krenari e të na e kalonte dhe të dilte i pari, ai nuk do të kish hezituar ta bënte këtë.' Shpirti u përgjigj: 'Po, unë jam ai.' Drejtësia iu përgjigj: 'Ky është shpërblimi që meriton për krenarinë: do të zbresësh poshtë nga një djall tek tjetri derisa të arrish në pjesën më të ulët të ferrit. E meqenëse nuk ka djall që të mos e dijë detyrën e vet konkrete për të ndëshkuar çdo mendim dhe vepër të kotë, nuk do t’i shpëtosh dot ndëshkimit të asnjërit e do të bashkëndash me ta ligësinë dhe të keqen e tyre.' Zëri i dytë thirri duke thënë: 'A nuk është ky ai që e braktisi shërbimin që i kish premtuar Hyjit dhe u bashkua me radhët tona?'

Shpirti u përgjigj: 'Po, unë jam ai.' Dhe drejtësia tha: 'Ky është shpërblimi që të takon: vuajtjet e tua do të shtohen për çdo kalorës që imiton sjelljen tënde dhe kur ai të vijë ne ferr do të të godasë me plagë vdekjeprurëse. Do t’i përngjash një njeriu të plagosur rëndë, taman si një njeri që i hapen plagë mbi plagë derisa i gjithë trupi i mbushet me plagë, që vuan sa s’ka më dhe parreshtur vajton fatin e vet. E vuajtja jote nuk do të fashitet kurrë. Në kulmin e vuajtjeve, ato do të ripërtërihen dhe ndëshkimi yt nuk do të ketë fund dhe vajtimet e tua nuk do të pushojnë asnjëherë.' Zëri i tretë bërtiti: 'A nuk është ky ai që në vend të Krijuesit zgjodhi krijesat, në vend të dashurisë së Krijuesit zgjodhi egoizmin?' Drejtësia u përgjigj: 'Po, ai është.

Prandaj do t’i hapen dy vrima. Nga e para do t’i depërtojë çdo ndëshkim që meriton për mëkatet, nga i vogli tek më i madhi, pasi e braktisi Krijuesin për të kënaqur epshet e veta. Nga vrima e dyta do t’i depërtojnë çdo lloj dhimbjeje dhe turpi dhe asnjë ngushëllim apo mirësi hyjnore nuk do të ketë pasi deshi vetveten dhe jo Krijuesin. Jeta e tij do të zgjasë pambarim dhe dënimi i tij nuk do të ketë fund pasi të gjithë shenjtërit e kanë braktisur.' Nusja Ime, shih ç’mjerim i pret ata që më përçmojnë dhe ç’vuajtje meritojnë për kënaqësirat e vogla kalimtare."