Gjon Ungjilltari i tregon nuses se asnjë vepër e mirë nuk mbetet pa shpërblim, se Bibla ia kalon gjithë shkrimeve të tjera dhe rreth nje mbreti - cub, trathtar, plangprishës etj. Shën Gjoni e këshillon mbretin t’i përbuzë pasuritë dhe nderet për hir të Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 1

Nuses ia shfaq një burrë. Flokëshpupurisur, trupvajosur dhe krejtësisht lakuriq, por nuk i vinte aspak zor. Ai i tha nuses: "Shkrimi, që ju e quani të shenjtë, thotë se asnjë vepër e mirë nuk do të mbesë pa u shpërblyer. Ky është Shkrimi që ju e njihni si Bibla por që, për ne, është i shndritshëm si dielli, pakrahasimisht më vezullues se ari dhe, si farë e mirë, jep fryt njëqindfish. Ashtu si ari ia kalon metaleve të tjerë, ashtu Shkrimi, që ju thoni se është i shenjtë edhe pse ne e quajmë Të Artë, ua kalon të gjithë librave të tjerë pasi aty përlëvdohet dhe shpallet Të Hyji, shpalosen veprat e patriarkëve, shpjegohen frymëzimet e profetëve.

E duke qenë se asnjë vepër e mirë nuk mbetet pa shpërblim, dëgjo ç’them: Ky mbret është cub në sytë e Hyjit, trathtar i shpirtrave dhe plangprishës. Ashtu si nuk ka trathtar më të keq se ai që trathton dikë që e do, po kështu ky mbret i trathton shpirtërisht shumë vetë kur u jep të drejtë të padrejtëve, kur përkrah padrejtësisht të pafetë, kur i shtyp të drejtët, kur nuk ndërhyn për të vënë gjërat në vend. Nuk ka as cub më të keq se ai që trathton atë që e mbështet kokën në gjoksin e tij. Banorët e këtij vendi janë, si të thuash, në gjoksin e tij, por ky mbret i plaçkit pafytyrësisht kur lejon që disave t’u merret prona, kur i ngarkon me detyrime të papërballueshme, kur i mbyll sytë përpara abuzimeve të disave, kur e ushtron pushtetin me çkujdesje. Së treti, nuk ka cub më të keq se ai që vjedh zotërinë që i ka besuar atij gjithçka dhe i ka lënë çelësat e vet. Këtij mbreti i janë dhënë çelësat e pushtetit dhe lavdisë e ai i ka përdorur ato padrejtësisht dhe pa kujdes, jo për lavdinë e Hyjit. Por meqenëse për hir të dashurisë për mua ai ka hequr dorë prej disa gjërave që i pëlqenin, kam tre këshilla për të.

E para, ai duhet t’i përngjajë djalit që në ungjill i la lendet e derrave dhe u kthye tek i ati. Edhe ky mbret duhet t’i përbuzë pasuritë dhe nderet që nuk janë veçse lende derri në krahasim të mirat e përjetshme dhe të kthehet tej Hyji, Ati i tij, me përvujtëri dhe devotshmëri. E dyta, le t’i lërë të vdekurit të varrosin të vdekurit dhe të ndjekë udhën e ngushtë të Hyjit të kryqëzuar. E treta, le të çlirohet nga barra e mëkateve dhe t’i futet rrugës që në fillim është e ngushtë dhe në fund ka gëzim.

Dhe ti që po më sheh ta dish se unë jam ai që e kuptoi plotësisht shkrimin e artë dhe shtova në të shkrimet e mia. Më zhveshëm paturpësisht por, meqenëse unë bëra durim, Hyji ma veshi shpirtin me petk të pavdekshëm. Më lyen me vaj e prandaj tani gëzoj vajin e lumturisë së përjetshme. Meqenëse u bëra mbrojtësi i Nënës së Hyjit, vdekja ime qe e lehtë (vetëm vdekja e saj ish më e lehtë se e imja) dhe trupi im tani prehet në një vend paqeje dhe sigurie të plotë."