Nusja ka një vegim të habitshëm dhe Hyji ia shpjegon. Sipas shpjegimit, kafsha simbolizon të pagëzuarit, peshku paganët dhe tre turmat miqtë e Hyjit.
Libri 4 - Kapitulli 2

Pastaj nusja pa në vegim një peshore me dy pjata që qëndronin pezull mbi tokë. Pjesa e sipërme dhe zinxhirët shkonin deri në re dhe unazat arrinin në qiell. Në pjatën e parë ndodhej një peshk. Luspat e tij ishin të mprehta brisk, pamja e tij si e një kuçedre, goja si ajo e një gjarpri helmues, veshët si heshta të mprehta, si fletë çeliku. Në pjatën tjetër gjendjej një kafshë me lëkurë si strall. Goja e stërmadhe nxirrte flakë të nxehta. Qepallat si shpata të forta. Veshët e tij të fortë lëshonin shigjeta të mprehta që dukej sikur fluturonin prej një harku të fortë e të tendosur.

Pastaj u shfaqën tre turma njerëzish në tokë. E para ishte e vogël; e dyta më e vogël; e treta e vogël fare. Një zë u foli nga qielli e u tha: "O, miq, kam shumë etje për zemrën e kafshës, ah sikur të ma dhuronin nga dashuria! E dëshiroj me zjarr gjakun e peshkut, ah sikur të kish ndonjë që të ma sillte!"

Turma u përgjigj njëzëri: "O Krijuesi ynë, si mund të ta sjellim zemrën e një kafshe kaq të madhe, me lëkurë më të fortë se stralli? Po iu afruam tek goja, na shkrumbon me zjarrin që nxjerr. Po ta vështrojmë në sy, na shpojnë shkëndijat e shigjetave të tij. Por edhe sikur ta kapnim kafshën, si i bëhet për të kapur peshkun? Ai ka luspa më të mprehta se teh shpate, sytë e tij të verbojnë, nga goja nxjerr helm vdekjeprurës!"

Zëri nga qielli u përgjigj: "O, miq, kafsha dhe peshku juve ju duken të pakapshëm, por për të Plotfuqishmin kjo është gjë e lehtë. Nga qielli Unë do t’i jap urti dhe fuqi cilitdo që përpiqet ta kapë kafshën. Si shpërblim do t’i dhuroj Vetveten kujtdo që është gati ta japë jetën për Mua."

Turma e parë u përgjigj: "O Atë i madh, Ti je dhuruesi i çdo të mire. Ne jemi vepra Jote dhe me kënaqësi do të ta japim zemrën në shenjë nderimi. Çka mbetet do e mbajmë për nevojat tona. Prandaj, meqenëse vdekja na duket e rëndë, dobësia fizike barrë dhe dijet i kemi të pakta, na udhëhiq mendërisht dhe fizikisht dhe ki mirësinë t’i pranosh ofertat tona. Na shpërble sa dhe si të duash."

Turma e dytë u përgjigj: "E pranojmë se jemi të dobët dhe jemi të vetëdijshëm për zbrazëtinë dhe përkohshmërinë e botës. Prandaj ta japim me gëzim zemrën dhe e lëshojmë vullnetin në duart e të tjerëve, pasi preferojmë më mirë të bindemi sesa të mbajmë qoftë edhe të mirat më të vogla të kësaj bote."

Turma e tretë u përgjigj: "Zot, ti dëshiron zemrën e kafshës dhe ke etje për gjakun e peshkut. Ta japim me gëzim zemrën tonë dhe jemi gati të vdesim për ty. Na jep urti dhe ne do të përpiqemi të gjemë mënyrën si të ta sjellim zemrën e kafshës."

Pas kësaj nga qielli kumboi një zë që tha: "O, mik, nëse e do zemrën e kafshës, hap një vrimë në mes të pëllëmbëve me një shpues të mprehtë. Pastaj merr qepallat e një balene dhe ngjiti mbi qepallat e tua. Merr një pllakë çeliku dhe lidhe në gjoks në mënyrë që të të mbrojë zemrën. Pastaj mbylle hundën dhe mbaje frymën!

Dili para me guxim kafshës së tërbuar me gojën mbyllur dhe duke mbajtur frymën. Kur t’i afrohesh kafshës, kape për veshësh me të dyja duart. Shigjetat e saj nuk kanë ç’të të bëjnë, ato do të të kalojnë përmes vrimave të duarve. Rend tek kafsha duke e mbajtur gojën mbyllur dhe kur t’i afrohesh fryji me sa fuqi ke. Flakët e kafshës nuk do të të lëndojnë, do t’i kthehen vetë asaj e do ta djegin. Ruaju veçanërisht nga shpatat që dalin nga sytë e kafshës. Bëji ballë me sytë e mbrojtur nga qepallat e balenës e shpatat ose do të këputen ose do të përkulen e do i ngulen asaj në zemër. Shiko me kujdes ku e ka zemrën dhe aty ngulja thikën. Nëse lëkura strall e fortë pritet, të jesh i sigurt se kafsha do të vdesë dhe zemra e saj do të jetë e Imja. Për çdo kile që peshon, Unë do të ta shpërblej njëqindfish. Por nëse nuk çahet dhe kafsha të lëndon, Unë do të t’i mjekoj plagët e dhe do të të ringjall nëse vdes.

Kush dëshiron të ma sjellë peshkun duhet të shkojë në breg me një rrjetë në dorë – jo rrjetë litarësh por prej metali të çmuar. Le të futet në ujë, por jo më thellë se deri në gju, që dallgët të mos e rrezikojnë. Duhet ta vërë këmbën në vend të fortë ku nuk ka rërë dhe baltë. Duhet të nxjerrë njërin sy dhe ta mbajë para peshkut e vështrimi i peshkut, që është si vështrim kuçedre, nuk do të ketë ndikim mbi të. Ai duhet të mbajë mburojë çeliku në krah e pickimi i gjarprit nuk do t’i bëjë dëm. Pastaj le ta hedhë rrjetën mbi peshkun e të ketë kujdes që peshku të mos i shpëtojë.

Kur ta shohë se e ka kapur peshkun, le ta ngrejë rrejtën dhe po arriti ta mbajë dhjetë orë përmbi ujë, peshku do të vdesë. Pastaj duhet ta çojë në breg dhe ta kontrollojë me syrin e mbetur e ta hapë nga kurrizi ku ka më shumë gjak. E ashtu t’ia çojë Zotërisë së vet. Nëse peshku i ikën apo e helmon, Unë jam në gjendje ta shëroj infeksionin. Dhe shpërblimi për gjakun e peshkut nuk do të jetë më i vogël se ai për zemrën e kafshës."

Hyji flet përsëri: “Peshorja simbolizon durimin dhe mëshirën, është njëlloj sikur dikush të thoshte: 'Ji i butë dhe i durueshëm, prit dhe ki mëshirë.' Do të thotë që kur e sheh tjetrin të veprojë keq, t’i tërheqësh vëmendjen. Po ashtu, Unë, Hyji dhe Krijuesi i gjithçkaje, veproj me njerëzit duke u treguar i butë dhe duke i vënë në provë. Ndonjëherë e vizitoj mendjen e njeriut me frymëzime, duke i dhënë zell apo hire të veçantë. Domethënia e zinxhirëve të peshores që arrijnë deri tek retë është se Unë, Hyji i të gjithëve, mbështes këdo, paganë dhe të krishterë, miq dhe armiq dhe i ndriçoj dhe vizitoj me hirin Tim për të parë nëse ka ndonjë që dëshiron t’i përgjigjet këtij hiri duke iu larguar së keqes. Kafsha simbolizon të pagëzuarit që kur arrijnë moshën e arsyes nuk u binden fjalëve të ungjillit të shenjtë, jepen pas gjërave tokësore dhe nuk duan t’ia dijë për jetën shpirtërore.
Peshku simbolizon paganët e zhytur në lakmitë trupore. Gjaku i tyre, domethënë besimi, është i dobët dhe dijet e tyre për Hyjin të pakta.

Prandaj Unë i dua edhe zemrën e kafshës edhe gjakun e peshkut, nëse ka ndonjë që, nga dashuria për Mua, përpiqet të m’i sjellë. Tre turmat janë miqtë e Mi: Të parët janë ata që i përdorin në mënyrë të arsyeshme gjërat e kësaj bote; të dytët janë ata që kanë hequr dorë nga çka kanë; të tretët janë ata që janë gati të vdesin për Hyjin."