Nëna e Hyjit thotë se zemra e Birit të saj është tejet e ëmbël, tejet e pastër dhe tejet e mirë, aq e mirë sa edhe sikur një mëkatar të gjendej buzë ferrit, po të kërkonte ndihmë, ai menjëherë do të shpëtohej, mjaft që të jetë i vendosur për të bërë kthesë. Njeriu i hyn Hyjit në zemër me anë të pendesës së vërtetë dhe soditjes së shpeshtë të mundimeve të Tij.
Libri 4 - Kapitulli 101

Nëna e Hyjit thotë: "Zemra e tim Biri është e ëmbël si më i ëmbli mjalt dhe e pastër si burimi më i kulluar, pasi gjithçka që i përket virtytit dhe mirësisë buron prej saj si prej një burimi. Zemra e Tij është edhe tejet e mirë. Ç’ka gjë më të mirë për njeriun e ndjeshëm se të sodisë dashurinë që Hyji ka shfaqur në krijim dhe shëlbim, në jetën e Tij prej punëtori dhe mësuesi, në hirin dhe durimin e Tij? Dashuria e Tij nuk është e paqëndrueshme si uji, por qëndron përherë, pasi ajo nuk e braktis njeriun deri në fund; edhe sikur mëkatari të gjendej buzë ferrit, edhe atëherë do të shpëtohej nëse do të thërriste i vendosur për të bërë kthesë.

Ka dy mënyra për t’i hyrë Hyjit në zemër. E para është përvujtëria e pendesës së vërtetë. Kjo i hap njeriut dyert e zemrës së Hyjit dhe të dialogut shpirtëror. Mënyra e dytë është soditja e vuajtjeve të tim Biri. Kjo ia largon njeriut ngurtësinë e zemrës dhe e bën të rendë drejt zemrës së Hyjit me gëzim."