Krishti e këshillon nusen të jetojë me përvujtëri dhe të mos mundohet për të bërë emër apo famë, pasi Ai nuk zgjodhi të diturit për të predikuar ungjillin por peshkatarë të përvuajtur.
Libri 4 - Kapitulli 113

Biri thotë: "Kushdo që dëshiron, le të lexojë shkrimet dhe do të shohë se Unë bëra profet bariun dhe i mbusha të rinjtë dhe njerëzit e thjeshtë me shpirtin e profecisë. Është e vërtetë se jo të gjithë i kanë dëgjuar fjalët e Mia shpëtimtare, megjithatë për të bërë të njohur dashurinë Time, fjalët e Mia u kanë arritur shumicës së njerëzve. Po kështu, unë nuk zgjodha njerëz të shkolluar për të predikuar ungjillin por peshkatarë. Në këtë mënyrë ata nuk mund të mburreshin me urtinë e vet. Kështu çdo njeri do ta merrte vesh se ashtu si Hyji është i mrekullueshëm dhe i pakonceptueshëm, po ashtu edhe veprat e Tij janë të pashqyrtueshme dhe Ai i bën mrekullitë më të mëdha me mjetet më të vogla. E ngarkon veten rëndë kush i përkushtohet botës për të fituar lavdi dhe për të realizuar dëshirat e veta.

Do të të sjell shembullin e dikujt. Ai ishte dhënë i tëri pas botës, fitoi famë në botë dhe e ngarkoi veten me një barrë të rëndë mëkatesh. Kështu që tani ai ka fituar famë në ferr, një barrë tejet të rëndë në vend të shpërblimit dhe një vend më të lartë ndëshkimi. Disa zbritën në atë vend përpara tij, disa bashkë me të, të tjerë pas tij. Ata që zbritën para tij janë ata që, me ndihmën dhe këshillat e tyre, e nxitën të përhapë ligësinë e vet. Shpagimi për veprat që kish kryer zbriti bashkë me të. Ata që do të zbresin pas tij janë ata që ndjekin shembullin e tij.

Të parët i drejtohen si prej një fushe beteje. Ata thonë: 'Meqenëse u vure veshin këshillave tona, ne digjemi më fort prej pranisë sate. Prandaj qofsh mallkuar dhe përfundofsh në litar që nuk këputet dhe zjarr që nuk shuhet kurrë. Për krenarinë dhe ambicjen tënde të mbuloftë turpi më i madh.' Veprat e tij bërtasin dhe thonë: 'O derëzi, toka nuk qe në gjendje të të ngopë me frytet e saj pasi ti i doje të gjitha. Ari dhe argjendi nuk të kënaqnin dhe prandaj mbete fare pa gjë. Për këtë arësye, sorrat do të ta shqyejnë shpirtin – ka për të t’u sakatosur por nuk do të asgjësohet, do të të kalbet por do të vazhdojë të jetojë.'

Ata që zbresin pas tij bërtasin: 'Medet që linde! Dëshira jote sensuale do të bëhet për ty një urrejtje e tillë për Hyjin sa nuk do të dëshirosh të flasësh qoftë edhe një fjalë të vetme që do të mund ta zbuste Hyjin. Në dashurinë e Hyjit gjendet çdo paqe dhe kënaqësi e fisshme dhe gëzim i papërshkrueshëm – asnjë prej të cilave nuk merituam për shkak se ndoqëm shembullin tënd – prandaj paç trishtimin dhe grindjet e shoqërisë së djajve, çnderim në vend të nderit, zjarr për epshet, ftohtësi në vend të dashurisë, siklet si shpagim për rehatitë që kërkoje. Në vend të famës që e mbajte aq padenjësisht, paç poshtërime. Në vend të fronit të lavdishëm, paç vendin më të përçmuar!'
Historia tregon se ç’fat meritojnë ata që nuk u binden urdhrave të Hyjit."

SHTOJCË
Një kalorës rrekej gjithmonë të sajonte moda të reja dhe bëri që shumë vetë të përfundojnë në ferr për shkak të fjalëve dhe veprave të tij. Kishte antipati për Zonjën Brixhidë dhe meqenëse nuk guxonte vetë të fliste kundër saj, nxiti dikë tjetër t’i thoshte asaj fjalë fyese duke u hequr si i pirë. Ndërkohë që ajo po hante drekë dhe njerëz me pozitë dëgjonin, ky njeri tha: "Zonjë, ti ëndërron shumë. Rri shumë kohë pa gjumë. Do të ishte më mirë për ty të pije më shumë dhe të flije më shumë. Mos vallë i ka braktisur Hyji rregulltarët që tani bisedonka me krenarët dhe mondanët? Nuk ia vlen t’u zësh besë fjalëve të tua."

Tek fliste kështu, të pranishmit deshën ta ndëshkonin, por Brixhida nuk i lejoi dhe tha: "Lëreni të flasë pasi Hyji vetë e ka dërguar. Gjithë jetën jam përpjekur për famë dhe kam blasfemuar Hyjin, përse u dashka të mos dëgjoj çka është e vërtetë? Ai po më thotë të vërtetën."
Kur kalorësi e mori vesh këtë gjë, ai u pendua dhe u pajtua me zonjën. Shkoi në Romë dhe atje ndërroi jetë si njeri i drejtë.