Krishti i ankohet nuses për paganët dhe hebrenjtë, por sidomos për të krishterët e këqinj sepse ata nuk i marrin sakramentet e shenjta me devotshmërinë dhe pastërtinë e duhur dhe sepse nuk duan t’ia dinë për krijimin, shëlbimin dhe ngushëllimin hyjnor.
Libri 4 - Kapitulli 116

Biri thotë: "Do të të bëj një përshkrim figurativ të tre vetëve.
I pari thotë: 'Nuk besoj në ty as si Hyj as si njeri.' I tillë është pagani. I dyti, që është Hebre, më beson si Hyj por jo njeri. I treti, i krishterë, më beson si Hyj dhe njeri, por nuk u zë besë fjalëve të Mia.

Unë jam Ai mbi të cilin u dëgjua zëri i Atit tek thoshte: 'Ky është Biri Im.' Me natyrën Time hyjnore ankohem që njerëzit nuk duan të më dëgjojnë. Unë thirra dhe thashë: 'Unë jam fillimi: Nëse besoni në Mua, do të keni jetën e përjetshme,' por njerëzit u tallën me Mua. Ata ishin dëshmitarë të fuqisë Sime hyjnore kur ngjalla të vdekurit dhe bëra shumë gjëra të tjera, por nuk u vunë mend veprave.

Edhe me natyrën njerëzore ankohem që askush nuk do t’ia dijë për çka kam bërë në Kishën e Shenjtë. Në kishë kam vendosur si të thuash shtatë enë për pastrimin e njeriut. Caktova pagëzimin për pastrimin e mëkatit të rrjedhshëm; krezmimin si shenjtë të pajtimit hyjnor; vajosjen e shenjtë për forcë në prag të vdekjes; rrëfimin për faljen e të gjitha mëkateve; fjalët e shenjta me të cilat shugurohen ofertat e shenjta; meshtarinë si vlerësim, njohje dhe kujtim të dashurisë hyjnore; martesën si bashkim zemrash. Këto duhen pranuar me përvujtëri, duhen mbajtur me pastërti, duhen kremtuar pa kurrnacëri. Porse sot ato merren me krenari, mbahen në enë të papastra, kremtohen me kopraci.

Gjithashtu Unë ankohem sepse linda dhe vdiqa për shëlbimin e njerëzimit në mënyrë që edhe nëse njerëzit nuk do të më donin pse i krijova, të paktën të më donin pse i shëlbova. Porse tani ata më zbojnë nga zemra sikur të isha i gërbulur dhe më shmangin sikur të isha një rreckë e pisët. Me hyjninë Time ankohem gjithashtu që ata e refuzojnë ngushëllimin e hyjnisë Sime dhe nuk i vënë mend dashurisë së saj."