Hyji vetë rend për t’i takuar ata që vërtet e dëshirojnë Atë; Ai i ngushëllon si baba zemërmirë dhe gjërat e vështira i bën të lehta për ta.
Libri 4 - Kapitulli 117

Ndërsa dikush po thoshte “Ati ynë”, nusja dëgjoi Shpirtin që tha: "Mik, po të them në emër të natyrës Sime hyjnore se trashëgimia jote do të jetë Ati yt dhe, së dyti, në emër të natyrës Sime njerëzore, se do ti të jesh tempulli Im. Së treti, në emër të Shpirtit, po të them se nuk do të kesh tundime që nuk i përballon dot. Ati do të të mbrojë, natyra Ime njerëzore do të të ndihmojë, Shpirti do të të ndezë flakë.

Ashtu si kur një nënë dëgjon zërin e të birit rend me gëzim për ta takuar dhe ashtu si një atë sheh të birin të lodhur dhe i del përpara për ta ndihmuar, ashtu edhe Unë rend për t’i takuar miqtë e Mi dhe i bëj për ta të lehtë dhe të këndshme gjërat e vështira. Ashtu si kur dikush sheh diçka të bukur dhe nuk gjen prehje derisa t’i afrohet, po ashtu Unë u afrohem atyre që më dëshirojnë."

SHTOJCË
Ky murg pa në duart e priftit, në çastin e ngritjes së trupit të Krishtit, Zotin tonë Jezu Krisht në formën e një fëmije që i tha: "Unë jam Biri i Hyjit dhe Biri i Virgjërës."
Madje ai parapa edhe si do të vdiste dhe se do të vdiste brenda një viti, gjë për të cilën mund të lexohet në disa kapituj në legjendën e Shën Brixhidës. Ky murg quhej Gerekinus.