E lumja Anjezë i vendos në kokë nuses së Krishtit një kurorë me shtatë xhavahirë.
Libri 4 - Kapitilli 124

Anjeza i drejtohet nuses së Krishtit dhe i thotë: "Eja, bijë, ja një kurorë me shtatë xhevahirë për ty. Kurora nuk simbolizon tjetër përveç provës së durimit, farkëtuar me vështirësitë e jetës dhe zbukuruar me lule nga Hyji.

Xhevahiri i parë i kurorës sate është diaspër. E vuri aty ai që me të tallur tha se nuk e dinte se çfarë shpirti të bënte të flisje dhe se do të ishte më mirë për ty të tirrje dhe qepje siç bëjnë gratë e tjera dhe jo të flisje për shkrimet e shenjta. Ashtu si diaspri forcon shikimin dhe i sjell gëzim mendjes, po ashtu me anë të vështirësive Hyji i jep gëzim mendjes, ndriçon intelektin për çështje shpirtërore dhe e ruan shpirtin nga impulset e çrregullta.

Xhevahiri i dytë është safiri. E vuri aty ai që foli mirë për ty para teje por të shau mbrapa krahëve. Ashtu si safiri ka ngjyrë të kaltër dhe i ruan të shëndetshme pjesët e trupit, po ashtu ligësia njerëzore e vë në provë të drejtin për ta bërë qiellor dhe i ruan pjesët e shpirtit që të mos marrin kot nga krenaria. Xhevahiri i tretë është smeraldi. E vuri aty ai që tha se ti flet gjëra që as i ke menduar e as nuk i ke thënë. Ashtu si smeraldi është i brishtë në vetvete por ka ngjyrë të blertë të bukur, po ashtu gënjeshtra shpejt del në shesh por e zbukuron shpirtin si shpërblim për durimin e treguar.

Xhevahiri i katërt është perlë. Këtë e vuri ai që e përfoli një mik të Hyjit në praninë tënde. Kjo të preku më tepër se çdo ishe prekur po të të kishte përfolur për ty. Ashtu si perla është e bardhë dhe e bukur dhe e lehtëson vuajtjen e zemrës, po ashtu trishtimi i dashurisë e fut Hyjin në shpirt dhe i zbut pasionet e zemërimit dhe të padurimit. Xhevahiri i pestë është topazi. Këtë e vuri ai që të foli ashpër, por të cilit ti iu përgjigje butësisht. Ashtu si topazi ka ngjyrë ari dhe e ruan pastëritinë dhe bukurinë, po ashtu nuk ka gjë më të bukur dhe të pranueshme për Hyjin se kur njeriu e do atë që e lëndon dhe lutet për atë që e përndjek.

Xhevahiri i gjashtë është diamanti. Këtë e vuri ai që të lëndoi fizikisht por që ti e durove me durim dhe nuk i dëshirove të keqen. Ashtu si diamanti nuk mund të thyhet me goditje por vetëm me gjak dhie, po kështu Hyjit i pëlqen kur njeriu nuk merakoset dhe, për hatër të Hyjit nuk shqetësohet për lëndimet fizike por sjell gjithnjë ndërmend çka Hyji ka bërë për hir të njerëzimit. Xhevahiri i shtatë është rubini. Këtë e vuri ai që të solli lajmin e rremë se yt bir Karli kishte vdekur. Ashtu si rubini shkëlqen në një shtëpi dhe duket shumë bukur në unazë, po ashtu ai që tregohet i durueshëm kur humbet diçka që ka për zemër, tërheq dashurinë e Hyjit dhe shkëlqen në sytë e shenjtërve dhe është i bukur si xhevahir. Prandaj bija ime tregoju e qëndrueshme pasi kurorës sate i nevojiten edhe xhevahirë të tjerë. Ki parasysh se Abrahami dhe Jobi u përmirësuan dhe u bënë më të njohur në sajë të provave dhe se Gjoni u bë më i shenjtë duke dëshmuar të vërtetën."