Bija e lëvdon Virgjërën e lavdishme. Si Virgjëra i përgjigjet bijës. Ajo i jep shumë hire dhe të tjera të mira nga ana e saj, e apostujve dhe shenjtërve.
Libri 4 - Kapitulli 18

O e ëmbla Mari," thotë nusja, "ti je përjetësisht e bekuar sepse ishe Virgjër para se të bëheshe nënë, Virgjër pasi u bëre nënë, Virgjër bashkë me bashkëshortin tënd, padyshim Virgjër për bashkëshortin dyshues. Prandaj qofsh bekuar sepse ti je Nënë dhe Virgjër, më e shtrenjta për Hyjin, më e pastër se të gjithë engjëjt, më besimtarja mes apostujve, vetëm fillikat në hidhërimin e thellë të zemrës sate, vetëmohimi yt ia kalon atij të të gjithë dëshmitarëve, pastërtia jote ia kalon asaj të të gjithë njerëzve të virgjër. Prandaj gjithë gjërat lart dhe poshtë le të të bekojnë pasi, nëpërmjet teje, Hyji Krijues u bë njeri; nëpërmjet teje të drejtët gjejnë hir, mëkatarët falje, të vdekurit gjejnë jetë, të mërguarit kthehen në atdhe."

Virgjëra përgjigjet: "Shkruhet se kur Pjetri e dëshmoi tim Bir dhe e quajti Birin e Hyjit, ai mori këtë përgjigje: 'I bekuar je ti, Simon, pasi këtë nuk ta ka dëftuar trupi dhe gjaku.' Kështu them edhe unë tani: Kjo përshëndetje nuk t’u dëftua nga shpirti yt trupor por prej Atij që ishte pa fillim dhe është pa fund. Prandaj tregoju e përvuajtur dhe unë do të jem e mëshirshme me ty. Gjon Pagëzori, siç premtoi, do të tregohet i mirë me ty; Pjetri do të tregohet i butë dhe Pali i fortë si gjigand. Gjon pagëzori do të të thotë: 'Bijë, ulu në prehrin tim!' Pjetri do të të thotë: 'Bija ime, hape gojën dhe unë do të të ushqej me ushqim të ëmbël!' Pali do të të veshë dhe armatosë me armët e dashurisë. Dhe unë, që jam Nëna, do të të paraqes tek im Bir.

Porse, bija ime, këtë mund ta interpretosh edhe në kuptim shpirtëror.
Gjoni, emri i të cilit do të thotë hiri i Hyjit, simbolizon bindjen e vërtetë. Ai ishte dhe është me të vërtetë i ëmbël dhe i mirë- i ëmbël me prindërit për hirin e tij të mrekullueshëm, i ëmbël me njerëzimin për predikimin e tij të jashtëzakonshëm, i ëmbël me Hyjin për shenjtërinë e jetës dhe bindjen. Ai ishte i bindur në rini, i bindur në kohë të mira dhe të këqija; i dëgjueshëm dhe gjithmonë i përvuajtur; i bindur gjithashtu në vdekje. Prandaj bindja thotë: 'Ulu në prehrin tim!' Domethënë: Prano gjërat e përvuajtura dhe do të kesh të lartat. Hiq dorë nga gjërat e hidhura dhe do të kesh të ëmblat. Hiq dorë nga vullneti yt, nëse do që të jesh e vogël. Përçmoji gjërat tokësore dhe do të bëhesh qiellore. Përçmoji gjërat e tepërta dhe do të kesh bollëk shpirtëror.

Pjetri simbolizon fenë e vërtetë: fenë e Kishës së Shenjtë. Ashtu si Pjetri qëndroi palëkundur deri në fund, ashtu edhe feja e Kishës së Shenjtë do të mbesë e pamposhtur deri në fund. Prandaj Pjetri, domethënë feja e shenjtë, thotë: 'Hape gojën dhe do të kesh ushqim të ëmbël!' Domethënë: Hape intelektin e shpirtit dhe në Kishën e Shenjtë do të gjesh ushqimin më të ëmbël, domethënë vetë trupin e Zotit në sakramentin e altarit, ligjin e ri dhe të vjetër, mësimet e doktorëve, durimin e martirëve, përvujtërinë e dëshmitarëve, pastërtinë e virgjërave dhe themelin e të gjitha virtyteve. Pra kërkoje fenë e shenjtë në kishën e Shën Pjetrit, mos e harro dhe vije në jetë.

Pali simbolizon durimin pasi ai ishte i zellshëm ndaj atyre që e luftonin fenë e shenjtë, optimist në vështirësi, i paepur në shpresë, i durueshëm në sëmundje, i mëshirshëm me të trishtuarit, i përvuajtur në virtyte, mikpritës me të varfërit, i mëshirshëm ndaj mëkatarëve, mësues i të gjithëve, i qëndrueshëm në dashurinë e Hyjit deri në fund. Prandaj Pali, domethënë durimi, do të të armatosë me armët e virtyteve, pasi durimi i vërtetë, i themeluar dhe fuqizuar nga shembujt dhe durimi i Krishtit dhe shenjtërve të Tij, ndez në zemër dashurinë për Hyjin, e bën shpirtin të ethshëm për vepra të guximshme, e bën njeriun të përvuajtur, të butë, të mëshirshëm, të flaktë për qiellin, të kujdesshëm me veten dhe këmbëngulës në detyrat e ngarkuara.

Prandaj unë, nëna e Mëshirës, do ta çoj tek Biri im këdo bindja e të cilit ushqehet në prehrin e përvujtërisë, këdo feja e të cilit ushqehet me ushqimin e ëmbëlsisë, këdo durimi i të cilit vishet me armët e virtyteve dhe im Bir do ta kurorëzojë atë njeri me kurorën e Tij të ëmbël. Në të ka fuqi të pakuptueshme, urti të pakrahasueshme, mirësi të pashpjegueshme, dashuri të mrekullueshme. Atëherë askush nuk do të mund ta shkëpusë atë njeri prej dorës së Tij. Por, bija ime, edhe pse po flas me ty, me ty kam parasysh të gjithë ata që kanë fenë e shenjtë dhe kryejnë vepra dashurie. Ashtu si me një njeri, Izraelin, kiheshin parasysh të gjithë izraelitët, po ashtu në ty kihen parasysh të gjithë besimtarët e vërtetë."