Bija e lëvdon Zojën për virtytet dhe bukurinë e saj. Virgjëra përgjigjet duke e konfirmuar lëvdatën dhe Biri e krahason Nënën e Tij me një argjendar.
Libri 4 – Kapitulli 19

E ëmbla Mari, bukuri e freskët, bukuri vezulluese! Eja e më dëgjo që shëmtia ime të pastrohet dhe dashuria ime të ndizet! Bukuria jote i jep tre dhurata kokës. E para, i pastron kujtesën dhe fjalët e Hyjit hyjnë lehtësisht në të; e dyta, i ngulit fjalët e dëgjuara; e treta, e bën të zellshme në shpalljen e fjalës së dëgjuar. Ndërsa zemrës bukuria jote i jep tre gjëra. E para, e liron nga barra e rëndë e apatisë kur mediton për dashurinë dhe përvujtërinë tënde; e dyta, e bën të derdhë lotë kur sjell ndërmend varfërinë dhe vuajtjet e tua; e treta, e përflak shpirtërisht kur kujton sinqerisht devotshmërinë tënde.

Me të vërtetë, Zoja ime, ti je bukuria më e çmueshme, bukuria më e lakmueshme, pasi ti je ndihma që i jepet të sëmurit, ngushëlluesja në trishtim, ndërmjetësja e të gjithëve. Prandaj të gjithë ata që kanë dëgjuar se do të lindje dhe ata që e dinë se tashmë ke lindur, mund të thërrasin me siguri: 'Eja më vezulluesja bukuri dhe ndriço errësirën tonë. Eja më e çmueshmja bukuri dhe fshije turpin tonë. Eja më e ëmbla bukuri dhe pakësoje hidhërimin tonë. Eja më e fuqishmja bukuri dhe na çliro nga robëria. Eja më e pastra bukuri dhe shkatërroje fëlliqësinë tonë!" Një bukuri kaq e madhe qoftë bekuar dhe nderuar, bukuria që gjithë patriarkët dëshironin ta shihnin, për të cilën profetët këndonin, të cilës i gëzohen të zgjedhurit!"

Nëna përgjigjet: "Hyji, bukuria ime, qoftë bekuar! Ai t’i vuri në buzë fjalët që the! Prandaj po të rrëfej se bukuria më e lashtë, bukuria e përjetshme dhe e lartë, ajo që më bëri dhe krijoi mua, do të jetë paqja jote. Bukuria më e lashtë dhe njëkohësisht më e re që ripërtërin gjithçka, që ishte në mua dhe lindi prej meje, do të të mësojë gjëra të mrekullueshme. Bukuria më e lakmueshme, që i jep gëzim dhe hare të gjithëve, do ta mbushë shpirtin tënd me dashuri.
Prandaj ki besim tek Hyji e kur të shfaqet bukuria hyjnore gjithë bukuritë tokësore do të marrin fund e mbahen për hiç."

Pastaj Biri i Hyjit i tha Nënës së Tij: "E bekuara Nënë, ti je si një argjendar që bën një objekt shumë të bukur. Të gjithë ata që e shohin objektin mbushen me gëzim dhe dhurojnë gurë të çmuar ose ar për ta bërë edhe më të bukur. Ti, Nënë e dashur, ndihmon këdo që përpiqet të ngrihet tej Hyji dhe nuk lë askënd pa ngushëllimin tënd. Për këtë mund të quhesh fare mirë gjaku i zemrës së Hyjit. Ashtu si çdo gjymtyrë e trupit merr jetë dhe forcë nga gjaku, ashtu edhe kushdo që vjen në jetë përsëri pas mëkatit dhe bëhet më i frytshëm para Hyjit, e arrin këtë në sajin tënd."