Nëna i tregon bijës se njeriu duhet të ruhet nga dëshirat e mishit dhe ta ushqejë trupin aq sa ka nevojë; i tregon edhe që njeriu duhet të qëndrojë pranë trupit por jo në trup.
Libri 4 - Kapitulli 25

Nëna thotë: "Ti duhet të jesh si një nuse para mbulesës së krevatit, e gatshme të bëjë siç dëshiron dhëndri sapo ai e thërret. Kjo mbulesë krevati është trupi që mbulon shpirtin dhe duhet vazhdimisht të lahet, mundohet dhe vihet në provë. Trupi është si gomar që i nevojitet një dietë e kontrolluar që të mos bëhet grykës, punë e rëndë që të mos krenohet dhe rrahje e vazhdueshme që të mos dembeloset.

Pra qëndro pranë mbulesës së krevatit, domethënë qëndro pranë trupit, por jo në trup, pra mos ia plotëso tekat trupit por jepi ushqim aq sa i nevojitet. Qëndron pranë trupit dhe jo në trup ai që e frenon trupin nga dëshira për ushqim të tepruar. Qëndro edhe pas mbulesës, domethënë përbuze epshin trupor, nderoje Hyjin dhe shpenzoji të gjitha energjitë e tua për Të.

Kështu qëndruan ata trupi i të cilëve ishte si mbulesë për Hyjin, që ishin gati në çdo kohë të bënin si Ai dëshironte, sa herë që i pëlqente t’i thërriste. Nuk u duhej të bënin rrugë të gjatë për të arritur tek Ai të cilin e kishin gjithnjë të pranishëm. Mbi ta nuk rëndonin pesha të rënda, pasi ata as që donin t’ia dinin për to dhe ishin në botë vetëm me trup. Prandaj fluturuan lirshëm dhe të shpenguar në qiell. Asgjë nuk i pengonte përveçse një veshjeje të lehtë dhe të mirëdisiplinuar dhe kur e hoqën atë plotësuan dëshirën e zemrës së tyre.
Ky person ra rrezikshëm, por urtisht u ngrit përsëri. Ai e mbajti veten si burrë, luftoi pa u epur dhe këmbënguli me durim. Prandaj ai tani do të marrë një kurorë të përjetshme dhe do të jetë në praninë e Hyjit."