Nëna i tregon bijës për mëshirën e saj të pafund ndaj mëkatarëve dhe ndaj atyre që e lëvdojnë dhe nderojnë.
Libri 4 – Kapitulli 32

Nëna thotë: "Ju keni një shprehje që thotë se, 'Një gjë e tillë mund të më bënte ta braktisja atdheun.' Këtë po të them tani: Nuk ka mëkatar aq të madh në botë – mjaft që ta pranojë me zemër se im Bir është Krijuesi dhe Shëlbuesi i gjithësisë dhe ta dojë Atë – që unë të mos jem gati të shkoj menjëherë tek ai si një nënë e mirë tek i biri, e ta përfqafoj e t’i them: 'Ç’dëshiron, biri im?' Edhe sikur të meritonte ndëshkimin më të rëndë të ferrit, prapë se prapë, nëse ai ka synimin për t’i përbuzur nderet tokësore apo lakminë ose epshin trupor, që kisha i dënon, dhe nuk dëshiron tjetër përveçse gjërave të nevojshme, atëherë ai dhe unë do t’ia kalojmë bashkë shumë mirë.

Thuaji atij që kompozon këngë në nderin tim – jo për hir të lëvdatave të tij, por për nder të Atij që është i denjë për çdo lëvdatë për veprat e Tij – se ashtu si princërit tokësorë i shpërblejnë materialisht ata që i lëvdojnë, edhe unë do ta shpërblej atë shpirtërisht. Ashtu siç ka shumë nota në një rrokje të vetme, ashtu i pëlqen Hyjit t’i japë atij një kurorë në qiell për çdo rrokje të këngëve. Do të thuhet për të: 'Ja ku po vjen thurësi i lëvdatave që nuk kompozoi për interes material por vetëm nga dashuria për Hyjin.' "

SQARIM
Ky njeri kishte tundime në lidhje me Shpirtin Shenjt. Në vegim ai pa diçka që dukej si tre fytyra grash. E para tha: "Kam marrë pjesë në shumë dasma, por nuk kam parë asnjë që të jetë tre vetë." E dyta u përgjigj: "Nëse ka tre dhe një, atëherë patjetër njëri prej tyre është më i vjetër dhe tjetri më i ri, ose përndryshe janë dy vetë në një." Dhe e treta shtoi: "Ata nuk mund ta kenë krijuar vetveten, pra kush i krijoi ata?" Pastaj Shpirti Shenjt tha: "Ne do të vijmë tek ai dhe do të banojmë në të." Dhe kur u zgjua ai e gjeti veten të çliruar nga tundimi.

Pas kësaj, Krishti i tha zonjës Brixhidë: "Unë jam një dhe tre. Dua të të tregoj ç’është fuqia e Atit, ç’është urtia e Hyjit, ç’është fuqia e Shpirtit Shenjt, që ta marrësh vesh se Unë, Hyji, jam tre dhe një: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt." Kur kjo e vërtetë shpallet nga foltorja, nuk vihet më në diskutim.

Krishti tha përsëri: "Thuaji atij se fiton meritë më të madhe në sytë e Mi në kohë sëmundjeje se kur gëzon shëndet. Lazri u bë më i virtytshëm nga dhimbjet dhe Jobi më zemërmirë prej vuajtjeve. Kjo nuk do të thotë se Unë mërzitem kur të zgjedhurit e Mi gëzojnë shëndet të mirë, pasi zemra e tyrë është gjithnjë me Mua, e mbajnë trupin nën kontroll dhe kryejnë vepra të përshpirtshme."